in

Kënga ime, fituesja e festivalit të 49-të të Këngës në RTSh

Këngëtarja Aurela Gaçe është fituesja e çmimit të parë në edicionit të 49-të të Festivalit të Këngës në RTSH, kënga e së cilës do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin e këngës “Eurovizion”. Renditet e dyta kënga “Ende ka shpresë”, e kënduar nga Alban Skënderaj dhe Miriam Cani

Tiranë, 26 dhjetor 2010 – Rreth orës dy e gjysmë pas mesnate, mbyllet nata e fundit e festivalit të këngës në RTSh. Këngëtarja Aurela Gaçe është fituesja e këtij edicioni, që tashmë do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin e këngës “Eurovizion”. Kënga e saj titullohet “Kënga ime”, me tekst nga Sokol Marsi, ndërsa kompozimi dhe orkestrimi është realizuar nga Shpëtim Saraçi. Gaçe pas tërheqjes së çmimit u shpreh se edhe pse kishte hequr dorë nga festivalet, falënderon kompozitorin Saraçi që i ofroi këngën dhe i dha këtë mundësi. Aurela Gaçe është këngëtarja e 8-të që shkon në Festivalin e Këngës “Eurovizion” pas Anjeza Shahinit, Ledina Çelos, Luis Ejllit, Frederik Ndocit, Olta Bokës, Kejsi Tolës dhe Juliana Pashës.

Çmimin e dytë të festivalit e mori dueti i Alban Skënderaj dhe Miriam Camit me këngën “Ende ka shpresë” shkruar dhe kompozuar nga vetë ata. Ndërsa çmimi i tretë i festivalit i shkoi këngëtarit Saimir Braho me këngën “Shtegtar i jetës sime”, tekstin e së cilës e ka shkruar vetë ai, ndërkohë që kënga është kompozuar nga Endri Sina.

Në mbrëmjen e djeshme të Festivalit të Këngës në RTSH konkuruan 18 këngë dhe interpretuan këngëtarë si Françesk Radi me “Kemi dasëm’o”, Dorian Nini me “Mirësevini në Shqipëri”, Marsida Saraçi me “Vetëm s’jemi në botë”, Dorina Garuci “Mirëmbrëma ëngjëlli im”, Kamela Islamaj me “Jetova për ty”, Selami Kolonja me “Ëndërr Kosovare” etj.

Në natën e parë dhe të dytë të festivalit u prezantuan nga 19 këngë, 3 prej të cilave në çdo natë ishin nga kompeticioni i të rinjve, nga të cilët vetëm dy prej tyre shkuan në natën finale.

Ky edicion i 49-të u drejtuar nga këngëtarja Jonida Maliqi, këngëtari operistik Josif Gjipali dhe aktorja Mirela Naska. Drejtor artistik i festivali ishte kompozitori Edmond Zhulali, regjisor Bojken Lako, skenografia ishte realizuar nga Bashkim Zahaj pjesë e së cilës ishte edhe Orkestra Simfonike e RTSH-së, e cila shoqëronte këngëtarët që interpretuan live.

Dëgjo këngën fituese

Në Itali vijnë më pak emigrantë se vitet e shkuara

Shqiptarët në Europë për festat e fundvitit