in

Kanë. G20 për masat evropiane antikrizë

Romë, 3 nëntor 2011 – Krerët e shteteve dhe të qeverive të 20 vendeve më të zhvilluara dhe vendeve me zhvillim të përshpejtuar sot dhe nesër do të zhvillojnë një samit në Kanë, ku do të njihen me masat evropiane të antikrizës dhe do të miratojnë plan-veprimin kundër thellimit të ekonomisë botërore.

Javën e kaluar liderët evropianë arritën marrëveshje për formim të fondit valutor evropian, me të cilën do të mund të parandalojnë krizat.
Megjithatë, dy ditë para këtij samiti, Greqia njoftoi se do të zhvillonte një referendum për pakon e dytë të ndihmës financiare për Athinën të miratuar në takimin e BE-së më 26 tetor. 

Pritet që në këtë samit Gjermania të bëjë thirrje për rregullim më të ashpër të sistemit bankar dhe rregulla më të ashpra në tregjet financiare. Berlini kërkon edhe vendosjen të tatimit mbi transaksionet financiare.
Në takimin në Kanë pritet që Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut t’i bëhet thirrje për të ndërmarrë një rol nxitës të ekonomisë botërore.

Praktikisht, temat kryesore të këtij Samiti janë referendumi i propozuar nga Papandreu, rreziku i thellimit të krizës në Itali dhe Spanjë si dhe masat që duhen marrë për t’i bërë ballë krizës së Eurozonës. Italia, të cilës i është kërkuar zbatimi i menjëhershëm i paketës së masave për stabilizimin e bilancit, mbetet një nga pikat kyçe të diskutimeve të këtyre dy ditëve.

Tridhjetë e tre delegacione nga vendet e G20-s dhe organizata ndërkombëtare, thënë ndryshe rreth 3 mijë persona, priten të marrin pjesë në samitin e Kanës, organizimi i të cilit është rreth 20 milionë euro. Vendet e G20-s paraqesin 85% të ekonomisë botërore dhe dy të tretat e popullsisë së globit.

Anëtaret e G20-s janë vendet e G7-s (Gjermania, Kanadaja, SHBA-ja, Franca, Italia, Japonia dhe Britania e Madhe) plus 12 shtete me zhvillim të përshpejtuar ekonomik (Afrika e Jugut, Arabia Saudite, Argjentina, Australia, Brazili, Kina, Koreja Jugore, India, Indonezia, Meksika, Rusia dhe Turqia). Anëtari i njëzetë është Bashkimi Evropian. Të ftuar në samit janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar si dhe Spanja dhe Holanda, pjesëmarrëse të rregullta në mbledhjet e G20-s.

 

A po e drejton Kina lojën e krizës së Euros?

Chiari. Në fillim e grabisin pastaj e qëllojnë me armë