in

INSTAT. Popullsia e Shqipërisë është pakësuar

Instat jep të dhënat paraprake të Censusit. Shqipëria ka më pak se 2,9 milionë banorë. Reagon Aleanca KuqeZi: “INSTAT përmbushi dëshirën e Athinës dhe Beogradit, të cilët dëshironin të nxirrnin shifra të vogla të numrit të shqiptarëve”

Tiranë, 21 dhjetor 2011 – Instat boton sot të dhënat e para të mbledhura me censusi e tetorit. “Bazuar në të dhënat paraprake të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2.831.741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3.069.275” thuhet në dokumentin on-line të Instat-it. Por duhet theksuar që këto shifra japin numrin e banorëve të vendit, jo të të gjithë shqiptarëve, në to nuk përfshihen emigrantët, përkundrazi, përfshihen ata pak të huaj që jetojnë rregullisht në Shqipëri.

Numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7,7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë.

Sipas një vlerësimi paraprak të INSTAT-it, numri i personave që kanë refuzuar të përgjigjen në këtë census është 29.355 (1,04 %).

Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri popullsia e cila jeton në zonat urbane është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53,7% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale.

Edhe popullsia zvogëlohet, duket se rritet ndjeshëm numri i banesave që nga Censusi i fundit rezulton 686.405. Në vitin 2001 ky numër ishte 512.387, që do të thotë se në një dhjetëvjeçar është rritur me 34%.

Reagon menjëherë ndaj këtyre të dhënave Aleanca KuqeZi që thekson se Instat me këto shifra e ka nxjerrë popullsinë më të voglën në Ballkan, ndërkohë që realiteti sipas Aleancës Kuq e Zi kombi shqiptar llogaritet mbi 10 milionë banorë. Aleanca KuqeZi akuzon se mashtroi me numrin e popullsisë, duke dëmtuar të interesat shqiptare duke provuar denoncimet e Aleancës KuqeZi për censusin.

Për Sali Berishën censusi i këtij viti është “procesi i parë modern në vend”. Duke komentuar rezultatet paraprake të publikuara nga INSTAT, kryeministri Berisha nuk e konsideroi shqetësuese tendencën e zvogëlimit të popullsisë në vend. “Ritmet e shtimit të popullatës janë akoma të mira. Ka një tendencë për rënie, por në çdo moment kërcënimi qeveria është e gatshme të mbështesë politikat demografike. Por nuk kemi pse t’i vendosim në rendin e ditës aktualisht”, u shpreh kryeministi.

Ai vlerësoi si mjaft pozitive faktin që sipas rezultateve të Censusit, popullata e qyteteve dominon mbi zonat rurale. Sipas tij, “për shumë arsye të njohura kemi qenë një vend kryesisht rural. Ne mbetëm një komb rural për të siguruar ekzistencën, se nuk ka pastur tokë më të lakmuar se toka jonë. Lëvizja e madhe drejt urbanizimit të këtyre viteve është oguri më i bardhë për të ardhmen e kombit. Kombet urbane janë kombe të cilat ndërtojnë mëkëmbjen, prosperitetin dhe të ardhmen .” u shpreh Berisha.

 

Venecia. I pafajshëm kamerieri i akuzuar për përdhunimin e 18-vjeçares angleze

Përzgjidhen këngët e Natës Gala të festivalit të këngës në RTSh