in

Jam martuar në Itali. Mund të kërkoj lejeqëndrim për motive familjare?

Kam hyrë si turiste në Itali dhe jam martuar këtu. Im shoq ka leje qëndrimi për punë, kurse unë asnjë lloj dokumenti. Mund të kërkoj një leje qëndrimi për motive familjare pa u kthyer në Shqipëri?

Leja e qëndrimit për motive familjare i lëshohet të huajit që ka një dokument qëndrimi çfarëdo akoma të vlefshëm ose të skaduar prej jo më shumë se një vit, që do të jetojë bashkarisht me një familjar me qëndrim të rregullt në Itali.

Sipas nenit 30 të dekretit legjislativ 286/98, mund të paraqitet kërkesë për konvertimin e lejes së qëndrimit që i interesuari ka në një lejeqëndrim për motive familjare, pa qenë e nevojshme që i huaji të kthehet më parë në vendlindje. Në rastin konkret, gruaja që ka ardhur si turiste e është martuar, edhe pse nuk ka lejeqëndrim në xhep, konsiderohet me qëndrim të rregullt në Itali për tre muaj, aq sa lejon ardhja për turizëm.

Mbajtësi i lejeqëndrimit për motive familjare ka të drejtën e shërbimit shëndetësor kombëtar, mund të regjistrohet në shkollë apo universitet e të kryejë çdo lloj pune, të varur apo autonome.

Familjari titullar i lejeqëndrimit të vlefshëm që merr në ngarkim kërkuesin e lejeqëndrimit për motive familjare, duhet të plotësojë të gjitha kriteret e parashikuara për bashkimin familjar, me pak fjalë të tregojë të ardhura të mjaftueshme nga burime të ligjshme dhe një strehim të përshtatshëm.

Përsa u përket të ardhurave duhet mbajtur parasysh se ato nuk duhet të jenë më të ulëta se çeku social i vitit në vijim i shtuar me gjysmë çeku për çdo familjar që merret përsipër. Për vitin 2014, shuma e çekut social është 5.818,93 €. Kështu që të ardhurat bruto të nevojshme për bashkim familjar janë:

  • Kërkuesi + 1 familjar: 8.728,40 €
  • Kërkuesi + 2 familjarë: 11.637,86 €
  • Kërkuesi + 3 familjarë: 14.547,33 €
  • Kërkuesi + 4 familjarë: 17.456,79 €
  • Kërkuesi + 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç: 11.637,86 €
  • Kërkuesi + 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe një familjar: 14.547,33 €.

Kërkesa për leje qëndrimi duhet t’i drejtohet kuesturës së qytetit ku jeton personi me qëndrim të rregullt në Itali përmes kompletit postar duke i bashkangjitur kërkesës të gjitha fotokopjet e parashikuara nga normativat në fuqi (janë të shënuara edhe në fletët shpjeguese të kompletit postar). Familjari do të marrë një leje qëndrimi me të njëjtën kohëzgjatje të dokumentit të familjarit me të cilin është kërkuar bashkimi familjar dhe është e përtëëritshme për të njëjtin motiv, nëse kriteret përmbushen akoma në çastin e përtëritjes.

Për më tepër, leja e qëndrimit për motive familjare mund të konvertohet në leje për punë (pa qenë e nevojshme të pritet një dekret fluksesh) apo në një për motive studimi.

Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Drogë nga Holanda e Shqipëria, shpartallohet banda e trafikantëve

Trafik kokaine në Italinë e veriut. Arrestohen 17 persona