in

Kledi Kadiu: “Karriera nuk është gjithçka në jetë”

Kledi Kadiu, pas një viti të suksesshëm nga ana profesionale, vendos të shkojë në Bangladesh si testimonial i Unicef-it. Kthehet që andej i emocionuar dhe me përshtypje të thella: “Eksperienca të tilla të ndryshojnë jetën” thotë pa asnjë mëdyshje, edhe pse e di që shprehja mund të duket bajate. Por pasioni me të cilin tregon për takimet me fëmijët dhe operatorët në fshatrat që ka vizituar për tetë ditë, për nivelin e paimagjinueshëm të varfërisë në atë vend të prek e të bind plotësisht që Kledin eksperienca në Bangladesh e ka bërë më të ndjeshëm ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj atyre që nuk kanë pasur fatin e tij. Është i gatshëm të përsërisë një eksperiencë të tillë, madje e këshillon të gjithëve, “për të vlerësuar më shumë atë që kemi, për të kuptuar më mirë të tjerët”.

Në një bisedë të gjatë, flet edhe se si e sheh ai Italinë e sotme, me krizën shoqërore, racizmin e frikën ndaj tjetrit që e ka ngërthyer. E merr zjarr kur shpjegon se në shoqërinë e sotme mungojnë elementë si mirëkuptimi,  dialogu dhe respekti; që shumë të rinj të sotëm nuk dinë ç’është sakrifica e vërtetë, ndërsa ata që angazhohen e sakrifikojnë vërtet e braktisin Italinë. Nuk dëshiron të fyejë askënd, ia lejon vetes kritika të tilla sepse ai ndihet edhe italian, ka njëzet vjet që jeton këtu. Italia është atdheu i tij i dytë, dhe marazin që shfryn e ka nga dashuria për këtë vend.

Sytë i ndrisin sërish kur flet për punën e tij, kur tregon për vitin e shkuar, që i ka dhënë një bagazh të madh jo vetëm profesional por edhe nga ana njerëzore, dhe për projektet për të ardhmen në të cilat hyn edhe Shqipëria. Kledi do të drejtojë edicionin e dytë të “Step – Passi di danza” dhe mbrëmjen e parë do t’ia kushtojë Shqipërisë, Shkollës së Baletit, Teatrit të Operës dhe balerinëve shqiptarë me famë jo vetëm në Itali por edhe në vende të tjera të botës.

Bota Shqiptare: Si jeni afruar me UNICEF?

Kledi Kadiu: Në vitin 2009 e 2010 kam qenë testimonial për Pigotta-n, kukullën prej stofi që shitej për mbledhjen e fondeve  për kit-et salva-vita për fëmijët e vendeve në zhvillim. Më pas më propozuan të bëhesha testimonial për fushatën “IO come TU – Mai nemici per la pelle”, fushata e parë sensibilizuese në Itali, kundër racizmit ndaj fëmijëve të emigrantëve, që edhe pse të lindur këtu, apo të ardhur që të vegjël, edhe pse janë italianë po aq sa bashkëmoshatarët e tyre, për ligjin mbeten të huaj. Fushata kishte për qëllim sensibilizimin e politikës dhe shoqërisë italiane për njohjen e të drejtave të këtyre fëmijëve, adoleshentëve, e mbi të gjitha për njohjen e shtetësisë italiane. Dhe kjo është absolutisht fushata e parë që UNICEF bën në Itali, pasi në përgjithësi kjo organizatë vepron në vendet në zhvillim.

Po në Bangladesh ç’ju shtyu të shkonit?

Kërkova vetë të kisha një përvojë në një nga vendet në zhvillim ku vepron Unicef. Më propozuan pesë vende e unë zgjodha Bangladeshin sepse ishte më i vështiri për t’u vizituar. Dëshiroja të shihja me sytë e mi atë realitet. Vërtet shohim në televizion, lexojmë apo dëgjojmë për atë vend, por ta përjetosh personalisht është tjetër gjë.

E kështu ndodhi vërtet. U nisëm e ndenjëm atje tetë ditë. Isha pjesë e një grupi të përbërë nga: një operator përfaqësues zyrtar i Unicef-it, një gazetare, një fotografe dhe unë.

Detyra ime ishte të vizitoja tre projekte shumë të rëndësishme: një kundër shfrytëzimit të punës së të miturve, një kundër trafikimit të fëmijëve dhe një tjetër kundër prostitucionit të të miturve. Në tetë ditë shkova në shumë shkolla, shtëpi, qendra të Unicef-it, në shumë vende të fshehta ku kuroheshin e ndihmoheshin vajzat e vogla që kishin pësuar dhunë seksuale.

