Janë 40 mijë qytetarët e rinj italianë të 2010, po aq edhe një vit më parë. Gjatë këtyre dy vjetëve të fundit, kanë qenë mbi 11.700 shqiptarë që janë bërë shtetas italianë.Dhe ndryshe nga vitet e mëparshme, ata që marrin shtetësinë për natyralizim janë disa herë më të shumtë në numër se ata që e marrin për martesë.
Janë 5.628 shqiptarët që gjatë vitit të shkuar janë betuar se do t’i qëndrojnë besnikë republikës italiane dhe do të respektojnë Kushtetutën e ligjet e këtij vend. E thonë të dhënat më të fundit të botuara nga ministria së Brendshme italiane.
Nga këto të dhëna bie në sy një ngritje e madhe e numrit të shtetësive të dhëna qytetarëve shqiptarë që kanë shkuar nga 831 që ishin në vitin 2003, në 2.605 në vitin 2007 dhe më pas në 6.101 në vitin 2009 dhe 5.628 në vitin 2010. Vetëm kjo e dhënë në vetvete flet qartë për kohën që shkon dhe ngulitjen e shqiptarëve në Itali.
Një tjetër e dhënë shumë interesante është ajo që ka të bëjë me raportin mes shtetësive të dhëna për martesë dhe atyre të dhëna për rezidencë. Për vite me radhë, deri në vitin 2007, ata që merrnin shtetësinë për martesë ishin disa herë më shumë se ata që e merrnin për rezidencë, për shembull në vitin 2003 nga 831 shtetësi të njohura shtetasve shqiptarë 751 ishin për martesë me shtetas italianë dhe vetëm 80 për rezidencë. Edhe pse shifrat janë shumë të ulëta, raporti është i pranueshëm pasi me një emigracion që ka nisur në vitin 1991, me dhjetë vjetët e nevojshme për të kërkuar shtetësinë dhe me zvarritjet e mëdha të përmbylljes së praktikave, ata që mund të merrnin shtetësinë për rezidencë në fillimet e viteve 2000 ishin vërtet vetëm pak fatlumë. Nga viti 2009 nuk ndodh më kështu. Është kaluar nga 1.869 për martesë dhe 736 për rezidencë shtetësi të dhëna shqiptarëve në vitin 2007; në 892 për martesë e dhe 5.209 për rezidencë në vitin 2009. Ndërsa për vitin 2010 këto shifra shkojnë në 1.166 për martesë dhe 4.282 për rezidencë.
Pra krahasuar me vitin 2009 është rritur disi numri e shtetësive të dhëna për martesë dhe është ulur (ndjeshëm, me rreth 1.000) ai i shtetësive të dhëna për rezidencë. Megjithëkëtë mund të themi që tendenca ka ndryshuar: gjithnjë e më shumë shqiptarët marrin shtetësinë italiane sepse jetojnë këtu prej më shumë se dhjetë vjetësh. Mund të shtohet që edhe prej personave që marrin shtetësinë për martesë, një pjesë e mirë përbëhet prej bashkëshorteve të shqiptarëve që kanë marrë shtetësinë më parë, dhe jo për çifte të mirëfillta italo-shqiptare. Tashmë me 20 vjet emigracion, janë gjithnjë e më të shumtë ata që plotësojnë jo vetëm kriterin e viteve të rezidencës por janë të integruar në shoqëri, me shtëpi, punë e shkollë për fëmijët, kanë të ardhura të qëndrueshme, ndaj edhe shtetësia është më e natyr shme e më e lehtë për t’u marrë. Përsa u përket të gjithë qytetarëve të rinj, siç quhen ndryshe të huajt që marrin shtetësinë italiane, sipas ministrisë së Brendshme, vetëm vitin e shkuar, Italia u shtua me 40.223 qytetarë të rinj. Në renditjen sipas vendlindjes, kryeson Maroku (6.952 persona), i ndjekur nga Shqipëria (5.628) dhe Rumania (2.929). Shifrat e shtetësive të dhënë, të botuara së fundi nga Ministria e Brendshme, janë në linjë me ato të dy vjetëve të shkuar. Në vitin 2008 kanë marrë shtetësinë 39.484 të huaj, ndërsa në vitin 2009 40.084 (+0,34% në një vit).
Në dy vjetët e fundit, edhe në numrin e përgjithshëm të shtetësive të njohura bie në sy fakti që numri i atyre që marrin shtetësinë për natyralizim ka kapërcyer numrin e atyre që marrin shtetësinë për martesë: për vitin 2010 21.630 kundrejt 18.593. Vetëm në vitin 2008 shtetësitë e njohura për martesë (24.950) ishin shumë më të larta se ato të dhëna për natyralizim (14.534). në këtë aspekt duhet thënë që një frenim të shtetësive për martesë e dha edhe paketa e sigurisë e vitit 2009 e cila ndryshoi nga 6 muaj në 2 vjet kohën e nevojshme të martesës para kërkimit të shtetësisë, normë që iu aplikua edhe praktikave të hapura që iu kthyen mbrapsht të interesuarve. Një element tjetër që bie në sy është dyfishimi brenda një viti të kërkesave të hedhura poshtë. Duke kaluar nga 859 të vitit 2009 në 1.634 të vitit 2010.
Edhe pse shifrat e shtetësisë mbeten shumë të ulëta po të mbahet parasysh që në Itali ka rreth 5 milionë të huaj, ato kanë pasur një hov në vitin 2006 (35.766 të dhëna gjatë atij viti, kundrejt 19.266 të vitit 2005) dhe kanë qenë gjithnjë në rritje deri më sot. E megjithatë njëkohësisht rritet edhe numri i kërkesave të paraqitura: çdo vit numri i kërkesave të paraqitura është më i lartë se numri i praktikave të mbyllura, me refuzim apo me dhënien e shtetësisë (bën përjashtim vetëm viti 2006, kur kërkesat e futura ishin 30.573 dhe ato të përmbyllura ishin 36.672).
Kjo ecuri e ngadaltë nuk bën tjetër veçse flet për faktin që tashmë askush nuk ëndërron të marrë shtetësinë brenda dy vjetëve nga paraqitja e praktikës, siç parashikon ligji, dhe që në fund të vitit 2010 praktikat e mbetura të hapura ishin 146.281.
Rruga drejt shtetësisë italiane mbetet sidoqoftë e vështirë e prej dy vjetësh është edhe më e kushtueshme.
Keti Biçoku, Bota Shqiptare 260, 1-15 qershor 2011
Lexo edhe: Nga Civis Romanus te Civis Italicus