in

Italianët në Shqipëri. Veliaj: “19 mijë me leje qëndrimi për punë”

“Fluksi i ardhjeve në të kundërt – shprehet Veliaj për agjencinë ANSA – dëshmon se klima po ndryshon dhe është tregues pozitiv i integrimit evropian të Shqipërisë”. 

Romë, 15 maj 2014 – Italianët janë gjithnjë e më të shumtë në Shqipëri. Jo vetëm për turizëm apo për numër sipërmarrjesh, por edhe si punonjës. “Janë 19 mijë me leje qëndrimi për punë”. Kështu pohon për agjencinë ANSA ministri i Mirëqenies sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, që sot ndodhet në Romë.

Për italianët e Shqipërisë, ministri Veliaj thotë se punojnë në call center, në restorante, në fushën e energjetikës dhe të infrastrukturave, në sektorin e modës, të shërbimeve dhe të telekomunikimeve. “Një fluks ardhjesh në të kundërt – shprehet Veliaj – që dëshmon se klima po ndryshon dhe që është tregues pozitiv i integrimit evropian të Shqipërisë”.

Ministri e quan Shqipërinë një “Amerikë të vogël” përtej Adriatikut, ku shumë shqiptarë kanë vendosur të kthehen pas shumë vitesh në emigracion e ku qytetarë të Bashkimit Evropian zgjedhin të shkojnë në kërkim të një vendi pune. “23 vjet pas rënies së diktaturës – thekson Veliaj – tranzicioni i gjatë i përjetuar nga shqipëria po jep më në fund frutet e tij”. E gjithnjë sipas ministrit, qeveria e Ramës ka përmirësuar treguesit ekonomikë e socialë të vendit.  “Përpiqemi të sjellim Evropën në Shqipëri dhe jo Shqipërinë në Evropë” bën batutë ministri që shton se “reformat nuk do të ndalen me vendimin e Brukselit për dhënien e statusit të vendit kandidat”.

Ndër ndryshimet ndoshta jo shumë “normale” për Shqipërinë, ministri përmend faktin se “nga qershori kontributet dhe çeqet familjare do t’u jepen grave dhe jo burrave”, masë që ka për qëllim përforcimin e pozitave të grave, e që u aprovua mes shumë polemikash.

Duke përfunduar intervistën me ANSA-n, ministri flet edhe për 500 mijë shqiptarët e Italisë: janë mbi 100 mijë të mitur, 12 mijë studentë, 28 mijë me “Partita IVA”. Veçanërisht për të ardhmen e këtij komuniteti të madh, lidhur “me sigurinë sociale dhe pensionet e tyre do të flas në takimin me ministrin Poletti” lajmëron Veliaj. Në një intervistë të gjerë dhënë për Shqiptariiitalise.com që do të gjeni on-line pas pak, ministri u përgjigjet pyetjeve mbi çështjet e nxehta të emigrantëve shqiptarë, nga thithja e të rinjve të shkolluar jashtë te pensionet, nga e drejta e votës të mësimi i gjuhës shqipe jashtë vendit.

Sot ministri do të mbajë një takim me komunitetin shqiptar në Romë, ndërsa nesër do të jetë në një konferencë të organizuar në universitetin e Firences e në një tjetër takim me shqiptarët në Pistoia.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Kosovarët që jetojnë jashtë mund të votojnë me postë

Romë. Kontrolle falas për Diabetin Mellit dhe Sindromën Metabolike