in

Italia i ofron infrastrukturën e saj Shqipërisë për përfaqësim më të gjerë në botë

Nënshkruhet në Romë një marrëveshje dypalëshe për përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë

Më 9 dhe 10 janar 2011, Ministri shqiptar i punëve të jashtme Edmond Haxhinasto ishte për një vizitë zyrtare në Romë, me ftesë të homologut të tij italian Franco Frattini. Dy ministrat nënshkruan një marrëveshje dypalëshe mbi çështje të  përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë, por kanë diskutuar edhe për agjendën dypalëshe, për bashkëpunimin në fushën politike, ekonomike dhe për çështje të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ja ç’na tha mbi këtë takim ministri Haxhinasto në një intervistë të gjatë që do të gjeni të plotë në numrin e ardhshëm të Botës Shqiptare, në treg nga 16 janari 2011

Bota Shqiptare: Sapo keni nënshkruar një marrëveshje me ministrin italian Franco Frattini mbi përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në Botë? A mund të na tregoni më hollësisht për çfarë është fjala?

Ministri Edmond Haxhinasto: Marrëveshja ka qenë vetëm një aspekt i vizitës sime zyrtare. Ishte një marrëveshje për bashkëpunimin dhe përfaqësimin diplomatik dhe konsullor që konsiston në ofrimin nga pala italiane e infrastrukturave të ambasadave të tyre në vende të ndryshme të botës ku të mund të qëndrojnë edhe diplomatë shqiptarë në brendësi të këtyre ambasadave me qëllim që të përfaqësojnë republikën e Shqipërisë në ato vende ku ne nuk kemi përfaqësim diplomatik. Një marrëveshje e tillë është bërë edhe me Turqinë.

Për cilat vende ka lindur një nevojë e tillë?

Marrëveshja fillimisht bëhet në parim. Pastaj vendet e veçanta përcaktohen rast pas rasti. Me Turqinë për shembull kemi një marrëveshje për Azerbajxhanin ku do të përfaqësohemi me një diplomat të tonin në Ambasadën turke. Ndërsa përsa i përket marrëveshjes me Italinë po shqyrtojmë disa shtete si Libia, Etiopia dhe Australia ndoshta në të ardhmen.

Si ka lindur nevoja për një marrëveshje të tillë?

Këto janë marrëveshje të realizuara edhe nga shtete të tjera. Është një metodë bashkëpunimi në fushën diplomatike dhe konsullore. Sigurisht që Shqipëria, me resurset që disponon, e ka të pamundur të jetë e pranishme në të gjitha shtetet e botës duke pasur parasysh koston e lartë të përfaqësimit diplomatik. Mendojmë se këto forma e rrisin praninë tonë në shumë shtete të botës me një kosto minimale përfaqësimi.

Cilat kanë qenë temat që keni prekur me homologun tuaj përveç kësaj marrëveshjeje?

Mendoj se edhe pjesa tjetër e takimit me zotin Frattini ka qenë shumë e rëndësishme. Jemi përpjekur dhe kemi arritur të identifikojmë fusha konkrete të bashkëpunimit me qëllim që marrëdhëniet e mira që kemi, partneritetin strategjik mes dy vendeve tona ta konkretizojmë më tej në fusha me interes të përbashkët. Me ministrin Frattini folëm fillimisht për agjendën dypalëshe, për bashkëpunimin në shumë fusha. Si në politikë, në kuadrin e procesit të integrimit. Në ekonomi, kryesisht për energjinë,  infrastrukturën dhe bujqësinë. Por kemi folur edhe për bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit perëndimor ku Italia ka mbështetur procesin e integrimit të vendeve me njëri tjetrin por edhe të të gjithë rajonit me Bashkimin europian. Kemi folur gjithashtu edhe për bashkëpunim në kuadër të organizatave shumëpalëshe si kombet e bashkuara OSBE dhe të tjera. Me Italinë ne ndajmë të njëjtin qëndrim mbi kontributet në rritje që duhet të japë secili vend për çështje të sigurisë ndërkombëtare dhe Shqipëria është një kontribues i rëndësishëm edhe në përpjekjet e NATO-s në Afganistan për të ndërtuar një shtet demokratik e të qëndrueshëm edhe atje.

Bisedoi Keti Biçoku

90 ditë. 6 muaj. Mirëardhshi në shtëpi!

Videoja e skandalit Meta-Prifti