Roosemont, Drejtor i Përgjithshëm i Emigracionit i Belgjikës shkon në Shkodër: “Kërkesat për azil do rrezikojnë heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë”
Romë, 18 tetor 2011 – Vetëm gjatë muajit të fundit janë dhënë një sërë sinjalesh mbi ecurinë jo të kënaqshme të lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Shengen falë liberalizimit të vizave.
I fundit vjen nga Belgjika ku sipas Freddy Roosemont, Drejtor i Përgjithshëm i Emigracionit, pas muajit gusht janë shtuar ndjeshëm kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë. Vetëm në muajt shtator –tetor, kërkesat kanë qenë 161, kryesisht nga shkodranë që si motiv japin gjakmarrjen e thuajse të gjitha janë hedhur poshtë duke u konsideruar krejtësisht të sajuara e të pavërteta. Ky fakt konsiderohet “alarmues” për Belgjikën aq sa drejtori i Emigracionit Roosemont, ka shkuar në Shkodër për të takuar autoritetet lokale. Përveçse ka paralajmëruar se kërkesat për azil do rrezikojnë heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë, zyrtari belg ka kërkuar ndihmën e autoriteteve shqiptare për ndalimin e kësaj dukurie. Sipas tij, personat që kërkojnë strehim në Belgjikë vijnë me dokumente, histori të rreme, certifikata të tërhequra nga pushteti vendor apo shoqata të pajtimit të gjakut, që nuk janë të vërteta.
“Informacionet e freskëta që mora nga Brukseli tregojnë se vetëm sot paradite janë paraqitur 50 azilkërkues shqiptarë. Erdha në Shkodër për një takim pune me autoritetet vendore të qarkut, sepse shumica janë nga qarku i Shkodres. – thotë në një konferencë shtypi pas takimeve me zyrtarë vendas, Roosemont – Në Belgjikë jemi të bindur se njerëzit që vijnë e kërkojnë azil politik në vendin tonë, janë viktima të informacioneve të rreme. Aktualisht çdo kërkesë azili në Belgjikë shqyrtohet në mënyrë të përshpejtuar dhe kur kërkesat marrin një vendim negativ, personat janë të detyruar të kthehen në Shqipëri, qoftë vullnetarisht por edhe kthim te detyruar”.
Problemi i shtimit të azilkërkuesve nga Ballkani, edhe shqiptarë, vuri në lëvizje më 20 shtator edhe komisarin evropian për çështjet e brendshme Cecilia Malmström – që u nisi një letër ministrave të Brendshëm të Shqipërisë, Bosnjës, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi me të cilën i bënte me dije se Gjermania, Belgjika, Suedia dhe Luksemburgu janë përballur me rritjen e numrit të kërkesave të azilit nga këto vende dhe u kërkonte ministrave të informojnë për masat praktike që do të marrin në këtë aspekt.
Kjo letër dhe forumi ministerial BE-Ballkan në Ohër të Maqedonisë më 3 dhe 4 tetor vuri në lëvizje autoritetet shqiptare për shqyrtimin e fenomenit. Në një intervistë të dhënë Deutsche Welle-s më 15 tetor, ministri i Brendshëm Nishani pranon problemin, por thotë se shifrat e azilkërkuesve shqiptarë mbeten shumë të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Edhe Nishanit i rezulton që shumica e azilkërkuesve nxjerrin si motiv gjakmarrjen, dhe sipas tij, fajin për këtë e kanë shoqatat e kryetarët e komunave. “Informacionet tona paraprake flasin për dhënie të dokumenteve ose vërtetimeve nga ana e shoqatave të ashtuquajtura se janë angazhuar në faljen e gjakut. Por dhe për shkak të familjaritetit dhe të akteve korruptive të disa kryetarëve të komunave, të cilët lëshojnë vërtetime të tilla për qytetarë që nuk kanë patur lidhje me problemin e gjakmarrjes, që e bëjnë këtë mbi bazën e rrushfetit. Ky varion nga 50 deri në 100 euro për vërtetime të tilla. Autoritetet ligjzbatuese po hetojnë me shumë kujdes sa i takon lëshimit të dokumentave të fallsifikuara” justifikohet Nishani në Deutsche Welle.