in

Juncker në Tiranë: Progresi juaj mbresëlënës, por nuk jam këtu për premtime boshe

Fjalëve të kryeministrit Rama: “Rekomandimin e meritojmë, shpresojmë që vendet anëtarë do të përgjigjen pozitivisht. Detyrat e shtëpisë i kemi kryer deri në këtë pikë”, Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, për vizitë zyrtare në Tiranë, i përgjigjet: “Konstatoj që Shqipëria ka bërë shumë reforma mbresëlënëse, progresi është mbresëlënës, nëse vijon kështu, KE do të rekomandojë hapjen e negociatave, por nuk kam ardhur në Tiranë për të bërë premtime boshe”

Tiranë, 25 shkurt 2018 – “E besojmë dhe e meritojmë rekomandimin e plotë dhe të pastër nga KE dhe shpresojmë që edhe vendet anëtare do të përgjigjen pozitivisht dhe në unitet”, deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili mbërriti në vizitë zyrtare pasditen e së dielës në Tiranë, i shoqëruar edhe nga komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, të cilët kanë mbërritur pasditen e të dielës në në Tiranë.

Kjo vizitë, tha Rama, është përmbushja e një zotimi të vjetër, por të mbajtur në çastin më të mirë të mundshëm. Vjen pak kohë përpara momentit të vendimmarrjes për rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe pak pas publikimit të strategjisë së re të zgjerimit që përbën një bazë inkurajuese për të gjitha vendet e rajonit tonë.

“Ne u takuam në dhjetor në Bruksel dhe sot pata mundësinë dhe privilegjin ta informoj nga afër Presidentin për zhvillimet e reja, ecurinë e reformave dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar të jetë nga njëra anë në një proces intensiv përafrimi me BE përmes punës së përditshme në vendin tonë dhe nga ana tjetër një aktor konstruktiv për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e fqinjësisë së mirë për gjithë rajonin”, shtoi kryeministri.

”Shqipëria është e vendosur të vijojë, nga njëra anë, në një proces intensiv përafrimi me BE-në përmes punës së përditshme, dhe, nga ana tjetër, të jetë aktor konstruktiv për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në të gjithë rajonin” vazhdoi më tej Rama.

Duke kujtuar se KE ka rekomanduar që në nëntor 2016 çeljen e negociatave të anëtarësimit mes BE dhe Shqipërisë, Rama nënvizoi domosdoshëmrinë e çuarjes përpara të reformës në drejtësi dhe zbatimin konkretisht të procesit të vettingut.

“Në momentin e daljes së atij rekomandimi ne ende nuk kishim kaluar ligj për vetting-un gjë që tashmë ka ndodhur dhe nuk kishim nisur punën konkrete për vetting-un, gjë që po ndodh”, sqaroi kreu i qeverisë.

Rama tha se e informoi Juncker, se “sot që flasim ne numërojmë plot 17 prokurorë dhe gjykatës të niveleve të larta të gjyqësorit që janë tërhequr nga procesi i vetting-ut, që faktikisht nuk do të jenë më pjesë e sistemit gjyqësor një treg i qartë që vetting-u ka filluar të funksionojë si shtysë e fuqishme drejt realizimit të objektivave të një sistemi drejtësie të ri dhe të pavarur”.

Nga ana tjetër, vijoi kryeministri, e informova po ashtu presidentin Juncker se “presim në javët në vazhdim çeljen e çështjeve konkrete dhe rezultate konkrete nga ana e vetë komisoneve të vetting-ut”.

Gjithashtu, kryeministri Rama informoi se kanë nisur operacioni kombëtar kundër krimit të organizuar “Forca e ligjit”, reforma që lehtëson barrën e burokracisë mbi qytetarët  me efekt të drejtpërdrejtë në luftën kundër korrupsionit dhe një transformim  rrënjësor në marrëdhëniet e drejtësisë me qytetarët në radhë të parë përmes ndryshimit të prokurorit të përgjithshëm dhe çeljes së një sërë dosjesh që prej kohësh flinin në prokurori.

“Vendosmëria jonë mbetet e palëkundur sepse vetëdija jonë është se reformat e integrimit nuk janë të domosdoshme se na i kërkon Brukseli, nuk janë të detyrueshme se na i kërkon Brukseli, por janë të domosdoshme dhe të detyrueshme se i kërkon Shqipëria dhe është borxhi që i kemi gjeneratës tjetër. Ky është një proces unikal i pazëvendësueshëm për shtetbërjen dhe funksionimin e institucioneve demokratike në vendin  tonë. Për ne integrimi në BE nuk është një udhëtim për të shkuar gjetkë, por është një përpjekje për të ndërtuar Shqipërinë europiane këtu në vendin tonë”, u shpreh kryeministri Rama.

Juncker: Shqipëria vazhdon progresin në reforma

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat e afrojnë vendin me Bashkimin Europian.

