in

ISTAT: 2.100 shqiptarë janë kthyer në atdhe gjatë vitit 2013

Bie numri i ardhjeve e rritet ai i të huajve që largohen nga Italia. Në vitin 2013 ardhjet e shqiptarëve kanë rënë me 12,3%, kthimet në atdhe janë rritur me 23% krahasuar me një vit më parë

Romë, 26 qershor 2014 – Në Itali bie numri i lindjeve për të pestin vit rresht, duke shkaktuar kështu plakjen e mëtejshme të popullsisë; bien gjithashtu ardhjet e imigrantëve e shtohen ata që vendosin të kthehen në vendlindje, por megjithatë mbizotërojnë të parat që sjellin shtimin e popullsisë.

Janë këto të dhënat që jep sot ISTAT në raportin mbi “Treguesit demografikë”.

Më në hollësi, të lindurit gjatë vitit të shkuar janë rreth 514 mijë, shifër kjo që ka pësuar një rënie të ndjeshme po të mbahet parasysh që në vitin 2008 lindjet kanë qenë 577 mijë. Rreth 20% e tyre apo 105 mijë e kanë nënën të huaj, ndërsa 15% (rreth 80 mijë fëmijë) i kanë të dy prindërit të huaj.

Të ardhurit nga jashtë Italisë në vitin 2013, sipas ISTAT-it, janë 307 mijë. Nga këta, 279 janë imigrantë të rinj, 28 mijë janë italianë të kthyer në vendlindje. Shifrat e viteve të fundit tregojnë se qoftë hyrjet e imigrantëve të rinj, qoftë kthimet e italianëve – këto në shifra shumë më të vogla – kanë pësuar reduktim të vazhdueshëm: në vitin 2008 ardhjet e reja të të huajve ishin mbi 462 mijë, ndërsa ato të italianëve mbi 32 mijë.

Nga ana tjetër rritet nga viti në vit numri i atyre që largohen nga Italia, e në këtë aspekt numri i italianëve që largohen nga vendi i tyre është më i lartë se ai i të huajve që vendosin të kthehen në vendlindje. Gjatë vitit të shkuar kanë vendosur të lënë Italnë mbi 82 mijë italianë, dhe janë kthyer në atdhe rreth 44 mijë të huaj. Në vitin 2008 këto shifra ishin sa gjysma e atyre të vitit 2013: para gjashtë vjetëve largoheshin 39,5 mijë italianë dhe vetëm 22 mijë të huaj.

Në ardhje-kthimet nuk bëjnë përjashtim, qoftë për uljen e ardhjeve, qoftë për shtimin e largimeve, as shqiptarët. Edhe pse mbeten komuniteti i dytë i të huajve në Itali, përsa u përket ardhjeve gjatë vitit të shkuar shqiptarët e Italisë renditen të pestët me 12,3 mijë ardhje, ndërkohë që nga Rumania kanë hyrë rreth 50 mijë vetë, Maroku mbi 19 mijë, Kina rreth 18 mijë e Ukraina 12,5 mijë. ISTAT thotë gjithashtu se krahasuar me vitin 2012, ardhjet e shqiptarëve kanë pësuar një tkurrje prej 12,3%. Përsa u përket kthimeve në vendlindje shqiptarët renditen të dytët në shifra absolute. Pas rumunëve të Italisë, nga të cilët mbi 10 mijë janë kthyer në vendlindje (21% më shumë se një vit më parë), renditen shqiptarët me 2.100 kthime, me një rritje vjetore në përqindje më të lartë se të tjerët 23%.

Shkak i këtyre migrimeve është padyshim kriza e thellë që vuan Italia. Vështirë të rendisësh mes shkaqeve të këtyre valëve migratore edhe, siç pohon ndokush, që Shqipëria është kthyer në një vend “tërheqës” për ata që e kanë lënë vite më parë. Është padyshim më e zhvilluar dhe më e përparuar nga ç’ka qenë kur shqiptarët e lanë në masë, por akoma nuk është vendi ku të larguarit e të huajt të shkojnë sot po aq në masë. Po të ishte ashtu, nuk do të shpjegohej dot fakti që akoma sot e kësaj dite numri i atyre që largohen nga Shqipëria është disa herë më i lartë se ai i atyre që shkojnë atje, gjë që doli në dukje edhe nga të dhënat e fundit të Institutit shqiptar të Statistikave.

K.B./ Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

ANSA: “Pritë në Tiranë, vritet bankieri dhe botuesi i njohur”

“Sembra un orango”. Kyenge testimone nel processo a Calderoli