Falë ndërhyrjes së menjëhershme të banjinos rumun e të disa personave të tjerë
Romë, 10 korrik 2012 – Një familje shqiptare, prindër, dy fëmijë e një i moshuar, i kanë shpëtuar mbytjes së sigurt në det falë ndërhyrjes së menjëhershme të banjinos në Marina Marza të Ispicas, provinca e Ragusas. Të pamësuar me rrymat detare, pesë familjarët kanë përfunduar shumë larg nga bregu dhe ndërhyrja e menjëhershme e Adrian Ion Sirbu, banjinoja rumun i plazhit, ka evituar tragjedinë.
Me të kuptuar situatën e rëndë janë futur në det edhe të tjerë, kolegë të rumunit, një karabinier, pronari i stabilimentit dhe një plazhist, që kanë arritur të nxjerrin në breg pesë pjesëtarët e familjes, tre prej të cilëve thuajse pa ndjenja.
Shumë frikë për të gjithë, por gjithçka ka përfunduar më së miri, e nuk ka qenë e nevojshme as që të thirrej ambulanca.