in

Istat: Italia rritet falë të huajve

Të dhënat e fundit Istat nxjerrin në pah që të huajt rezidentë në Itali përbëjnë tashmë 7,5% të popullsisë. Shqiptarët janë 491 mijë, komuniteti i dytë në Itali pas rumunëve

Romë, 25 janar 2011 – Instituti Kombëtar i Statistikave (Istat) paraqet “Treguesit demografikë 2010” iu referuar shifrave të regjistruara deri më një janar të këtij viti.

Sipas këtyre të dhënave më të fundit në Itali jetojnë 4 milionë e 563 mijë të huaj (328.000 më shumë se një vit më parë) dhe ata përbëjnë 7,5% të popullatës së përgjithshme të vendit.

Të dhënat mbi plakjen e popullatës ndjekin të njëjtën tendencë të viteve të kaluara dhe vihet në dukje se popullata rritet vetëm falë emigracionit. Për të katërtin vit rresht banorët me shtetësi italiane janë në rënie. Sipas të dhënave të fundit janë 56 milionë e 38 mijë, rreth 67 mijë vetë më pak se vitin e kaluar (-1,2 për mijë). Por njëkohësisht vihet re se çdo pesë fëmijë, një është i lindur nga nënë e huaj; praktikisht 78 mijë (18,8% e foshnjave). Një tjetër element që shton numrin e italianëve me banim në vend është ai i marrjes së shtetësisë nga të huajt; këtë vit janë 64 mijë italianët “e rinj”.

Komuniteti më i madh, ashtu si dhe një vit më parë mbetet ai rumun me rreth një milion persona me banim në Itali. Menjëherë më pas radhiten shqiptarët me 491 mijë vetë dhe marokenët e 457 mijë.

Për sa i përket shpërndarjes në territorin italian, në veri të vendit jetojnë 44,5% e popullatës italiane dhe 61,2% e të huajve. Është për t’u shënuar se ndër të huajt me banim në veri gati një e katërta (23,2%) jeton në Lombardi. Ndërsa në jug jetojnë 36,2% e popullatës italiane dhe 13,5% e të huajve.

E ndërsa mesatarisht prania e emigrantëve është pra 7,5% e popullatës, kapërcehet kuota prej 10% në Emilia-Romagna (11,3%), Umbria (11%), Lombardi (10,7%)dh e Veneto (10,2%). Më e ulët përqindja është në Sardegna (2,2%).

Shiko përmbledhjen e plotë ISTAT

Flukset: në mes të shkurtit shpërndarja e kuotave

BE: “Ju qëndrojmë pranë por duhet të ndaloni çdo dhunë”