in

Irma Kurti u rrëfen italianëve historinë e emigracionit të familjes shqiptare

“In assenza di parole” është libri i nëntë i Irma Kurtit i botuar së fundi në italisht

Sot ju prezantojmë “In assenza di parole”, kryeveprën e fundit letrare të Irma Kurtit”. Me këto fjalë Shtëpia Botuese Kimerik publikon lajmin e daljes nga shtypi të librit më të ri të poetes e shkrimtares. “In assenza di parole” (Në mungesë të fjalëve) është libri i nëntë në gjuhën italiane për autoren shqiptare pas disa përmbledhjeve me poezi, tregime etj.

Në faqet e romanit, Kurti përqendrohet në historinë e një familjeje shqiptare në emigracion, që përbëhet prej prindërve dhe tri vajzave.
Jeta për ta rrjedh e qetë dhe pa probleme derisa personazhi kryesor, Sotiri, pëson një iktus cerebral. Kjo është pika ku fillon të shpaloset jeta e gjithsecilit prej personazheve. Janë momente dhimbjeje e trishtimi përballë pamundësisë për të ndryshuar rrjedhën e fatit po njëkohësisht edhe çaste meditimi e reflektimi.
Përmes shfletimit të faqeve të një ditari zbulohet përsonazhi kryesor i lënë në hije nga vetë familjarët, Sotiri apo “njeriu që fliste me pemët”.
Nëpër faqet e librit zënë vend përshkrimet e çasteve të vështira që ka kaluar Shqipëria dhe historitë e kujtimet e turbullta të personazheve.

Irma Kurti “mbërrin” tek ky roman pas një eksperience të gjatë si krijuese. E njohur si autore e teksteve të suksesshme të këngëve në festivale apo koncerte në RTSH para viteve 90-të si dhe më pas, ajo në fillimet e saj letrare ka lëvruar me sukses poezinë. Ka botuar nëntë përmbledhje poetike.

“Ndihem komode me poezinë”- shprehet Irma Kurti, “ndoshta për faktin se kam filluar ta shkruaj që në moshë të vogël. Proza më pëlqen sepse më “lë” të gjithë hapësirën e duhur për t’u shprehur, nuk ka kufizime, por nuk mund ta fsheh që ndonjëherë i druhem kësaj gjinie. Kam shkruar romane në çastet më të vështira të jetës sime, atëhere kur vuajtja ishte aq e madhe saqë kapërcente çdo pasiguri tjetër. Jam e lumtur që tani ky libër do të flasë edhe në italisht”.

Për poezinë dhe prozën Irma Kurtit i janë akorduar 30 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Irma Kurti ka botuar 14 libra në gjuhën shqipe dhe nëntë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës: në italisht, anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht.

 

Flukset 2017. 17 mijë sezonalë për të mbledhur frutat e perimet Made in Italy

Quel colletto bianco rubato