in

Janë shqiptarë 13% e të burgosurve të huaj në Itali

Janë rreth 2.600 shqiptarë në burgjet e Italisë, një e pesta e tyre në ato të Lombardisë

 

Komuniteti i dytë i të huajve në burgjet italiane është ai i shqiptarëve. Kjo shihet nga të dhënat ministrisë së Drejtësisë, që thonë se më 31 dhjetor 2017, në burgjet italiane mbahen 19.745 të huaj, dhe nga këta, 13,2% apo 2.598 persona janë shqiptarë.

Më të shumtë në numër, janë vetëm marokenët,  3.703 vetë apo 18,8%. Menjëherë pas shqiptarëve renditen rumunët me 2.588 të burgosur (13,1%) dhe tunizinët me 2.112 të burgosur e që përbëjnë 10,7% të të burgosurve të huaj. Nga shqiptarët, janë vetëm 28 gra që nuk përbënë as 1,1%, ndërsa për të gjithë të huajt përqindja e grave shkon në 4,6.

Nga të gjithë të burgosurit, italianë e të huaj, një pjesë e mirë akoma nuk e kanë marrë dënimin përfundimtar. E nëse për italianët rezulton që 31% janë në pritje të dënimit përfundimtar, për të huajt kjo vlerë është shumë më e lartë: janë në pritje të dënimit 40,9% të burgosur të huaj. E thënë në vlera absolute: nga 19.745 të burgosurit e huaj, 8.082 janë akoma në pritje të sentencës përfundimtare. Përsa u përket shqiptarëve, janë në pritje të dënimit përfundimtar 1.067 të burgosur (prej këtyre 17 gra) apo 41,1% e të gjithë shqiptarëve në burgje.
Kjo ndodh sepse të huajve u mohohen shpesh disa masa alternative të burgut për shkak të mungesës së një shtëpie të përshtatshme e për shkak se shpesh të huajt e burgosur janë me qëndrim të parregullt e as nuk e kanë një vendqëndrim të verifikueshëm.   

Të burgosur shqiptarë ka në të gjitha krahinat, por janë të përqëndruar në burgjet e Lombardisë (540 vetë), Toskanës (295), Emilia Romagnas (268), Lazios (255) dhe Piemontes (241), ku praktikisht qëndrojnë 61,5% e të gjithë shqiptarëve të burgosur.

Nga të dhënat historike të viteve 2007-2017, rezulton që numri i shqiptarëve në burgje, ka luhatur mes 2.235 (në vitin 2007) dhe 2.920 (vlerë e vitit 2012, kur është regjistruar më e larta). Në vitet 2014-2016 numri i tyre ka qenë thuajse i njëjtë (2.437 në 2014-tën, 2.423 në 2015-tën dhe 2.429 në 2016-tën) dhe ka pësuar një ngritje me mbi 150 vetë gjatë vitit të shkuar.
Në këta 11 vjetët e fundit, shqiptarët kanë përbërë gjithnjë nga 11,5% deri në 14% të të gjithë të burgosurve të huaj në burgje.

K.B./Shqiptari i Italisë

 

Itinerario albanese: dall’emigrazione in Italia all’integrazione europea

Flukset 2018. Nga sot nisen kërkesat për punonjësit josezonalë dhe konvertimet