Irida Dragoti është një e re shqiptare që prej rreth dhjetë vjetësh jeton në Firence. Është këngëtare lirike që bazat i ka hedhur në Jordan Misjen në Tiranë e më pas ka plotësuar formimin e saj në Santa Cecilia në Romë dhe është specializuar në konservatorin e Parmës. Ka debutuar për herë të parë në Shqipëri, krah Inva Mulës për familjen e të cilës flet me dashuri “Avni dhe Nina Mula kanë qenë mësuesit e mi të kantos dhe muzikës dhe do të mbeten gjithnjë në zemrën time”. Ka marrë pjesë në festivale të këngës së lehtë dhe asaj klasike. Ndërsa në Itali, Irida numëron bashkëpunime me artistë të famshëm si Andrea Bocelli, Ennio Morricone, Riccardo Cocciante e Zuhbin Mehta. Sot është në trupën Teatrit Maggio Musicale Fiorentino, një nga më të rëndësishmit në panoramën italiane, dhe ndihet e realizuar në profesionin e saj.
Por ajo për të cilën Irida të flet gjerë e gjatë është familja, prindërit motrat, dhe veçanërisht i shoqi Andreas Mazza dhe Christine, e bija njëvjeçare. Falë edhe të shoqit të dashuruar me Shqipërinë aq sa dëshiron të marrë shtetësinë shqiptare, Irida mbetet shumë e lidhur me vendlindjen. Me familjen shkon shpesh atje, kanë ngritur një shoqatë në ndihmë të fëmijëve dhe vitin e shkuar ka organizuar edhe një koncert recital. Ëndrra e saj dhe e të shoqit është që një ditë të shkojnë të jetojnë atje.
Rastësia e deshi që Irida të jetë një nga dëshmitaret e fatkeqësisë natyrore që tronditi Japoninë: ndodhej atje me trupën e Maggio Fiorentino-s për të dhënë koncerte në kuadrin e festimeve për 150 vjetorin e Bashkimit të Italisë. Na tregon se kishte ndier një frikë të thellë dhe se gjatë 2 ditëve në Tokio (nuk arritën të realizojnë të gjitha koncertet e programuara) jetoi me “ankthin e tërmetit, cunamit dhe radioaktivitetit”. Ja ç’thotë për Bota Shqiptare.
Bota Shqiptare: Cilat janë pjesët që keni më për zemër ndër ato të repertorit tuaj?
Irida Dragoti: Pasioni im është lirika. Por muzika e shenjtë zë një vend të veçantë në zemrën time, sepse jam shumë besimtare. Kam regjistruar një album me muzikë të shenjtë të muzikantëve të mëdhenj Mozart, Rossini, Handel etj. Pianiste në këtë album është Kledia Stefani, kolege, por mbi të gjitha shoqja ime më e ngushtë.
Në repertor keni dhe pjesë të kompozitorëve shqiptarë?
Për sa i përket muzikës shqiptare më pëlqen jashtëzakonisht muzika folkloristike shqiptare. Kam një dobësi të veçantë për muzikën e kompozitorit Avni Mula, i cili së bashku me artisten e mirënjohur Nina Mula kanë qenë mësuesit e mi të kantos dhe muzikës. Një çift i mrekullueshëm që do të mbeten në zemrën time përgjithmonë.
Kohët e fundit ju keni hyrë në trupën e Teatrit Maggio Musicale Fiorentino, një nga më të rëndësishmit në panoramën italiane. Si ka qenë përvoja në këtë trupë deri tani?
Kam një vit e gjysmë që punoj në trupën e Teatrit Maggio Musicale Fiorentino dhe jam e vetmja këngëtare shqiptare. Është një eksperiencë fantastike, aq më shumë që jam vërtet shumë e kënaqur nga ambienti i punës, nga koleget shumë të sjellshëm dhe shumë profesionalë. Gjithashtu kemi bërë disa produksione me maestro Zuhbin Mehta që është një dirigjent gjenial në fushën e tij.
Zakonisht thuhet se mjediset e lirikës dhe muzikës në përgjithësi janë më të hapur ndaj talenteve të huaja, është e vërtetë?
Unë mund të them se është shumë e vështirë të hysh në këto ambiente. Në përgjithësi kanë përparësi italianët. Por e vërteta është që nëse shikojnë një artist të talentuar ka mundësi edhe për të huajt.
Shkoni shpesh në Shqipëri?
Kam ardhur në moshën 19 vjeçare dhe mbetem shumë e lidhur me Shqipërinë. Shkoj tre ose katër herë në vit. Ëndrra ime dhe e bashkëshortit tim italian është që të jetojmë atje.
