Vogëlushi me probleme në zemër, i operuar më 3 korrik është nxjerrë nga spitali e do të mbahet për dy muaj në një qendër të shoqatës Patronesse. Për të u mblodhën brenda pak ditëve 29 mijë euro. Mjeku: “Tashmë është një fëmijë i shëndetshëm, mund të bëjë gjithçka bëjnë moshatarët e tij”
Romë, 15 korrik 2012 – Alketi, vogëlushi 15 muajsh i sjellë në Itali edhe falë solidaritetit e kontributit të shumë e shumë qytetarëve dhe disa ndërmarrjeve që iu përgjigjën apelit të shoqatës Patronesse, tashmë është në gjendje të mirë. I operuar më 3 korrik në Ankona, nga 14 korriku ka lënë spitalin për të qëndruar dy muaj të tjerë, gjatë të cilëve ka nevojë për terapi farmakologjike në një qendër të administruar nga shoqata. Këto lajme u dhanë në një konferencë të shkurtër shtypi nga Clementina Merlo, kryetare e shoqatës së Shërbimit polifunksional për Adoptimet ndërkombëtare (SPAI). Një tjetër lajm i mirë për vogëlushin jetim, edhe ai i adoptimit të tij të shpejtë në Itali. Vetëm pak ditë më parë ai është deklaruar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare “i braktisur”, pra i adoptueshëm.
Vogëlushi u soll në Itali më 26 qershor. U operua nga Marco Pozzi, shef i repartit të Kardiologjisë pediatrike të Spitalit Torrette të Anconës, që me vogëlushin në krah, të shtunën ka deklaruar: “Tani Alketi është fëmijë i shëndetshëm, ka përpara një jetë normale. Do të mund të bëjë gjithçka bëjnë bashkëmoshatarët e tij”. Për ta shëruar ekipi i profesor Pozzit e ka operuar për tre orë, dhe e ka mbajtur për 24 orë në terapinë intensive. Operacion relativisht i thjeshtë për një repart të përparuar si ai i Kardiologjisë pediatrike të Anconës, por që po të mos ishte bërë shpejt, Alketi rrezikonte të vdiste.
Paratë për kurimin e tij u mblodhën falë një fushate të nisur më 12 qershor nga shoqata Patronesse e sinjalizuar mbi rastin e Alketit nga SPAI, fushatë që Shqiptari i Italisë përkrahu e promovoi që ditën e parë. Brenda një kohe shumë të shkurtër shuma e mbledhur në favor të Alketit ka kapërcyer shifrën prej 20 mijë eurosh që kërkohej: “Kontributet e vogla prej 10, 20 apo 50 eurosh të qytetarëve anonimë të shumëfishuara me kalimin e ditëve dhe shumat më të majme të disa sipërmarrësve arritën shifrën 29 mijë euro – ka shpjeguar Milena Fiore, kryetare e shoqatës Patronesse. – Nga këto kanë tepruar 11 mijë euro. Llogarinë bankare për Alketin do të vazhdojmë të mbajmë hapur, në rast se ai do të ketë nevojë për kura të paparashikuara, në të kundërt ato para do të përdoren për raste të ngjashme me të vogëlushit”.
Shqiptari i Italisë