in

Këshilli Mbikëqyrës i BSh-së shkarkon Guvernatorin Ardian Fullani

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbledhur me urgjencë pasditen e sotme për situatën e krijuar në kupolën drejtuese të Bankës së Shqipërisë, veçanërisht pas arrestimeve të 24 orëve më parë, Këshilli Mbikëqyrës i saj ka vendosur t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit Ardian Fullani. Në bazë të ligjit, kalon në krye të Bankës së Shqipërisë zëvendësguvernatorja Elisabeta Gjoni.

Tiranë, 6 shtator 2014 – Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të propozojë shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe të propozojë zv.Guvernatoren Elizabeta Gjoni në postin më të lartë të bankës qendrore të vendit.

Vendimi u mor pas një mbledhjeje të gjatë katërorëshe të Këshillit Drejtues, që u mbodh pas arrestimit nga Prokuroria të Guvernatorit Fullani, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit, E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Inspektoren e Përgjithshme, Elivar Golemi, që gjithashtu u arrestua në një ditë me zotin Fullani. Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se dy zyrtarët e lartë të Bankës Qendrore, për shkak të mosveprimeve të tyre, kanë krijuar kushtet që të cenohet siguria e parave në administrim të BSH. Me arrestimin e kreut të BSH-së dhe inspektores Golemi, numri i të dyshuarve shkon në 19 persona.

Mbledhja urgjente është thirrur nga zv/guvernatorja Elisabeta Gjoni, e cila ka zënë vendin e Fullanit në krye të BSH, pasi Ligji i Bankës së Shqipërisë parashikon vënien e zv.guvernatorit në drejtimin e Bankës, kur Guvernatori mungon ose kur ka pamundësi për të vepruar.

Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, tashmë duhet të mblidhet Parlamenti për të miratuar shkarkimin e Guvernatorit Fullani dhe miratimin e drejtuesit të ri të Bankës së Shqipërisë.

Deklarata pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Mbikëqyrës:

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u njoh me ndalimin nga Policia e Shtetit të Guvernatorit, zotit  Ardian Fullani dhe të Inspektores së Përgjithshme të institucionit  zonjës Elivar Golemi. Deklarata e Prokurorisë që pasoi, bëri të njohur edhe akuzat që motivuan ndalimin e tyre.

Pas këtyre zhvillimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh dhe mori një informacion të detajuar rreth situatës. Në vijim, Këshilli Mbikëqyrës:

a) vendosi t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në bazë të nenit 47, pika 2, shkronja “c” të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”;

b) konstatoi se mungesa e Guvernatorit nuk krijon vakum institucional në drejtimin e institucionit, në kushtet kur përcaktimet ligjore dhe nënligjore mundësojnë kalimin e qartë të kompetencave të tij tek Zëvendësguvernatori i Parë;

c) shprehu mbështetjen e plotë për Zëvendësguvernatorin e Parë në marrjen e kompetencave për drejtimin ekzekutiv të bankës, dhe vlerësoi pozitivisht masat e marra prej saj për të siguruar vijimësinë normale të veprimtarisë operacionale të institucionit;

Këshilli Mbikëqyrës, siguron publikun dhe autoritetet e vendit që po ushtron funksionet e tij me përgjegjshmërinë më të lartë. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm me Kuvendin  e Shqipërisë dhe me organet e zbatimit të ligjit, në mënyrë transparente dhe profesionale, me dëshirën për të zbardhur ngjarjen dhe për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë e të gjithë personave të  marrë nën hetim. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se falë masave që janë marrë dhe do të merren për përmirësimin e funksionimit të Bankës së Shqipërisë dhe falë profesionalizimit të personelit të saj, ky institucion do të rikthehet për të qenë simbol i krenarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

“Stuhi mbi Bankën e Shqipërisë”. Arrestimi i Guvernatorit në mediat italiane

Shkarkimi i Fullanit. Deklarata e Këshillit Mbikëqyrës të BSh-së