“Bisedimet kanë nisur më parë. Kur erdha në vizitën e parë në Tiranë, kryeministri ishte kryebashkiak dhe dëgjova rezervat që shprehën të tjerët për të. Shqipëria dhe Ballkani janë vende miq, që janë perspektivë evropiane, pasi Shqipëria është një vend evropian, jemi ndarë nga historia, por nuk duhet humbur kaq shumë kohë për t’u ndarë. Bëhet fjalë për ta rishikuar historinë përmes pajtimit. Konstatoj që Shqipëria nuk pushon së akumuluari progres, ka bërë shumë reforma mbresëlënëse, progresi është mbresëlënës. Nëse vijon kështu, KE do të rekomandojë hapjen e negociatave. Nuk kam ardhur për të bërë premtime boshe, por vetëm mund të inkurajoj Shqipërinë që të vijojë reformat, sidomos në luftën kundër krimit, vetting-un, organizimin e gjykatave. Do të jemi përkrah Shqipërisë për ta ndihmuar të përgatisë anëtarësimin. Mbështesim Shqipërinë edhe në përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor. Rikonfirmoj, se vendi i Shqipërisë është në gjirin e BE” deklaroi ai.

Duke u ndalur procesi i Vetting-ut, presidenti i KE u shpreh: “Konstatoj se procesi po vazhdon duke dhënë rezultate mbresëlënëse. Ajo që do të donim dhe ne jemi të siguruar nga ato çfarë na tha Kryeministri, që ky proces do të vazhdojë edhe përtej muajit prill, kur komisioni do të botojë materialin për shtetet kandidate për anëtarësimin në BE. Mendoj se i takon drejtësisë shqiptare që të bëjë drejtësinë e saj, nuk më takon mua të them se kush është fajtor e kush jo”, theksoi Juncker.

Marrëveshja e re me Greqinë dhe qëndrimi i Presidentit Meta

I pyetur nga gazetarët lidhur me negociatat me Greqinë dhe qëndrimin e Presidentit Meta, Rama tha se “Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por ka kërkuar me të drejtën që i jep kushtetuta disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën e dërguar”.

”Sqarimet janë dhënë dhe janë në tryezën e Presidentit”, shtoi kryeministri ndërsa ftoi se “duhet ta shikojmë këtë proces me seriozitetin që meriton”.

“Kam besim se Presidenti do të bëjë detyrën dhe ne do të kemi kohën e nevojshme për të zgjidhur problemet e mbartura me Greqinë, të nënshkrimit të një marrëveshjeje të re që për ne do të jetë  i bazuar fund e krye te vendimi i Gjykatës sonë Kushtetuese. Nëse më pyesni a do të zgjidhet me sukses ky proces? Unë them po, do të zgjidhet. Do të jetë një tjetër arsye e fortë që BE të vlerësojë Shqipërinë si shtet serioz.

Juncker: Problemet me fqinjët të zgjidhen sa më shpejt

I pyetur nga gazetarët për çështjet e pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, presidenti Juncker theksoi se për t’u integruar në BE, ajo nuk duhet të ketë probleme me fqinjët.

“Jam i mendimit se problemet duhet të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi një dritare mundësish të hapura, duhet përdorur nga të dyja palët. Vendet e rajonit që kanë konflikte territoriale do të përpiqen t’i kalojnë dhe këto nuk mund të bëhen pas anëtarësimit, por përpara”, tha ai.

”Dua të inkurajoj Shqipërinë dhe Greqinë që të bien dakord, dhe ky është një element plus për të pranuar hapjen e negociatave kur të vijë momenti.

BE nuk i përket vetë anëtarëve që janë pjesë e saj. Dhe kur Shqipëria të ketë plotësuar të gjitha progreset që presim prej saj dhe që pret ajo nga vetvetja, anëtarësimi do të jetë diçka e kryer”.

Juncker: Nuk kemi thënë se Serbia dhe Mali i zi , do të jenë detyrimisht anëtare të BE në vitin 2025

Pyetjes se përse Shqipëria nuk ishte përfshirë në listën e përmendur nga ky komision për hapjen e negociatave në vitin 2025, Jancker theksoi se anëtarësimi i drejtohet të gjitha vendeve, pra mund të jetë ajo datë më shpejt ose më vonë, kushdo vend do t’i ketë plotësuar kriteret e anëtarësimit.

“Në të kundërt se çfarë thuhet kudo, ne vetë nuk kemi thënë se Serbia dhe Mali i zi , do të jenë detyrimisht  anëtare të BE në vitin 2025. Anëtarësimi i drejtohet të gjitha vendeve, pra mund të jetë ajo datë më shpejt ose më vonë, kushdo  vend do t’i ketë plotësuar kriteret e anëtarësimit. Ne do të veprojmë në mënyrë të tillë që përpjekjet e çdo vendi të njihen nga bashkimi. Nuk është momenti të thuhet dhe të shkruhet se Shqipëria do të trajtohet në mënyrë të keqe dhe  pafavorshme, ne duam t’i mbështesim përpjekjet e Shqipërisë”, theksoi Juncker.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn do të qëndrojnë në Shqipëri deri mesditën e së hënës për të zhvilluar me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar.
Juncker dhe Hahn do të vendosin theksin gjatë vizitës në Shqipëri te zbatimi i reformës në drejtësi në prag të rekomandimit të hapjes së negociatave, që pritet të mbërrijë në qershor.

 

Alla Sala Borsa di Bologna appuntamento con Vergine Giurata di Elvira Dones

Kam marrë shtetësinë italiane. A mund ta kërkojë edhe ime shoqe?