in

Kartat e qëndrimit që u tërhiqen të papunëve. Imigrantët në protestë

Të shtunën, në Bolonjë, tubim i Coordinamento Migranti kundër praktikave të padrejta të ndjekura nga Kuesturat. “Kemi ndihmuar në rritjen e Italisë, tani duan që të kthehemi në të parregullt”

Bolonjë, 4 nëntor 2015 – Tërheqja e kartave të qëndrimit migrantëve që kanë humbur punën, edhe pse gjykatat thonë se nuk mund të bëhet. Lejeqëndrim për pritje punësimi edhe atyre që një punë, edhe pse të paqëndrueshme (precario), gjithsesi e kanë. Dyer të mbyllura atyre që kërkojnë informacione.

Janë këto praktika pune të Kuesturës së Bolonjës por edhe e të tjera kuesturave në Emilia Romagna, kundër të cilave ngre zërin Coordinamento Migranti që të shtunën, më 7 nëntor, ka vendosur të bëjë një manifestim përpara Prefekturës. “Do të dalim në shesh për të bashkuar atë që politikat italiane e evropiane duan të ndajnë! – lexohet në apelin e organizatorëve – Kundër racizmit institucional e demokratik!”.

“Protestojmë kundër ngurtësisë me të cilën Kuesturat i përgjigjen krizës së punësimeve që ka goditur ashpër punonjësit e huaj” shpjegon për Stranieriinitalia.it Sene “Bass” Basir. “Persona që jetojnë këtu prej dhjetë vjetësh tani rrezikojnë të kthehen në imigrantë të parregullt, sepse nuk përmbushin kërkesat e rrepta të kërkuara nga Zyra e Imigracionit”.

Ndonjë shembull? “Nëse ke kontratë bashkëpunimi apo me kohëzgjatje të shkurtër nuk të përtërijnë lejen e qëndrimit për punë por të japin një për gjashtë muaj për pritje punësimi, pra si të ishe i papunë. Po pse, është faji i imigrantit që ndërmarrjet, veçanërisht në këtë periudhë, nuk lidhin kontrata më afatgjatë? Për më tepër, shpesh të detyrojnë të punosh në të zezë”.

Por ekziston edhe problemi i kartave të qëndrimit, pra i lejeqëndrimeve BE për qëndruesit afatgjatë që duhet të jenë të përhershme. “Kush shkon për t’i përditësuar, shpesh nuk përmbush më kriteret e të ardhurave dhe të kontributeve që përmbushte kur dokumenti iu lëshua për herë të parë. Në këto raste Kuestura lëshon një lejeqëndrim normal, e në rastin e keq edhe për pritje punësimi”.

Është e udhës të kujtohet që kjo praktikë u hodh poshtë nga gjykata administrative e Milanos, që theksoi se karta e qëndrimit mund t’u tërhiqet vetëm atyre që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Një sentencë shumë e rëndësishme, por që në Bolonjë, e kushedi në sa qytete të tjera italiane, Zyrat e Imigracionit të Kuesturave vazhdojnë të mos e marrin parasysh, e në këtë aspekt ka faj edhe ministria e Brendshme që nuk u jep udhëzime të qarta.

Coordinamento Migranti ngre zërin edhe për vështirësitë që hasen për të pasur informacione nga Kuestura dhe Prefektura: “Ia del vetëm kush paguan një avokat”. Ndërkohë, as që nuk flitet më rreth Tryezës së rrumbullakët që Krahina kishte premtuar të ngrinte me Prefekturat, Kuesturat dhe shoqatat e migrantëve për të diskutuar mbi këto probleme. Krahina dhe Prefektura kanë gjetur kohë vetëm për të folur rreth një protokolli mbi punën vullnetare dhe papagesë të refugjatëve.

“Emergjenca e refugjatëve po ndërlikon edhe më shumë situatën dhe rrezikon të vërë në hije problemet e atyre që për vite me radhë kanë ndihmuar për zhvillimin ekonomik të Italisë e tani mbeten të emargjinuar, rrezikojnë të futen në radhët e të parregulltve, me të vetmen perspektivë që një ditë do t’u duhet të largohen nga Italia. Po shkatërrojnë – përfundon Bass – gjithçka të mirë që ishte arritur. Të shtunën do të jemi në rrugë për të kërkuar një vizion të ri e më të gjerë për imigracionin e për Italinë”.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

Ndalohet në Londër Francesco Becchetti, pronari i Agon Channel

Flukset e sezonalëve: 13 mijë kuota, 30 mijë kërkesa, vetëm 2 mijë lejeqëndrime