in

Karabinieri qëllon e vret një shqiptar që nuk respektoi urdhrin Alt

Romë, 3 tetor 2011 – Ka përfunduar me vrasjen e një shqiptari, përndjekja nga karabinierët e disa keqbërësve, (që të katër shqiptarë sipas karabinierëve, edhe pse nuk bëhen të ditur emrat e tyre). Ngjarja ka ndodhur në mëngjes në Caivano, komunë në veri të Napolit, kur dy karabinierë në shërbim për kontrollimin e territorit për parandalimin e vjedhjeve të shtëpive dhe të makinave, kanë vërejtur katër persona me sjellje të dyshimtë në një Opel Passat.

Sipas karabinierëve, u kanë dhënë urdhër të ndalojnë për t’i identifikuar, por katër personat në vend që të respektojnë urdhrin, kanë braktisur makinën dhe ia kanë mbathur në këmbë. Tre kanë përfunduar në një rrugicë pa krye ndërsa i katërti është përpjekur të marrë arratinë fushave. Ky i fundit është kapur nga njëri prej karabinierëve që i ishte vënë pas, ndërsa tjetri që ndiqte tre të rrugicës ka hasur rezistencën e tyre. Gjithnjë sipas versionit të karabinierëve, një nga tre të ndjekurit e ka goditur me shufër hekuri në parakrahun e djathtë dhe kjo ka shkaktuar shkrehjen e pistoletës që karabinieri mbante në dorë, duke plagosur për vdekje njërin prej tre personave. Karabinieri ka arritur të arrestojë njërin prej dy të mbeturve ndërsa tjetri ka humbur gjurmët.

Nga kontrollet e bëra më pas, karabinierët kanë zbuluar që Passat ishte e vjedhur muajin e shkuar në Avellino, që në makinë kishte njëmijë euro, levë hekuri, maskë dhe doreza për të cilat të ndaluarit nuk dinin të jepnin shpjegime.

Nuk është herë e parë që ndjekja e disa shqiptarëve përfundon me vrasjen e njërit prej tyre. Në një rast shumë të ngjashëm me këtë të sotmin është vrarë më 9 maj 2009 edhe Olsi Ferracaku.

Humb jetën në aksident rrugor 20 vjeçari Taçi

Lind në Sulmona shoqata “Centro-qendra Abruzzo”