in

Imzot Fortino, një nga pishtarët e fundit të plejadës së Ernest Koliqit

Ambasadori i Kosovës, Albert Prenkaj, shpreh hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të mikut të shqiptarëve dhe arbëreshëve, Imzot Eleuterio Fortino

Miq të nderuar,
Shqiptarë dhe Arbëreshë të dashur,

Takimi im i parë me Monsinjor Fortinon ishte vigjilja e Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, 25 Nëntori, në hapësirat e Kishës së Shën Atanasit, kur shoqata Besa prezantoi Atlasin Dialektologjik të Gjuhës Shqipe.

Qetësia e këtij njeriu më la të kuptoj se brendapërbrenda tij fshihet një përvojë e hatashme që tejkalon kufijtë e një përkatësie fetare, kombëtare, territoriale. Dhe, me kohë mësova se  Monsinjor Fortino mbante në bagazhin e tij jetësor dhe të thirrjes pastorale autoritetin ekumenik të botës së krishterë të ritit perëndimor dhe lindor.

Për botën arbëreshe – shqiptare, Monsinjor Fortino shënon një nga pishtarët e fundit të plejadës së profesor Ernest Koliqit, që ndriçoi botën arbëreshe këtu në Itali. Ai ringjalli kultivimin e traditës së vjetër arbëreshe, aktualizoi vlerat e mirëfillta të traditës dhe kulturës arbëreshe-shqiptare. Ende është i gjallë kujtimi i shënimit të 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit –Skënderbeut, atëherë kur Ati Fortino dha të kuptohej se është person i përmasave intelektuale moderne, por me rrënjë të thella.

Zulmëmadhi Monsinjor Fortino, tejkaloi kufijtë e komunitetit ortodoks arbëresh dhe ata të kulturës shqiptare. Duke ofruar përvojën e mirë të tij, bëri një punë të palodhshme në dialogun ekumenik në mes Kishës Katolike dhe kishave të riteve lindore.

Neve na mbetet që të vazhdojmë punën e tij në fushat tona të veprimtarisë, duke e mbajtur të gjallë kujtimin për të.

Arbëreshëve të dashur, po u përcjell porosinë: “ruani farën arbëreshe, sepse siç e dëshmoi i dashuri ynë, Ati Eleuterio Fortino, kjo farë i shërbeu njerëzimit me punë të vogla  në vepra të mëdha”.

Në emër të Presidentit të Republikës së Kosovës, të Kryeministrit Thaçi dhe në emër të popullit të Kosovës më lejoni t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjithë arbëreshëve kudo që janë, Kishës Ortodokse Arbëreshe, dhe në veçanti familjes Fortino.

I qoftë i lehtë dheu i Kalabrisë!

Pusho në Paqe mik i dashur i gjakut të shprishur arbëresh!

Albert Prenkaj
Ambasador i Republikës se Kosovës

Romë 24 shtator 2010

Lexo edhe: Ndërron jetë Imzot Eleuterio Fortino

Dita e Klandestinit

Në Kroaci pa viza deri në fund të vitit