Kjo histori ka ndodhur të enjte-të premten e kësaj jave dhe i është treguar autorit të këtyre rreshtave në ResPublica nga 2 të rinjtë protagonistë. Me gjasa historia e tyre është ajo e mijëra emigrantëve që vijnë këto ditë vere dhe që shndërrohen në gjahun e preferuar të “bashkatdhetarëve” të tyre me uniformë, në rrugë apo pas sporteleve, policë kufitarë, policë rrugorë, zyrtarë lokalë, etj
Eltoni dhe Irida janë dy të rinj me banim familjar prej shumë vitesh në Bresci. Janë studentë të shkëlqyer (studiojnë për Drejtësi në Brescia), janë të fejuar dhe këtë verë u nisën drejt Shqipërisë me Volkswagenin e tyre privat me dy plane kryesore në kokë: e para, të kryenin një procedurë zyrtare celebrimi pranë Njësisë 9 në Tiranë dhe e dyta të kalonin disa ditë pushime në jugun shqiptar.
Tregon Irida: “Itinerari ynë me makinë ishte nga Italia, në kufirin slloven, më pas në Kroaci, në Bosnje-Hercegovinë, pastaj sërish një pjesë në Kroaci, më pas në Mal të Zi dhe së fundmi në… Muriqan për t’u futur në Shqipëri. Gjatë gjithë këtij itinerari kemi ndeshur vetëm në policë (kufitarë apo rrugorë) që kontrollonin dokumentet, përshëndesnin dhe vijonim udhëtimin. Vetëm në Muriqanin tonë “muzika ndërroi”. Doganieri shqiptar i pa dokumentet, njëherë, dy herë, tri herë, duke na thirrur në emër sikur njiheshim prej vitesh, pastaj u interesua për arsyen e udhëtimit. I thamë që do kryenim procedurën e celebrimit në Tiranë dhe do bënim disa ditë pushime në det. Na la dokumentet në dorë, e çoi buzën vesh më vesh dhe na tha copë: “Të trashëgohesh Elton, po nuk do më respektosh me një kafe?”. Na u duk si lypës, nxorëm 5 euro dhe ia zgjatëm. Futi në dokumente, – tha, – ndërkohë që dokumentet sapo na i kishte dorëzuar. Na u duk budallallëk, por bëmë si na tha. Ia dhamë dokumentet prapë me gjithë atë 5 euroshen brenda”.
Nuk mbaron këtu… Në rrugën Rrogozhinë-Lushnjë makina me targa të Brescias e dy të rinjve ndalohet nga një postbllok i policisë rrugore. Tregon Eltoni: “Ishin 9 ose 10 vetë bashkë, njëri mori dokumentet dhe më tha që kam tejkaluar shpejtësinë, duhej të më bllokohej patenta. I thashë të më tregonte kopjen e fletës së radarit që dëshmon targën dhe tejkalimin e shpejtësisë, ia dhanë të qeshurës. Më tha tekstualisht: “50 mijë lekë është gjoba dhe 10 mijë lekë kafja” nëse nuk doja që patentën të veja të tërhiqja të nesërmen “në Komision” në Lushnjë a Fier sipas tyre. U thashë që unë kisha ardhur për celebrimin dhe duhej të isha të nesërmen në mëngjes në Njësinë Bashkiake sipas afateve, nuk mundesha. Nxora 60 mijë lekë dhe ua dhashë. Pashë që polici i gjobës time, shënoi në një bllok (ku kishte edhe emra të tjerë poshtë njëri-tjetrit) frazën: “Elton – 60 mijë”. Të tjerët e shikonin të mbledhur gjysmërreth pranë tij. Prita për fletën e gjobës së paku, ishte e kotë. Më kthyen dokumentet dhe më buzëqeshën. Polici më tha: “Elton je yll bote. Të trashëgohesh, rrugë të mbarë”.
Të rinjtë kanë mbërritur në Tiranë, kanë takuar familjarët, janë rehatuar në shtëpitë e tyre, kanë bërë shaka qesh-e-qaj me ato që u kishin ndodhur dhe janë përqendruar te evenimenti i së nesërmes: procedura e celebrimit. Të nesërmen në mëngjes autori i këtyre radhëve ishte bashkë me ta dhe prindërit e vajzës (do bëja dëshmitarin e dhëndrit) në Njësinë nr 9 në Tiranë. Ka një procedurë kjo punë dhe duhet të jesh në një datë fikse të paracaktuar. Dhe Eltoni me Iridën kishin planifikuar gjithçka që nga Italia për të qenë korrekt në datë dhe orë . Ehh… Zyrtarja prapa xhamit buzëqesh dhe u thotë: “Ka ikur interneti, ka dy orë, nuk bëjmë dot asnjë veprim..” – Po kemi datën sot, nesër duhet të ikim, kemi prenotuar, nëse jo duhet të ribëjmë aplikimin, ne jetojmë jashtë, si i bëhet, a kryhet me dosje fizike etj, etj … – Buzëqeshja pas xhamit nuk ndryshon: Ja se mbase vjen interneti, pini një kafe aty jashtë… Interneti nuk erdhi, as në orën 12, as në 13 as në 14, as derisa u mbyll Gjendja Civile e Njësisë Nr. 9. Ishte ditë e premte, të nesërmen mbyllur, nuk bëhej më asgjë. Gjithçka duhet përsëritur, dhe dy të rinjve do t’u duhet të ribëjnë planet, datat, udhëtimet gjithçka.
Të shtunën nisen drejt jugut. Do t’u duhet sërish të udhëtojnë me Volksin e tyre me “targat joshëse prej emigranti”. E kanë tmerr rrugën derisa të arrijnë në plazh. Ndoshta do qetësohen disa ditë por mendjen do ta kenë tek rruga e kthimit kur me siguri do t’u duhet sërish të “takojnë” policët, rrugorët, doganierët, kufitarët. Me siguri do ndihen më mirë vetëm kur të munden të dalin nga Shqipëria. (A.N.)
ResPublica.al