in

Katër i Radës. Përurohet monumenti i artistit grek Varotsos

Historia e reliktit që u harrua, u shpëtua, u copëtua dhe po kthehet në monument. Këtej dhe përtej detit

L’Approdo. Opera per l’Umanità Migrante
Përurohet në Otranto monumenti “Mbërritja. Vepra për Humanitetin migrues”. Komuna e Otrantos dhe Instituti i Kulturave Mesdhetare të Provincës së Lecces paraqesin në orën 12 të të dielës (29 janar)  monumentin që artisti Varotsos ka realizuar me pjesën e sipërme të Katër i Radës.

Qëllimi i provomuesve të kësaj iniciative është kthimi i reliktit të Katër i Radës në një monument kushtuar të gjithë atyre që lanë jetën në det në kërkim të ‘tokës së premtuar’.

Përurimi i monumentit “Mbërritja – Vepra për Humanitetin migrues” do të paraprihet nga një konferencë shtypi që do të mbahet në kështjellën Aragonese të Otrantos në orën 10.30. Do të flasin Luciano Cariddi, kryetar i Komunës së Otrantos, Nicola Fratoianni, këshilltari për politikat e Rinnisë së Provincës së Lecces, Luigi De Luca, president i Institutit të Kulturave Mesdhetare të Provincës së Lecces, Luigi Ratclif, President i Biennale-s së Artistëve të Rinj të Europës dhe Mesdheut dhe  Alessandra Paradisi, sekretare e përgjithshme COPEAM.

Relikti i Katër i Radës, që u la në harresë nga institucionet shqiptare, i shpëtoi shkatërrimit falë ndërhyrjes së shoqatës Integra Onlus të drejtuar nga Klodiana Çuka, dhe mbështetjes së Komunës së Otrantos, të provincës së Lecces dhe enteve të tjera vendore.

Në këtë aspekt, nuk mund të lihen pa përmendur përpjekjet për sensibilizimin e opinionit publik mbi reliktin të shoqatës së familjarëve të viktimave, kërkesat e të cilëve për kthimin e tij në Vlorë ranë gjithnjë në vesh të shurdhët, të Observatorit mbi Ballkanin të Brindisit, të Giuseppe Chimissos që në emër të shoqatës Skanderbeg të Bolonjës i bëri edhe apel guvernatorit të Puljes Nicky Vendola, të gazetarit Alessandro Leogrande, që mbi tragjedinë shkroi edhe një libër (Il naufraggio – Morte nel Mediterraneo) e që me një artikull të tij shtyu parlamentaren Teresa Bellanova (PD) t’i kërkonte qeverisë italiane – me një seancë dëgjimore në parlament – “të konkordonte me shtetin shqiptar, kostot dhe mënyrat e dorëzimit të reliktit në respekt të të gjitha viktimave që kanë humbur jetën në Kanalin e Otrantos, dhe të të afërmve të tyre”. Që të gjitha këto iniciativa janë ndjekur e promovuar në vite qoftë nga gazeta Bota Shqiptare qoftë nga shqiptariiitalisë.com.

E së fundi, nëse në Shqipëri do të shkojë të paktën diçka nga Katër i Radës, kthim që askush nuk e kishte parashikuar deri përpara pak javësh, merita është e artistëve Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj. Dy të rinjtë vlonjatë, prej vitesh në Bolzano, kërkuan dhe arritën të sigurojnë një kthim simbolik qoftë edhe të një copëze të anijes, duke realizuar një ide që e kishin shprehur prej disa muajsh, përpara se të fillonte realizimi i veprës së artistit grek Varotsos. Ia arritën këtij synimi gjatë workshop-it të organizuar në Otranto me tetë artistë të rinj (mes të cilëve edhe dy shqiptarët) për t’i dhënë jetë një sërë veprash të tjera artistike si kontorno të asaj të artistit Costas Varotsos, dhe që do të ketë për qëllim sensibilizimin e qytetarëve e të turistëve rreth temës së migracioneve.

Falë tyre, busulla dhe feneri i Katër i Radës do të çohen në Vlorë, ku Ngucaj e Beqiraj do t’i kthejnë në monument të përhershëm në sheshin përballë portit. Ndërsa në Otranto, nga fundi i dhjetorit, me titullin e huazuar nga Ferri i Dantes, ‘Infin che ‘l mar fu sovra noi richiuso’ (Derisa deti përmbi ne u mbyll), Ngucaj e Beqiraj kanë paraqitur një  instilacion të përbërë nga disa panele me fotot e viktimave të 28 marsit 1997.

Keti Biçoku

 

Le seconde generazioni raccontano l’Italia del 2021

Lin Delija e Ibrahim Kodra ‘kthehen’ në atdhe për 100-vjetorin