Gjithçka ishte shumë prekëse. Çdo sekondë ishte aq e ngjeshur me emocione e ndjenja të forta sa vlente për një ditë të tërë. Një jetë krejt ndryshe nga e jona, në të gjitha aspektet. Qoftë unë, qoftë pjesëtarët e tjerë të grupit, italianë të lindur, mbetëm të traumatizuar.

Ndoshta duke jetuar edhe në Shqipëri, unë kam përjetuar situata shumë më të vështira se një italian, e megjithatë e them me bindje që edhe vështirësitë e Shqipërisë së para 20 vjetëve nuk ishin aspak të krahasueshme me atë çka pamë e përjetuam në Bangladesh. Vizituam Daka, Kulna, dy qytetet më të rëndësishme të vendit.

Ç’mbresa ruani nga ky vend?

Bangladesh është vendi më i varfër në botë, me 160 milionë banorë, nga të cilët 63 milion të mitur. Dhe problemi kryesor i atij vendi janë fëmijët që shfrytëzohen në të gjitha mënyrat. Ata, veçanërisht vajzat e vogla, i çonin të punonin pranë familjeve më “të pasura”. Por mos kini parasysh familje vërtet të pasura. Sa për të kuptuar për ç’pasuri bëhet fjalë po ju tregoj vetëm një aspekt: Familjet më të pasura në fshat, për shembull, ishin ato që kishin “gropën”, që nuk ishte tjetër veçse një gropë e vërtetë e gërmuar jashtë ku mblidhnin ujin e shiut, laheshin e mbaronin nevojat e veta. Familjet e tjera kishin “gropa të përbashkëta”, pesë a gjashtë bashkë, me shpresën që do të kishte aq shi sa të përtërinin ujin…

Por nga ana tjetër ishin të terrorizuar nga shirat. Sepse nga një çast në tjetrin, vinin shira aq të fortë sa përmbytnin gjithçka. Në fakt, në një fshat pranë Kulnas, që vizituam, që ishte një nga të prekurit nga përmbytjet e vitit 2009, na treguan për pasojat katastrofike të shirave të atij viti. Për fatin e tyre të keq, përmbytjet po përsëriten gjithnjë e më shpesh. Nëse njëherë e një kohë përmbytjet ndodhnin çdo 10-15 vjet, tani ndodhin çdo dy vjet. Për shkak të ndryshimit të klimës në mbarë rruzullin, ata, më të përvuajturit, janë të parët që e vuajnë mbi kurrizin e tyre. Me të dëgjuar bubullimat e me të parë pikat e para të shiut fshiheshin nga frika, e pastaj, me të mbaruar shiu, veçanërisht gratë, dilnin me të gjitha enët e mundshme për të mbledhur ujin. Me një fjalë ishte një situatë që për ne që jetojmë në vende të zhvilluara, me një farë mirëqenieje, bëjnë përshtypje. Ata as që ia kishin idenë si mund të ishte jeta tjetërkund. Në fshatra nuk kishte as radio, ishin krejt të izoluar nga bota, jetonin si në mesjetë. Shtëpitë e tyre ishin prej balte, bambuje, kashte, dhe si izolant përdornin nevojën e lopës, që përdorej edhe si lëndë djegëse. Mund të imagjinoni vetë në ç’gjendje ishte.

Shkova në shumë shkolla të Unicef-it, që quheshin “Shkollat e fëmijëve tanë”. E kur them shkolla mos mbani parasysh ato me të cilat jemi mësuar të gjithë ne. Atje ekzistojnë edhe shkollat e rrugës, në kuptimin që nxënësve u bëhej mësim në rrugë.

Falë Unicef-it me mbështetjen e qeverisë, familjet marrin 20 euro në muaj për çdo fëmijë, me kusht që fëmijët të mos i çonin në punë (Unicef vepron në këto vende me mbështetjen e plotë të qeverive, sepse këto  të fundit nuk ia dalin dot me forcat e tyre). E fëmijët që kishin këtë fat ishin më të lumturit në botë, mezi prisnin të shkonin në shkollë. E 20 euro nuk janë pak për atje, po të mbani parasysh që paga ditore mesatare nuk e arrinte një euro. Atje ekonomia familjare bazohej mbi kafshët: kishin lopën që bënte qumështin e me të e nënproduktet e tij ushqeheshin; kishin një copë tokë e kur kjo ishte pjellore mund të merrnin edhe ndonjë fryt prej saj, por shpesh toka për shkak të përmbytjeve ishte kthyer në një terren të kripur që nuk jepte gjë jo vetëm për njerëzit por as për kafshët. Atje kam parë lopë që t’i quash të dobëta është pak. Për më tepër, lopa atje është e shenjtë, dhe njerëzit nuk i prekin as kur vdesin e kufomat e tyre qelben rrugëve, duke shkaktuar jo pak probleme shëndetësore e higjienike për personat.

