in

Kater i Radës. Familjarët e viktimave kërkojnë kthimin në Vlorë të anijes

Për familjarët e viktimave, transformimi i anijes në vepër arti në Otranto, është i papranueshëm

Romë, 13 dhjetor 2011 – Familjarë dhe të afërm të viktimave të tragjedisë së “Kater i Radës” në kanalin e Otrantos kanë kërkuar me forcë sot kthimin e anijes në Shqipëri, duke kundërshtuar kthimin e reliktit në një monument në kujtim të të gjitha viktimave të detit në qytetin e Otrantos.

Në një konferencë për shtyp të ditës së sotme, familjarët e viktimave paralajmërojnë se do të ndërmarrin të gjitha veprimet demokratike për të ndaluar kthimin në monument të anijes në Otranto. “Ne e kundërshtojmë me forcë vendosjen e anijes në qytetin e Otrantos, ajo duhet të vijë këtu dhe të vendoset në Vlorë”, thotë Pushime Çala, kryetare e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Otrantos . Në emër të familjarëve të viktimave, Çala kërkon ndihmën dhe mbështetjen e shtetit për të sjellë anijen “Kater i Radës” në Vlorë dhe shndërrimin e saj në monument të dhimbjes dhe të kujtesës së shqiptarëve në Atdhe. “Një vrasje e shumëfishtë po ndodh me çështjen e anijes së Katerit të Radës. Ne kemi kërkuar që kjo anije e vdekjes të mos prishet, që të kujtojmë njerëzit tanë, dhe jo të bëhet biznes e të vendoset në qytetin e Otrantos. I kërkojmë shtetit të na mbrojë nga këta biznesmenë vrasës” deklaron ashpër Pushime Çala, kryetare e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Otrantos.

Ideja për vendosjen e anijes në qytetin e Otrantos, është hedhur që në korrik të këtij viti, kur me interesimin e Klodiana Çukës e të shoqatës së saj Integra Onlus, dhe me mbështetjen e kryebashkiakut të Otrantos u vendos që anija të mos shkatërrohej (fat që ajo do të kishte, pasi shteti shqiptar nuk u interesua asnjëherë për tërheqjen e reliktit të saj nga porti i Brindizit ku dergjej). Që në verë ishte hedhur ideja e kthimit të anijes në një vepër arti për të gjitha viktimat e detit.  Më pas, më 19 nëntor në kuadrin e aktiviteteve “Mbërritje dhe mbytje. Të tregosh eksodin”, në një konferencë shtypi u prezantua edhe projekti “Mbërritja. Vepra për Humanitetin migrues” për kthimin në vepër arti të anijes. Në këtë konferencë ishin të pranishëm Luciano Cariddi, kryebashkiak i Otrantos, Silvia Godelli, nga Krahina Puglia, Bruno Ciccarese, nga Provinca e Lecces, Luigi de Luca, Instituti i Kulturave mesdhetare, Luigi Ratclif, Bienalja e Artistëve të Rinj nga Europa e Mesdheu dhe skulptori Costas Varotsos, thuajse të gjithë ata që po mundësojnë transformimin e anijes në vepër arti në Otranto.

Lidhur me këtë projekt, këto ditë në Otranto po zhvillohet një workshop ndërkombëtar i artit bashkëkohor për transformimin e anijes në vepër arti kushtuar Humanitetit migrues dhe të gjitha viktimave të detit gjatë migracioneve. Projekti koordinohet nga skulptori grek Costas Varatsos, që do të bashkëpunojë me tetë artistë të rinj pjesëmarrës. Ndër këta edhe shqiptarët Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj që mbi temën e emigracionit dhe të zbarkimeve kanë mbështetur shumë prej veprave të tyre.

Workshop-i do të zgjasë deri më 20 dhjetor, për t’u mbyllur me një ekspozitë që do të përfshijë hapësira publike dhe private të Otrantos dhe që do të ketë për qëllim sensibilizimin e qytetarëve e të turistëve rreth temës së migracioneve, temë kjo gjithnjë aktuale në Salento. (K.B.)

Shqiptarët, një ushtri për Garibaldin

Il sociologo senegalese: “Killer armato dal razzismo quotidiano”