Bashkëshorti im Andreas Mazza është dashuruar me Shqipërinë që herën e parë që ka shkelur atje. Kaq shumë i pëlqen karakteri i shqiptarëve, sa dëshiron të marrë nënshtetësinë shqiptare dhe ka hapur një shoqatë, Angels Onlus, për të ndihmuar fëmijët shqiptarë. Është një bashkëpunim italiano-shqiptar. Raporti i familjes sime të re është i fortë dhe i bukur. Sidomos për faktin se Andreas është kaq i lidhur me rrënjët e mia sa ndonjëherë më duket sikur është më shqiptar se unë. Dhe si përfundim lulja e vogël Christine që na ka zbukuruar jetën. Vajza jonë më 9 mars mbushi një vjeç, është një krijesë e mrekullueshme e cila edhe pse është e vogël i sjell një gëzim të jashtëzakonshëm familjes sonë. Deri tani ajo ka qenë tre herë në Shqipëri.
(…)
Bashkëshorti juaj është kaq i lidhur Shqipërinë sa të kërkojë nënshtetësinë? Besoj se kjo është diçka shumë e rrallë
Po, është shumë e vërtetë. Ndihet shqipëtar i vërtetë. Që herën e parë që ka ardhur në Shqipëri mbeti i mrekulluar si me natyrën e mahnitshme ashtu dhe me njerëzit që e priten zemërhapur, me mikpritje të padiskutuar. Po ajo që e bën të ndihet shumë afër nesh është mënyra spontane që kemi në shqiptarët për të hapur zemrën. Andreas ka bërë shumë studime për historinë e popullit shqiptar dhe për arbëreshët, bile ka studiuar shumë edhe historinë e Skënderbeut. Dhe mendon se brenda popullit shqiptar buron pikërisht shpirtkrenaria dhe forca e Skënderbeut. Dëshironte ta merrte nënshtetësinë shqiptare menjëherë, por ligji shqiptar parashikon që duhet të kalojnë tre vjet martesë. Ne tani sapo i kemi mbushur dhe kemi hedhur dokumentet. Kur Andreas ta marrë nënshtetësinë na ka premtuar që do bëjmë një festë të madhe, me muzikë popullore, si dasma jonë në Shqipëri ku ai ka kërcyer për 8 orë rresht.
(…)
Projektet që keni përfshijnë edhe ngjitjen tuaj në skenat shqiptare?
Do të ishte ëndrra ime të këndoja në skenat shqiptare. Po punoj që kjo ëndërr të realizohet. Vitin e kaluar kemi bërë një koncert recital në Akademinë e Arteve të Bukura ku unë këndova pjesë të repertorit shqiptar dhe operistik. Bashkëshorti im Andreas prezantoi disa poezi të tijat pasi është edhe shkrimtar. Motra ime Tereza përktheu. Këtë koncert e përsëritëm edhe në qytetin e Korçës. Këto aktivitete i organizoi mamaja ime Raimonda. Këtë verë duam të bëjmë një turne në gjitha qytetet e Shqipërisë.
Fatkeqësia natyrore që pushtoi Japoninë ju gjeti në këtë vend. A mund të na thoni ndonjë detaj më shumë nga ky episod, me siguri ju ka prekur dhe tronditur.
Ishte një tragjedi e vërtetë. Nuk kisha ndjerë në jetën time një frikë të tillë. Ndodheshim përpara teatrit për provën e përgjithshme të operës “La forza del destino” të kompozitorit Giuseppe Verdi, ishte dhe bashkëshorti im Andreas. Në një moment pamë degët e një peme të tundeshin. Aty për aty nuk e kuptuam që ishte termet, por një sekondë më vonë pamë një vinç që u zhvendos gati 10 metra. Pas pak u dëgjua një zë në gjithë Tokion që urdhëronte të gjithë qytetarët të merrnin pozicion mbrojtës. Në çast të gjithë njerëzit pranë nesh u ulën gjunjazi. Ishte një ndjesi e tmerrshme. Pas tërmetit u bllokuan të gjitha mjetet publike dhe u detyruam të bënim gati 12 km në këmbë deri në hotel. Atë natë e kaluam bashkë me qindra persona në hollin e hotelit tonë, ishte vërtet e ankthshme të pushoje mbi divanet ndërsa toka akoma tundej. Për 2 ditë kemi jetuar me ankthin e tërmetit, cunamit dhe radioaktivitetit. Të dielën në mbrëmje pasi dëgjuam lajme gjithnjë e më dramatike, sidomos mbi rrezikun e radioaktiviteit në Tokio, përgatitëm me shpejtësi valixhet, morëm një taksi dhe nxituam për në aeroport. Ditën e mëpasshme u nisëm të mërzitur dhe plot me ankth. Më shumë se një nisje na dukej si një arratisje.
Si ishte gjendja kur ikët? Ishte vërtet gjithçka nën kontroll?
Gjendja ishte dramatike. Toka akoma tundej dhe kishte filluar të binte shi radioaktiv. Shumë njerëz filluan të iknin sa më shpejt të mundnin. Në të vërtetë kishte shumë rrëmujë dhe situata ishte jashtë kontrollit, askush nuk dinte çfarë të bënte me saktësi. Ndërsa ne i kishim idetë më se të qarta. Pasi ju lutëm Zotit, nuk kishim më dyshime: duhet të niseshim.
Irida Cami
Intervista e plotë është botuar në Bota Shqiptare 257, 15-30 prill 2011