in

Jakup Krasniqi: “ Demokracia jonë dhjetëvjeçare”

kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi
“Në shekullin e Shqipërisë shtet janë arritur rezultate të mëdha”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në intervistën për ATSh-në me rastin e  festës së Vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Vitit të Ri 2012. 

Z. Kryetar Krasniqi, me rastin e Vitit të Ri 2012, të  jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, si i vlerësoni arritjet e shtetit shqiptar, të kombit shqiptar në përgjithësi gjatë shekullit, dhe në veçanti nga prizmi i Kosovës shtet i pavarur, tashmë katër vjet?

Nëse kemi parasysh se gati për një shekull të tërë bashkëjetuan dy realitete, i lirisë dhe i robërisë, sot 100 vjet më, pas kemi një ndryshim mjaft të madh në hapësirën kombëtare dhe në hapësirën evropiane. Në këtë rast ne po flasim për pjesën e robëruar, që  në qershorin e vitit ’99 arriti t’i çlirojë edhe 11 mijë kilometra katrorë, që u formalizuan më 17 shkurt 2008. Mendoj se në këtë 100-vjeçar në Shqipëri janë arritur rezultate të mëdha: zhdukja e analfabetizmit, kur kemi parasysh se gati 90% e popullsisë ishte analfabete, nuk kishim asnjë universitet, por vetëm një shkollë normale në Elbasan, themelimi i shumë universiteteve, unifikimi i gjuhës më 1972, si një hap i madh për mbarë hapësirën kombëtare etj. Gjithashtu edhe në hapësirat jashtë Shqipërisë së 1913-s, në Kosovë, dhe në Maqedoni u hapën shkolla dhe universitete. Shikuar në këtë rrafsh kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Populli shqiptar, në vitet e fundit, ka kaluar një tranzicion shoqëror. Përditë po krijohet një realitet i ri, në të cilin shqiptarët po i forcojnë vlerat e tyre kombëtare.

Si e vlerësoni dhe si e shihni të tashmen dhe të ardhmen e bashkëpunimeve të dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës?

Sot, realisht, mes Kosovës dhe Shqipërisë ka bashkëpunim. Sidomos gjatë këtyre 12 vjetëve, pas qershorit të vitit ’99. Konsideroj se shqiptarët duhet t’i forcojnë të gjitha përpjekjet për unifikim kombëtar, që janë privuar gjatë historisë. Në këtë drejtim ka ndikuar pozitivisht edhe ndërtimi i autostradës së kombit.

 Mendoj se këtyre përpjekjeve do të duhej t’u vinte në ndihmë edhe politika. Kjo do të ndikonte që në shumë fusha, si në  ekonomi, tregti etj., madje edhe në kulturë e në arsim, ku janë shënuar rezultate, të arrihen suksese.

Çfarë ishte për Kuvendin e Kosovës  2011, viti kur festoi 10-vjetorin e punës së pasluftës, në liri?

Realisht, ne jemi të vetëdijshëm që 10 vjet nuk janë ndonjë histori. Por, nëse kemi parasysh që ne para 10 viteve e kemi filluar një demokraci dhe ajo, po të shikohen seancat e para të saj, del që është një demokraci mjaft e ngulfatur.  Dallimet janë edhe në substancë, p.sh., në tre vitet e para të legjislaturës së parë dhe në tre vitet e legjislaturës së dytë janë miratuar 85, përkatësisht 79 ligje, kurse ne në këtë vit për 9 muaj kemi miratuar 65 ligje, gati sa janë miratuar gjatë tre viteve në legjislaturën e parë. Ose, në legjislaturën e tretë, që ishte e para e pavarësisë, ne kemi miratuar 205 ligje.

Cilat janë prioritetet e Kuvendit të Kosovës për vitin 2012?

Kemi dy prioritete kryesore: miratimi i sa më shumë ligjeve që e ngrenë silësinë e jetës së qytetarëve, dhe në anën tjetër ne e kemi detyrë tjetër mbikëqyrjen e qeverisë dhe institucioneve të pavarura. Realisht, në këtë segmentin e mbikëqyrjes kemi ngecje, por edhe gjatë këtij viti kemi pasur një ngritje pozitive, sidomos kanë punuar komisionet për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, që miratohen në Kuvend.

Çfarë zhvillimesh të rëndësishme pret Kosova në vitin 2012?

Në planin politik, sigurisht që kemi çështjen e bisedave që do zhvillohen për liberalizimin e vizave, dhe çështjen e  ecjes drejt integrimeve evropiane. Në planin e brendshëm, përqendrimi ynë duhet të jetë në investime të reja, në zhvillimin ekonomik, në zvogëlimin e numrit të njerëzve të papunë dhe në thellimin e reformave në sistemin e drejtësisë, në sistemin e arsimit dhe në shëndetësi. Këto vazhdojnë të mbesin prioritetet e institucioneve tona. Dhe, në aspektin kulturor, unë mendoj se 100 vjetori i Pavarësisë është ngjarja më e rëndësishme e vitit të ardhshëm. Shpallja e Pavarësisë është bërë për të gjithë shqiptarët dhe ajo duhet të mbetet festë e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, dhe kontributi i të gjithë shqiptarëve duhet vërtetë të shkojë në atë drejtim.

Kthehemi pak te veriu, atje është shfaqur agresiv pretendimi territorial, sipas shumë raporteve. Çfarë mund të sjellë Viti i Ri në veriun e Kosovës?

Ne kemi thënë vazhdimisht që veriu i Kosovës është një problem që është krijuar gjatë këtyre 12 viteve nga mosveprimi i institucioneve që kanë qenë përgjegjëse për të krijuar një mundësi integrimi edhe të qytetarëve të asaj pjese të Kosovës, dhe për të penguar strukturat shtetërore të Serbisë. Por, unë kam besim, pres që Brukseli si lehtësues në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, të bëjë presion pozitiv mbi Beogradin për t’i shpërbërë strukturat e veta paralele. Përndryshe, ne jemi të interesuar që atë problem ta zgjidhim me mjete paqësore, me rrugë të dialogut dhe të bashkëpunimit.

Në bashkëpunimin rajonal, si i vlerësoni raportet me fqinjët, sa ka bashkëpunim edhe Kuvendi i Kosovës?

Realisht ne kemi një bashkëpunim të mirë, përveç Serbisë. Grupe deputetësh kanë lëvizur edhe në drejtim të Malit të Zi edhe të Maqedonisë. Në vitin e ardhshëm do të kemi një komunikim edhe zyrtar mes dy parlamenteve tona, do ta kemi vizitën e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë në Kosovë.  Kështu që marrëdhëniet realisht me këto vende janë shumë të mira. Na mbeten thjesht problem marrëdhëniet me Serbinë, por ajo kryesisht varet nga pala serbe e cila realisht ndaj Kosovës ka pretendime territoriale. 

Cili është mesazhi juaj, dhe cilat janë pritjet, dëshirat tuaja për Vitin e Ri?

Natyrisht, gjëja e parë është që të gjithë shqiptarëve kudo që janë gëzuar Vitin e Ri 2012, Vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Realisht, vullneti dhe dëshira ime, dhe angazhimi im, është që në gjithë hapësirën shqiptare të ketë një zhvillim ekonomik, të ketë një zhvillim të demokracisë, të ketë zvogëlim të numrit të papunëve dhe të ketë ngritje të mirëqenies për çdo vit, për të gjithë qytetarët dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Një varg nga Ferri i Dantes për Katër i Radës

Rona Nishliu fiton Festivalin e 50-të të Këngës në RTSh