Dua të kërkoj lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë por bëj punë sezonale. Nuk e di nëse të ardhurat janë të mjaftueshme për këtë dokument. A mund të më thoni sa kërkohen?
Pavarësisht nga lloji i punës (e varur apo autonome), për të përmbushur kriterin e të ardhurave të nevojshme për lëshimin e lejeqëndrimit BE për qëndrues afatgjatë, atë që vazhdojmë të quajmë kartë qëndrimi, i interesuari duhet të ketë të ardhura vjetore jo më të ulëta se shuma e çekut social për vitin kur paraqet kërkesën. Kjo parashikohet nga neni 9, paragrafi 1 i dekretit legjislativ 286/98.
E për përmbushjen e kriterit të të ardhurat llogariten edhe ato që vijnë nga pensione të mundshme (ai i invaliditetit për shembull), ndaj duhen shënuar.
Në rast se kërkesa për kartën e qëndrimit bëhet edhe për familjarë bashkëjetues, të ardhurat e kërkuara rriten në përpjestim me numrin e fmiljarëve që deklarohen në ngarkim. Është e mundur që të shumohen e të llogariten së bashku të ardhurat e të gjithë familjarëve bashkëjetues e me qëndrim të rregullt në Itali. Llogaritja që duhet bërë është e njëjtë me atë për bashkimet familjare (në përgjithësi, gjysmë çeku social shtesë për çdo familjar). Nëse kërkohet karta e qëndrimit për vete e dy apo më shumë bij nën 14 vjeç, të ardhurat e kërkuara janë sa dyfishi i çekut social.
Për vitin 2015, shuma e çekut social është 5.830,76 €. Kjo do të thotë që nëse i interesuari e kërkon kartën e qëndrimit vetëm për vete duhet të tregojë se ka të ardhura vjetore bruto, që vijnë nga burime të ligjshme, të paktën sa kjo shumë. Në rast se kërkon kartën edhe për familjarë në ngarkim ja disa shembuj:
- Kërkuesi + 1 familjar: 8.746,14 €
- Kërkuesi + 2 familjarë: 11.661,52 €
- Kërkuesi + 3 familjarë: 14.576,9 €
- Kërkuesi + 4 familjarë: 17.492,28 €
- Kërkuesi + 2 apo më shumë bij të mitur nën 14 vjeç: 11.661,52
- Kërkuesi + 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 1 tjetër familjar: 14.576,90 €
- Kërkuesi + 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 2 familjarë të tjerë: € 17.492,28 €
Kërkesës për lëshimin e kartës së qëndrimit i duhet bashkangjitur edhe kopje e deklarimit të të ardhurave apo modeli CUD mbi të ardhurat e vitit pararendës, nga i cili të dalë në dukje se ishin jo më të ulëta se çeku social (sipas nenit 16, paragrafi 3, germa b e dekretit të Presidentit të Republikës 394/99).
Është mirë të kujtohet gjithashtu, se në çastin e paraqitjes së kërkesës për këtë dokument qëndrimi, kërkuesi duhet të kalojë edhe testin e gjuhës italiane apo të ketë në xhep një diplomë të gjuhës italiane të vlefshme për këtë qëllim; duhet të bashkangjisë edhe kopje të kartotekës gjyqësore e të çështjeve gjyqësore të hapura në ngarkim; në rast se kërkesa është edhe për familjarë të tjerë duhet të bashkangjisë edhe certifikatën e përshtatshmërisë së strehimit. Në çastin e paraqitjes së kërkesës për kartë, kërkuesi duhet të ketë në xhep një lejeqëndrim të paskaduar.
Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)