Si komunikonit me këta fëmijë?

Marrëdhënia me ta ishte shumë e veçantë. Pak prej tyre flisnin edhe anglisht. Por nuk ishte e nevojshme që ata të flisnin gjuhën tonë e ne të tyren sepse kuptohesh me gjuhën universale të buzëqeshjes, të prekjes. Një përkëdhelje, një përqafim për ta do të thotë shumë. Ata që takova unë janë fëmijë të braktisur, të keqtrajtuar, apo që janë larguar nga familjet e tyre. Përveç shkollës ishin edhe disa qendra ku fëmijët luanin, dëfreheshin, mësonin emrat e sendeve dhe të kafshëve. Një mënyrë për t’i mbajtur bashkë, për t’i mbajtur larg rrugës.

Me një fjalë kjo eksperiencë ishte e fortë, emocionuese, e bukur.  Që të ndryshon jetën. Mund të duket shprehje boshe, por e them i bindur që është kështu, kthehesh prej andej me një mentalitet tjetër mbi jetën.

Ç’detyrime ka një testimonial i Unicef-it?

Detyra jonë është të sjellim në Itali dëshminë e punës që bën Unicef në vendet në zhvillim. Nga njëra anë si testimonial i Unicef-it, unë shoh me sytë e mi ku shkojnë paratë që njerëzit në Itali japin, nga ana tjetër unë duke treguar çka pashë në Bangladesh mund të vazhdoj të sensibilizoj opinionin publik që të mbështesë sa më shumë projektet e Unicef-it. Kjo është ajo çka bën një testimonial. Kam parë mbi 20 realitete të ndryshme të veçanta e në çdo lagje ku shkonim takonim operatorët vendas që na tregonin të dhëna e fakte mbi punën e tyre. Një projekt shumë i rëndësishëm është për shembull ai që korrespondon me “telefono azzurro” në Itali.

Ç’ju shtyu të afroheshit me një realitet të tillë?

Më erdhi natyrshëm. Ka të bëjë me ndjeshmërinë e secilit prej nesh. Jo të gjithë e kërkojnë një eksperiencë të tillë. Mund të jesh një balerin i shkëlqyer, një artist plot talent, e nuk të shkon nëpër mend të kesh një përvojë të tillë. E nuk mund të ndihesh fajtor. As të të konsiderojnë të tillë. Në rastin tim arsyet janë disa: kam marrë shumë nga jeta e profesioni im, falë tij kam pasur gjithnjë të bëj me fëmijët e të rinjtë, si në shkollën time ashtu edhe në të tjerat ku jap mësim, ndaj edhe ideja që të jap ndihmesën time sado të vogël më erdhi natyrshëm. Them ndihmën time të vogël sepse kam parasysh që unë u takova gjatë tetë ditëve me rreth 2 mijë fëmijë, por kur mendon që në Bangladesh të miturit janë 63 milionë, ndihma ime është vërtet një pikë uji në oqeanin e madh. Por nëse të gjithë e mendojmë kështu, nëse të gjithë bëjmë diçka për tjetrin, për kë është në kushte shumë më të këqija se të tonat, ndoshta do të kemi një botë më të mirë një ditë.

Nga njëra anë ju ofroni imazhin tuaj për një kauzë të lartë, nga ana tjetër fakti që ju jepet një mundësi e tillë është edhe një vlerësim për ju si artist.

Po, po natyrisht. Unicef para se të zgjedhë testimonialin e vet bën sondazhe për të vlerësuar shkallën e popullaritetit, të suksesit, të besueshmërisë së personazhit. Kështu që fakti që më kanë zgjedhur është një vlerësim shumë i lartë, që më nderon jo vetëm si artist por edhe si njeri. Jam shumë i lumtur që sondazhi tregon se jo vetëm vlerësohem si artist por jam i besueshëm edhe për të ndihmuar të tjerët, që publiku më vlerëson edhe si njeri.

Mendoni ta përsërisni këtë eksperiencë?

