in

Katër vjet e tetë muaj burg për Liljana Kondakçiun

Këngëtarja e arrestuar në Selanik më 3 prill të vitit 2010, që sot ndodhet e mbyllur në burgun e Cosenza-s, duhet të vuajë gjithsej katër vjet e tetë muaj heqje lirie për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Prokurori Vincenzo Luberto kishte kërkuar që Liljana Kondakçi të dënohej me tetë vjet burgim

Në ditët e fundit të shkurtit u zhvillua në Catanzaro gjyqi kundër Liljana Kondakçiut, këngëtarja e njohur shqiptare e akuzuar si anëtare e një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Gjykatësja Assunta Maiore e dënoi atë me një vit e dhjetë muaj shtesë heqje lirie, përveç dy vjetëve e dhjetë muajve të dhëna më parë nga gjykatat e Castrovillarit. Pra këngëtarja, e cila ndodhet e mbyllur në burgun e Cosenzës, duhet të vuajë gjithsej katër vjet e tetë muaj heqje lirie për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Prokurori Vincenzo Luberto kishte kërkuar që Liljana Kondakçi të dënohej me tetë vjet burgim.

Këngëtarja shqiptare ishte arrestuar në Selanik më 3 prill të vitit 2010, me një urdhër arresti italian. Organet e drejtësisë italiane, të cilat e kishin dënuar dhe më parë Liljana Kondakçiun, e konsideronin si anëtare e një organizate kriminale e trafikut ndërkombëtar të drogës. Ajo ishte arrestuar fillimisht në maj të vitit 2006, në stacionin hekurudhor Sibari të provincës së Cosenza-s me tre kilogram kokainë në çantë. Asokohe ajo pati deklaruar se pakoja me drogë ishte dhuratë nga dikush dhe ajo nuk ishte në dijeni për përmbajtjen e saj. Megjithatë u mbajt në burg e më pas në kushtet e arrestit të shtëpisë pranë një institut murgeshash. Duke përfituar nga arresti i shtëpisë, këngëtarja ishte larguar duke arritur të fshihet në  Greqi.

Në fund të muajit tetor të vitit 2008 Guardia di Finanza gjatë një operacioni të zgjeruar antidrogë me emrin “Shkodra” arriti të sekuestronte gati 500 kilogramë lëndë të ndryshme narkotike në krahinën e Kalabrisë. Gjatë operacionit u arrestuan 20 persona, mes tyre edhe shqiptarë. Sipas të dhënave të atëhershme, pjesë e trafikut të drogës për të cilët ishin bërë arrestimet ishte edhe këngëtarja shqiptare Liljana Kondakçi, e njohur mes pjesëtarëve të grupit si “mamaja” apo “këngëtarja”. Asokohe u tha gjithashtu se këngëtarja shqiptare ka përdorur popullaritetin e saj për t’u shpëtuar kontrolleve të policisë në Shqipëri e për të transportuar lirisht drogën. Kështu, vjen vendimi i ri i gjykatës: tjetër urdhër për arrestimin e këngëtares me akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, urdhër i cili mbeti i pazbatuar deri më 3 prill 2010, deri sa Liljana Kondakçi u kap në Selanik.

Shqiptari lëndohet rëndë në vendin e punës

Anilda Ibrahimi tregon “E kuqe si nuse” në Parma