in

Istituto Piepoli: Më 23 qershor fiton e majta me 49%. E djathta merr vetëm 40%

Janë dhënë më 8 maj rezultatet e sondazhit të parë të Institutit Piepoli mbi zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri. Sipas këtij anketimi PS është partia e parë me 40% të votave, ndërsa PD ndalet në 35%, shkak për këtë duhet të jetë fakti që 61% e shqiptarëve të intervistuar mendojnë se në Shqipëri jetohet keq ose shumë keq

Romë, 9 maj 2013 – Instituti Piepoli, lider italian në anketimet e studimet mbi opinionin e marketingun ka dhënë rezultatet e anketimit të parë mbi zgjedhjet e 23 qershorit, që është realizuar në fund të prillit nga anketimi i 1651 qytetarëve shqiptarë.

sipas institutit, fitues i zgjedhjeve në Shqipëri do të jetë koalicioni i majtë i kryesuar nga PS me 49% të votave. Ndërsa Koalicioni i PD-së do të arrijë në 40%.

Gjatë paraqitjes së rezultateve në kanalin televiziv Vision Plus, përfaqësuesi  i Institutit Piepoli, deklaron se janë shprehur se do të votojnë 85% e të anketuarve.  

Më në detaje, sipas rezultateve të anketimit, Partia Socialiste votohet nga 40% e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke u bërë kështu partia e parë në vend. Lëvizja Socialiste për Integrim, partia e dytë e koalicionit të majtë votohet nga 6% e zgjedhësve. Ndërsa të gjitha partitë më të vogla në aleancë parazgjedhore me PS-në së bashku marrin vetëm 3% të votave. Kështu, sipas Institutit Piepoli, koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” totalizon 49% të votave të shqiptarëve.

Nga krahu i djathtë shifrat e Institutit tregojnë se Partia Demokratike merr  35% të votave duke u renditur kështu si partia e dytë më e madhe në vend. Interesant në këtë sondazh për sa u përket partive aleate,  Partia Republikane merr 2% të votave, ndërsa të gjitha të tjerat së bashku  marrin 3% të votave. Në total rezulton se koalicioni i djathtë merr 40% të votave.

Relativisht të forta dy partitë e krijuara së fundi FRD dhe AKZ. Në sondazh  theksohet se secila prej tyre merr 5,5% të votave.

Rotacioni politik që vërehet në sondazh (gjithnjë nëse verifikohet me rezultatet zgjedhore) justifikohet nga fakti që 29% e të intervistuarve mendojnë se në Shqipëri jetohet shumë keq dhe 32% që jetohet keq. Vetëm 7% e të intervistuarve janë shumë të kënaqur me jetën e tyre në Shqipëri dhe 17% e konsiderojnë të kënaqshëm nivelin e jetës.

Sipas Institutit, marzhi i gabimit për partitë e mëdha është 3% dhe për partitë e vogla 1,5%. Është për t’u theksuar se këto janë rezultate sondazhi, dhe duhen konsideruar si të tilla: një gjë është t’u përgjigjesh pyetjeve  e tjetër gjë ajo që bën në kabinën e votimit.

 

Tragjedi në portin e Genovas. Shtatë të vdekur e persona të tjerë akoma në kërkim

The Voice of Italy. Sot Elhaida sërish në sfidë