in

“Karta kultura” 500 €? Ligji i stabilitetit përjashton të rinjtë e huaj

 

Shteti do t’ua dhurojë të gjithë 18-vjeçarëve, por vetëm nëse janë “italianë apo qytetarë të BE-së”. Qeveria përjashton bijtë e imigrantëve

 

Romë, 16 dhjetor 2015 – Mbush 18 vjeç? Shteti të dhuron 500 euro për të blerë libra, për të shkuar në kinema, teatër, opera, për të vizituar një muze, me pak fjalë për të bërë diçka që të pasurosh kulturën tënde. Por nëse je i huaj, s’ka dhuratë, shteti nuk do t’ia dijë për kulturën tënde.

 

“Karta kultura për të rinjtë” e ofruar së fundi nga Qeveria lë jashtë të gjithë brezat e dytë.

 

Matteo Renzi e kishte paraqitur si “mirëseardhje në komunitetin e të rriturve” por mbi të gjitha si “një mënyrë me të cilën shteti të ndërgjegjëson të jesh protagonist e bashkë-trashëgimtar i pasurisë më të madhe kulturore të botës”. Por kur shkon e lexon amendamentin me të cilin qeveria e futi në ligjin e stabilitetit këtë risi, mëson se “mirëseardhja” nuk është për të gjithë.

 

Teksti i miratuar tashmë në Komisionin e Bilancit të Dhomës së Deputetëve e parashikon kartënelektronike prej 500 eurosh “të gjithë qytetarëve italianë e të vendeve anëtare të BE-së rezidentë në territorin italian, të cilët mbushin 18 vjeç gjatë vitit 2016”. Vajzat e djemtë jokomunitarë, përfshirë ata të rritur, e ndoshta edhe të lindur në Itali, nuk mund ta kenë.

 

Pse? “Pasuria më e madhe kulturore e botës” nuk kënaq edhe sytë, mendjet dhe zemrat e bijve të imigrantëve? Veç të tjerash, sipas ligjit, qeveria duhet të shtrijë një trajtim që rezervon për italianë e komunitarë të paktën edhe për jokomunitarët që kanë në xhep lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë, të ashtuquajturën kartë qëndrimi. Por nuk e bën.

 

Por sidoqoftë, ka akoma kohë për t’u korrigjuar. Ligji i stabilitetit do të jetë nesër në Dhomën e Deputetëve. Do të mjaftonte një amendament i shkurtër për të zhdukur këtë padrejtësi.

 

Elvio Pasca

 

Karta qëndrimi të tërhequra e lejeqëndrime të bllokuara, praktikat negative të kuesturave

“No, please, no…”, identifikimi i dhimbshëm i refugjatëve VIDEO