in

Rimini. Petrit Nikolli vritet nga krushqit. Mbroi mbesën nga i shoqi i dhunshëm

Janë arrestuar menjëherë i shoqi i mbesës, Edmond Preçi, bashkë me të vëllanë Altin e të atin Lek. Petrit Nikolli ishte vetëm 42 vjeç e la të shoqen shtatzënë dhe me tre fëmijë të mitur

Petrit NikollaRomë, 27 maj 2016 – Zgjati vetëm 5 orë arratia vrasësit dhe e dy bijve-bashkautorë të vrasësit që të mërkurën në darkë në Viserbella të Riminit u bënë shkaktarë të vdekjes së 42vjeçarit Petrit Nikolli. Lek Preçi, 48 vjeç dhe dy djemtë e tij Altini dhe Edmondi, 26 dhe 25 vjeç u arrestuan natën në të gdhirë të të enjtes në apartamentin e tyre në Gorgonzola të Milanos.

Vrasja e Petrit Nikollit ka vetëm arsye familjare. “Faji” i tij ishte që mbrojti vajzën 20-vjeçare të vëllait të tij, Ambrën, nga i shoqi i dhunshëm, Edmond Preçi që e rrihte dhe e keqtrajtonte si skllave.

Mëngjesin e të mërkurës, Petriti bashkë me vëllanë e Ambrës, shkojnë në Gorgonzola dhe e marrin vajzën me vete në Rimini.

Edmondi bashkë me të vëllanë e të atin, nuk ia falin Petritit që futi hundët në punët e familjes së tyre, ndaj në mbrëmje i hipin makinës e shkojnë të marrin hak. 

Rreth orës 23 të të mërkurës mbërrijnë në restorantin Cavalieri Spiaggia, në rrugën Toscanelli ku punon vëllai i Ambrës. Në fillim i telefonojnë Ambrës  dhe i kërkojnë të kthehet në shtëpi të burrit me ta, me çdo kusht. Por kjo nuk pranon dhe i thotë të shoqit që nuk kthehet më në Gallarate sepse nuk duron më të trajtohet si skllave.

Vëllai i Ambrës kur sheh kunatin me dy të tjerët në derë të lokalit i telefonon dajë Petritit që pa u menduar gjatë nxiton në redstorant. Kur ky mbërrin aty nga makina zbresin Edmondi dhe i ati. Nis një grindje e shumë shpejt nga fjalët te duart e më pas te arma. Dëgjohet vetëm një e shtëne dhe shihet Petriti që bie në tokë para syte të nipit.

Tre burrat e familjes Preçi largohen me makinë, ndërsa në vendngjarje vijnë qoftë ambulanca qoftë forcat e ruajtjes së rendit. Për Petritin, i qëlluar nga shumë afër në anën e majtë të kraharorit, nuk arrijnë të bëjnë asgjë: provojnë gjatë ta risjellin në jetë por pa rezultat. Sipas dëshmitarëve, situata bëhet tejet e nderë dhe e dhimbshme kur në vendngjarje mbërrin edhe e shoqja e Petritit, shtatzënë me fëmijën e katërt, që e gjen të shoqin akoma përdhe.

Ndërkaq policia e karabinierët mbledhin dëshmitë e para. Më e rëndësishmja ajo e nipit që i njeh mirë vrasësit dhe di edhe ku jetojnë. Lajmërohet menjëherë policia e kufirit në Ankona, nga frika mos tre vrasësit marrin tragetin për në Durrës dhe policia e Milanos. Burrat e familjes Preçi kthehen në apartamentin e tyre në Gorgonzola, ku rreth orës pesë së mëngjesit të të enjtes policia i arreston të tre. Nuk bëjnë asnjë rezistencë dhe pranojnë menjëherë fajin. I ati thotë se armën e shkrehu ai. E bënë sepse nuk mund të duronin turpin që u bënë familjarët e nuses së shtëpisë. E pagoi Petrit Nikolli, baba i tre fëmijëve që priste të katërtin, njeri i mirë dhe i ndershëm.

 

 

 

 

“Jam shqiptar”, takim i ministrit Bushati me shqiptarët e Italisë

Grupi i valleve “Shqiponjat”, tradita të trashëguara