Quhet Klarita Kodra, 30-vjeçarja nga Tirana, që është koreografja e kombëtares italiane të gjimnastikës ritmike italiane që vitet e fundit koleksionon medalje në të gjitha garat ku merr pjesë
Kombëtarja italiane e gjimnastikës ritmike vazhdon të koleksionojë medalje të arta. E fundit është ajo në Kampionatin Botëror që u mbyll në Moskë më 25 shtator. Përveç aftësive sportive dhe elegancës së atleteve, që me përkëdheli i thërrasin “futura e kaltra”, në këto fitore njëra pas tjetrës ka ndikuar dhe koreografia, pjesë e pandashme dhe themelore e ushtrimeve. Autorja është koreografja shqiptare Klarita Kodra.
Ajo ka lindur në Tiranë, me nënën shqiptare e babanë boshnjak nga Sarajeva. Në Tiranë, ka hedhur edhe hapat e parë në fushën e baletit: në moshën 11 vjeçare ka nisur shkollën e baletit, por vetëm për pak vjet. Kur ka mbushur 15 është transferuar në Rusi ku ka vazhduar studimet për balet. Është diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Baku për balet dhe koreografi klasike. Pas studimeve Klarita ka marrë pjesë në trupa të ndryshme baleti, në Baku, Torino, Verona, Tiranë. Madje në Teatrin kombëtar të Bosnjës, në Sarajevë si balerinë e parë, kur ishte vetëm 18 vjeçe.
Por ëndrra e saj shua papritur pas një problemi në gjurin e djathtë, gjë që e detyroi të lërë kërcimin, por jo baletin.
Prej vitit 2000 Klarita Kodra, ose Klara, siç e thërrasin të afërmit, jeton në Itali. Hapi një shkollë baleti, arti e teatri në Bergamo, një laborator i vërtetë në evolucion të vazhdueshëm, ku dhjetëra e dhjetëra fëmijë përfitojnë nga eksperienca e mbledhur në vite nga balerina shqiptare.
Vitin e kaluar ajo u bë koreografja e kombëtares italianë të gjimnastikës ritmike. E që atëherë skuadra ka fituar vetëm vende të para. Trajnerja e skuadrës, Emanuela Maccarini, shpjegoi se Italia po paraqet një gjimnastikë novatore, elegante dhe këmbëngulëse njëkohësisht. Sipas specialistëve tanimë shkolla italiane po bëhet një pikë referimi për gjimnastikën ritmike. Aq më shumë pas fitores së fundit. Një medalje ari në Moskë, “në gojën e ujkut”, në vendin që ka nxjerrë gjimnastet më të njohura e ku medaljet e arit kanë qenë të padiskutueshme deri përpara mbërritjes së “fluturave të kaltra” ose “fluturave të arta”, do të ishte më e saktë.
Bota Shqiptare: Si të ka lindur pasioni për baletin?
Klarita Kodra: Që në vogëli kam qenë e pasionuar pas muzikës klasike dhe baletit. Jetoja në Tiranë pranë shkollës së baletit në rrugën e Elbasanit, dhe me pak fjalë, nuk bëja tjetër veçse shkoja gjithnjë të “përgjoja” provat e balerinave. Në moshën 11-vjeçare fitova audicionin dhe u regjistrova në shkollën e baletit, në moshën 15-vjeçare u transferova në Rusi, fitova konkursin dhe u futa në akademinë kombëtare ruse të Baku-t për balet e koreografi klasike.
Kur mbusha 18 vjeç erdha në Itali ku kishin emigruar prindërit e mi në -97-tën. Punova në Torino si soliste në një kompani baleti klasik. Më pas u transferova në Sarajevë ku zura vendin si balerine e parë në teatrin e Operës dhe Baletit. Kam kërcyer edhe në kompani vallëzimi bashkëkohor në Gjermani. Ndërkaq kam alternuar periudhat e punës me ato të studimit dhe në Scala të Milanos.
Me një karrierë kaq të pasur e të shpejtë pse e le baletin, ç’të detyroi?
Për fatin tim të keq, u detyrova të ndërpres karrierën si balerinë për shkak të një problemi shëndetësor me gjurin e djathtë. Por edhe pse nuk mund të kërceja më, nuk doja të ndahesha nga bota e baletit: hapa Shkollën e Baletit, Artit dhe Teatrit “Angels” në Bergamo. Shkolla ecën shumë mirë, më jep kënaqësi të veçantë puna me fëmijët. Janë me dhjetëra dhe me ta punohet shumë mirë.
Si u lidhe me gjimnastikën ritmike?
Gjatë këtyre viteve në Itali njoha Emanuela Maccarinin, trajneren e kombëtares së gjimnastikës ritmike italiane. Pas olimpiadave të Pekinit më thirri që të mbuloj vendin e koreografes për skuadrën. Ishte janar i vitit 2009. Me vajzat e gjimnastikës ritmike – fluturat e kaltra, siç i quajnë ndryshe – kemi fituar një sërë çmimesh të rëndësishme. Medaljen e artë në kampionatin botëror Japoni, medaljen e argjendtë në Europianin në Gjermani dhe së fundi, medaljen e artë në kampionatin botëror në Moskë. Ndihem shumë mirë me grupin e gjimnastikës ritmike, është fantastike të punosh me këto vajza. Edhe për 2011-shin na presin sfida të mëdha ndërkombëtare, si Botërori i Francës në shtator.
Do të të pëlqente të kishe një sukses të tillë me kombëtaren shqiptare?
Në Shqipëri shkoj shpesh sepse kam të afërmit e mi, por nuk shkoj për punë. Atje nuk ka gjimnastike ritmike për fat të keq. Me sa kam dëgjuar, kohët e fundit, artistët dhe sportistët shqiptarë nuk vlerësohen siç duhet. Uroj me gjithë zemër që në të ardhmen kjo situatë të ndryshojë, dhe të investohet më shumë në këto fusha. Unë jam shumë e lidhur me sportin. E gjithë familja ime është marrë me sport: ime më ka qene gjimnaste me 17 Nëntorin, babai futbollist po me të njëjtin klub. Vëllai me kombëtaren shqiptare të të rinjve në futboll. Dua të them me këtë që e kam vërtet për zemër sportin shqiptar dhe do të më pëlqente shumë që në të ardhmen të kem ndonjë mundësi bashkëpunimi.
Janë të shumtë shqiptarët, veçanërisht në art dhe sport, që në Itali po bëjnë karrierë të suksesshme. Cili është sekreti sipas teje?
Shqiptarët kanë bërë emër nëpër botë. Por për fat të keq publicizohen pak. Sipas meje sekreti i suksesit qëndron kryesisht të shkolla e fortë shqiptare dhe te këmbëngulja sportistëve dhe artistëve.
Racizmi që herë pas here ndihet, natyrisht nuk të ndihmon. Por unë e kam zgjidhur duke parë punën time. Më ka mjaftuar të ecë përpara, dhe kam hedhur pas krahëve shumë gjëra që nuk më pëlqejnë. Më pëlqen shumë ajo çka bëj sot. Punën e bëj me pasion dhe prej saj marr kënaqësi. Në dy fjalë, do të thosha që ky është sekreti im për të shkuar përpara. Megjithatë pak fat, nuk prish punë asnjëherë, është gjithnjë i mirëpritur (thotë duke qeshur).
Ëndrra në sirtar?
E kam një: dua t’i kthehem teatrit. Është një vend i magjishëm për mua. Edhe pse pallati i sportit është një forcë e hatashme.