in

“Jam shqiptar”, takim i ministrit Bushati me shqiptarët e Italisë

Do të zhvillohet në selinë e Società Geografica Italiana (Via della Navicella 12) në Romë, në datën 1 qershor 2016, ora 17:00 deri më 19:00, një takim mes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati e përfaqësues të diasporës së re e të vjetër në Itali

 

Romë, 26 maj 2016 – Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, gjatë një vizite dy ditore pranë Selisë së Shenjtë, do të mbajë në Romë një takim me komunitetin shqiptar. I quajtur “Jam Shqiptar”, i organizuar nga ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe nga Zyra IOM Tiranë, në kuadër të projektit të tyre të përbashkët mbi ‘Angazhimin e Diasporës Shqiptare në zhvillimin e vendit’, takimi do të zhvillohet në selinë e Società Geografica Italiana (Via della Navicella 12) në Romë, në datën 1 qershor 2016, ora 17:00 deri më 19:00.

Mësohet se ky është i pari i një cikli takimesh që ministri do të organizojë në disa vende me përqëndrim të madh shqiptarësh e që do të paraprijnë Samitin e parë të Diasporës që do të mbahet nëntorin e ardhshëm në Tiranë.

Burime nga ministria e Jashtme e Shqipërisë bëjnë të ditur se ky takim, ashtu si dhe të tjerët që do ta pasojnë, do të fokusohen në “rolin e Diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit dhe në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë”. Ato do të shërbejnë për njohjen me draft dokumentin politik që do t’i prezantohet shtetit shqiptar si strategji për përfshirjen e diasporës në zhvillimin e vendit. Veçantia e Italisë qëndron edhe në faktin se komuniteti shqiptar këtu përbëhet nga dy pjesë të rëndësishme ,“i riu” i këtyre 25 vjetëve të fundit dhe “i vjetri”, i arbëreshëve, që nga sa mësojmë do të jenë pjesë aktive e takimit.

Sipas burimeve të ministrisë, nga anë e ministrit do t’i bëhet thirrje diasporës të regjistrohet  vullnetarisht sipas ligjit të ri “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë” (më në fund do të shtonim, pasi kanë kaluar dy muaj nga ardhja e tij në fuqi dhe askush nuk ka menduar të lajmërojë për këtë detyrim ligjor që kanë emigrantët). Do të prezantohet gjithashtu projekti i “Konsullatës Dixhitale”, për të cilin u fol në fillim të vitit gjatë vizitës së ministrit në Konsullatën e përgjithshme të Milanos kur u inaugurua shërbimi i ri i lëshimit të certifikatave. Me “konsullatë dixhitale”, projekt që premtohet se do të hyjë në funksionim në mënyrë eksperimentale në përfaqësitë konsullore në Itali brenda vitit, emigrantëve do t’u ofrohet mundësia të përfitojnë përmes internetit disa shërbime konsullore.

E duke qenë se është fjala për takim, duhet që edhe pjesëmarrësit – takimi është i hapur për të gjithë por janë ftuar në veçanti përfaqësues shoqatash, personalitete arbëreshe dhe shqiptare në Itali – të kenë mundësi të thonë të vetën. Në takim kërkojmë “të tërhiqen mendimet dhe sugjerimet e Diasporës në përgatitjen e një dokumenti politik, mbi angazhimin e saj në zhvillimin e vendit, krahas të njëjtit proces që po merr jetë në institucionet shqiptare” thonë nga ministria e Jashtme. Si do të bëhet? Nga sa kemi mësuar, veç personave që do të mbajnë një fjalë e shkurtër të gjithë pjesëmarrësve do t’u jepet një pyetësor përmes të cilit do të mblidhen “inputet”. Do të ishte e udhës të kishte edhe një bashkëbisedim, mundësi pyetjesh nga salla, gjë që shihet si diçka e mundshme brenda hapësirës që lejon kohëzgjatja e takimit.

E çështje që do të donin t’i shtronin ministrit, shqiptarët e Italisë kanë, nga ajo e pensioneve te marrëdhënieve me përfaqësitë konsullore, nga gjuha shqipe për të lindurit e të rriturit në Itali te reintegrimi në Shqipëri i studentëve dhe i emigrantëve të kthyer për shkak të krizës.

Takimi është për t’u përshëndetur dhe urohet të jetë vërtet i tillë, takim, bashkëbisedim, shkëmbim mendimesh dhe idesh në të mirë të të dyja palëve, dhe jo thjesht shpalosje e politikave të qeverisë mbi emigracionin. Këtë do ta mësojmë më 1 qershor. Më pas do të mësojmë edhe nëse shkëmbimi i ideve është diçka sporadike apo do të ketë një vazhdimësi e ndonjë pasojë pozitive për Shqipërinë e komunitetin shqiptar në Itali.

Shqiptari i Italisë

Lexo edhe:
Premtimet e socialistëve dhe votat e emigrantëve
Në nëntor, Samiti i parë i Diasporës shqiptare në Tiranë

 

 

 

 

Taksa mbi lejet e qëndrimit, “Tani duhen dëmshpërblyer imigrantët”

Rimini. Petrit Nikolli vritet nga krushqit. Mbroi mbesën nga i shoqi i dhunshëm