in

Karta e vlerave të qytetarisë dhe të integrimit

Me ardhjen në fuqi të Marrëveshjes së Integrimit nga 10 marsi 2012, të huajt që mbërrijnë në Itali dhe që do të nënshkruajnë marrëveshjen për marrjen e të ashtuquajturës leje qëndrimi me pikë, mes të tjerash deklarojnë edhe “të përkrahë Kartën e Vlerave të qytetarisë dhe të integrimit të shpallur me dekret të ministrit të Brendshëm më 23 prill 2007 dhe angazhohet të respektojë parimet e saj”.
Ja çfarë parashikon karta në fjalë.

Të drejtat e detyrat, puna, shëndeti, shkolla e mbi të gjitha laiciteti i shtetit dhe liria fetare, integrimi dhe bashkëjetesa shoqërore. Këto janë objektivat e “Kartës së Vlerave”, paraqitur më 23 prill 2007 në Romë nga Ministri i Brendshëm Amato dhe nga Carlo Cardia, kryetar i Komitetit shkencor të ngritur nga ministri për përpilimin e këtij dokumenti.

Karta e vlerave e qytetarisë dhe e integrimit, e kërkuar nga ministri Amato tashmë është gati. Pas gjashtë muajve punë gjatë të cilëve Komiteti shkencor takoi me dhjetëra komunitete fetare, organizatash përfaqësuese të të huajve dhe të grave emigrante në Itali. Qëllimi: përcaktimi i të drejtave dhe i detyrave të barabarta për të gjithë. Karta ka për busull Kushtetutën italiane të 1947-s dhe traktate ndërkombëtare mbi të drejtat e individit, pra nuk është një dokument i shkëputur nga parimet themelore mbi të cilat bazohen ligjet italiane. Karta nuk është tekst juridik, por një tërësi parimesh e vlerash që, në harmoni të plotë me Kushtetutën, u japin një pikë referimi të gjithë atyre që jetojnë në Itali. Por edhe një mënyrë për të bërë të njohura çështjet e imigracionit dhe të multikulturalizmit. “Karta është një fotografi e vlerave dhe e orientimeve tashmë të përhapura në kulturën tonë që e kanë burimin tek qytetërimi ynë” – shpjegoi në prezantimin e Kartës ministri Amato.

Në Kartë theksohet mbi të gjitha parimi që çdo i huaj duhet të gëzojë të gjitha të drejtat e parashikuara nga sistemi italian por njëkohësisht duhet të ketë edhe të gjitha detyrimet. Parimet themelore që përshkojnë Kartën janë: centraliteti i individit dhe i dinjitetit të tij si bazë e idesë së integrimit, barazia mes gjinive në çdo çast të jetës shoqërore dhe e drejta e lirisë fetare.

Dokumenti është i organizuar në shtatë kapituj. I pari dhe i fundit kanë të bëjnë me faktorë identitarë të shoqërisë italiane dhe impenjimin ndërkombëtar të Italisë. Të tjerët prekin me radhë barazinë e të drejtave dhe detyrave të shtetasve të rinj, të drejtat shoqërore si puna, shëndeti, shtëpia e shkolla, centralitetin e familjes si baza e shoqërisë, laicitetin e shtetit dhe lirinë fetare.

Barazia mes burrit dhe gruas fillon që me përcaktimin e familjes së bazuar mbi martesën me strukturë monogamike “në mënyrë që të kursehen gratë nga poshtërimi i poligamisë që, e nxjerrë jashtë ligji në shtete si Turqia e Tunizia, nuk duam të hedhë rrënjë në Itali e Evropë” nënvizon profesor Cardia. Në Kartë kujtohet gjithashtu që ligjet italiane ndalojnë çdo formë dhune brenda e jashtë familjes, si dhe martesat me detyrim apo mes të miturve.

Ndërsa laiciteti i shtetit dhe liria fetare trajtohet në aspekte të ndryshme: nga “Italia është vend laik që u njeh lirinë fetare çdo individi, italian apo të huaj” në “sistemi juridik italian dënon fyerjen ndaj besimeve fetare dhe ndjenjës fetare të individëve…, dënon çdo formë dhune në emër të fesë”, nga “Italia respekton të gjitha simbolet e shenjat fetare të të gjitha besimeve fetare” në “Italia nuk vë kufizime në veshjen e personave, mjaft që veshja të jetë zgjedhur me vullnet të lirë dhe të mos lëndojë dinjitetin e tyre. Por, nuk janë të pranueshme veshje që mbulojnë fytyrën sepse kjo gjë pamundëson njohjen e personit dhe e pengon atë të hyjë në marrëdhënie me të tjerët”. Për pikën e fundit Cardia ka shpjeguar që “nuk mund të pranohet që aty ku emancipimi i grave ka arritur rezultate të rëndësishme, gratë imigrante të përjashtohen: do të ishte padrejtësi që nuk mund ta lejojmë”.

Hapësirë e gjerë i dedikohet shkollës “një vend shumë i rëndësishëm për takimin dhe integrimin mes kulturave por edhe për formimin e personit, edukimin e tij me parimet e ligjshmërisë, për nxitjen e të drejtave dhe respektimin e dallimeve kulturore dhe fetare”.

Ndër vlerat e tjera themelore të renditura në Kartë edhe dënimi i antisemitizmit, i terrorizmit e i ksenofobisë dhe impenjimi i Italisë për heqjen e dënimit me vdekje në botë.

Në prezantimin e dokumentit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare. Dhe mbi çështjet e integrimit dhe të feve, ministri Amato ka uruar që “Karta të mund të ndihmojë në konsolidimin e Islamit italian, të favorizojë forma organizuese më pak të copëzuara se ato të tanishmet dhe të përgatisë rrugën për një marrëveshje mes shtetit italian dhe Islamit”.

Lexo dokumentin e plotë të “Kartës së vlerave të qytetarisë dhe të integrimit”

Napolitano: “Imigrantët të rëndësishëm për Italinë në kapërcimin e krizës”

Shtetësi për të gjithë bijtë e lindur në Itali