in

Jeta e një shqiptari vlen vetëm gjashtë vjet burg

Vrau njerkun me sopatë në sy të karabinierëve, gjykata e Apelit i ul dënimin nga 8 vjet në 6 vjet e 8 muaj

Gjykata e Apelit vendosi uljen e dënimit për Nicolas Fini, i riu që në qershor të vitit 2009 vrau me sëpatë njerkun e tij, shqiptarin Emiljan Keci. Nga tetë vjet heqje lirie që i ishin dhënë fillimisht, tani ai do të vuajë vetëm 6 vjet e 8 muaj burgim. “Jeta e një shqiptari në Itali vlen vetëm kaq” komentoi avokati Mauro Cavalli që mbron interesat e të afërmve të viktimës.

Ngjarja ka ndodhur në Imola ku Nicolas Fini, në sy të karabinierëve arriti të vrasë me pesë goditje sëpate 29 vjeçarin shqiptar. Emiljan Keci, murator, jetonte prej disa kohësh me nënën e Nicolas e me sa duket ushtronte dhunë mbi të. Natën e 29 qershorit të vitit 2009, në kulmin e një sherri në shtëpi, vetë Nicolas Fini kishte thirrur karabinierët për të qetësuar shqiptarin, që me sa tregohet, ishte i dehur dhe vazhdonte të keqtrajtonte gruan dhe djalin e saj. Ndërsa karabinierët po mundoheshin të qetësonin gjendjen, Nicolas, në atë kohë 19 vjeç, kishte marrë një sëpatë dhe me të goditi shqiptarin, pa i lënë kohë karabinierëve ta shpëtonin.

Pikërisht ky është një prej detajeve që është përdorur edhe nga avokatët mbrojtës të vrasësit. Në një analizë psikiatrike që i është bërë Nicolas Finit, lexohet se “në vend që karabinierët të bllokonin menjëherë Emiliano Kecin, ata filluan të merrnin shënime mbi identitetin e personave që ndodheshin në shtëpi dhe se si kishin rrjedhur ngjarjet”. “Unë prisja që ta merrnin e ta largonin, ndërsa ata merrnin shënime” i ka thënë psikiatrit Nicolas Fini i cila ka përsëritur disa herë se “kishte pasur shumë frikë, një frikë e paprovuar ndonjëherë në jetën time”.

E ky është elementi që me sa duket ka shkaktuar furinë vrasëse të të riut. E po ky është detaji ku është kapur avokati mbrojtës i cili deklaron se “vendimi nuk është pa vend, por mban parasysh historinë dramatike të Nicolas, i cili ishte i detyruar të duronte dhunën që njerku ushtronte”.

Avokati Mauro Cavalli, që mbron të afërmit e viktimës, bën të ditur se do t’i nisë një letër ministrit të Drejtësisë Angelino Alfano në të cilën do t’i kërkojë një inspektim nga ministria për të shqyrtuar nëse janë respektuar të gjitha kushtet ligjore. Sipas tij një dënim prej 6 vjetësh e 8 muajsh burgim, nuk duhet të jepet për një vrasje të vullnetshme, një akt që me procedurë të shpejtuar mund t’i kushtonte të akuzuarit nga 13 deri në 16 vjet burg. “Edhe 8 vjetët që ishin dhënë nga gjykata e shkallës së parë, nuk ishin dukur të mjaftueshëm për të ndëshkuar një vrasje të vullnetshme” përfundon avokati Cavalli.

Por nga vendimi i datës 1 qershor 2010 del se Nicolas Finit i janë njohur disa rrethana lehtësuese të përgjithshme dhe një gjysmë mangësie mendore, e shkaktuar nga një stres i përkohshëm
Sentenca e fundit konfirmoi edhe dëmshpërblimin prej 200mijë eurosh në favor të të afërmve të viktimës, para, që sipas avokatit Mauro Cavalli, deri tani nuk janë dhënë.

Ditë e parë e aplikimeve për pasaporta pranë ambasadës në Romë

BE: “Italia nuk duhet të burgosë klandestinët pse nuk arrin t’i dëbojë”