Po po. Madje jam i mendimit që me radhë të gjithë duhet të bëjmë një eksperiencë të tillë, për të vlerësuar më mirë atë që kemi, për të kuptuar më mirë të tjerët. E tjetrin e kupton më mirë kur prek nga afër  realitetin e tij, që është krejtësisht i paimagjinueshëm nga larg. Sot nga kjo anë e botës kemi deri edhe më tepër nga ç’duhet, e për këtë nuk duhet të ndihemi fajtorë sepse nuk është se duhet të kemi më pak për të jetuar më mirë, me ndërgjegje më të qetë. Do të ishte hipokrizi të mendosh një gjë të tillë. Vetëm se ndonjëherë kemi tepër e shpërdorojmë shumë, nuk njohim vlerën e gjithë çfarë kemi. Sepse dikush mund të ketë edhe gjithë botën, por mbetet i pandjeshëm jo vetëm ndaj fëmijëve të Bangladeshit apo të një tjetër vendi, por edhe ndaj vetë jetës. Fatkeqësisht shpesh, kësaj ane të botës, ky është realiteti, që dëshmon krizën shoqërore. Njerëzit janë më të paqetë, janë bërë më agresivë, nuk kanë respekt, mirëkuptim e dialog me tjetrin. E kjo bën që njerëzit të mos jetojnë në një shoqëri civile e moderne siç duhet të jetë.

Për të mbetur në temat shoqërore. Gjithnjë e më shpesh thirreni në kuvende e konferenca jo si balerin por si opinionit, për të folur për Italinë e sotme, për integrimin e emigrantëve, kundër racizmit. Duke shprehur edhe mendime që ndokujt nuk i kanë pëlqyer…

Gjithkush flet në bazë të përvojës personale. Unë jetoj në Itali prej njëzet vjetësh. Jetoj si italian, sepse kur mendohet dhe vendoset të jetohet në një tjetër vend është e pamundur të jetosh 100% vetëm në dimensionin tënd shqiptar.

Që kur kam ardhur në Itali, në njëfarë mënyre kam përjetuar dy jetë të ndryshme: një me më pak fat e këtë tjetrën me suksesin, famën, mirëqenien. Këto janë përvojat e mia dhe duke u bazuar mbi këto, unë shpreh mendimin tim. Kështu edhe në një konferencë të disa javëve më parë, ku thashë si e mendoja unë, pa dashur të fyeja njeri. Por sot duket se, një artist që nuk ka lindur në Itali por këtu ka bërë famë e karrierë, duhet të heshtë, nuk duhet të flasë për gjëra që sipas tij nuk shkojnë. Duke qenë “i privilegjuar”, duke qenë se ka arritur në një pikë ku jo të gjithë arrijnë, duhet të jetë vetëm mirënjohës ndaj Italisë e të mos guxojë ta kritikojë. Unë i jam mirënjohës edhe Italisë, por në radhë të parë gjithçka që kam arritur e kam falë talentit, punës sime. Sepse është talenti që takon fatin, jo personat. E pastaj varet nga ne nëse  luajmë mirë apo jo gurët tanë në profesion. E gurët tanë janë puna këmbëngulja pasioni. Së fundi kam thënë që tre elementë që duhet të bashkojnë e jo të ndajnë nuk ekzistojnë më. E këta tre elementë janë mirëkuptimi, dialogu dhe respekti. Dhe e kam fjalën që nuk ekzistojnë më mes njerëzve në përgjithësi, jo thjesht mes italianëve dhe emigrantëve, të huajve. Për arsye pune shkoj në të katër anët e Italisë dhe vërej që edhe mes milanezëve dhe torinezëve ka racizëm, edhe mes katanezëve dhe palermitanëve ka racizëm, për të mos folur për racizmin e veriut të Italisë ndaj jugut, apo për racizmin ndaj emigrantëve. Ka qenë gjithnjë kështu, ndoshta, por e fshehur nga një cipë.

Italia ka një imigracion të vonë. Vitet nëntëdhjetë kanë qenë ato të shpërthimit të kësaj dukurie. Ndërsa Franca, Gjermania, Spanja bashkëjetojnë me imigracionin prej shumë më tepër vitesh. Nuk dua t’i vë faj askujt. Ndoshta njerëzit ishin më të gatshëm për mikpritje më parë. Sot njerëzit kanë më pak besim, janë më të trembur, më të ashpër, më pak mikpritës ndaj tjetrit sepse nuk ekziston më dëshira për të njohur traditën e kulturën e atyre që vijnë, për të pasuruar edhe më shumë vendin e vet. E për mendimin tim një punë “të shkëlqyer” sabotimi në këtë aspekt e kanë bërë mediat sepse kanë vënë gjithnjë në faqe të parë imigrantin keqbërës, maskara, hajdut, vrasës. Këtu është lënë të kuptohet nga mediat se çdo e keqe vjen nga i huaji nga imigranti. Dhe sot të gjithë e kanë mendjen top që imigranti, i huaji është problemi parësor i këtij vendi.

E politikat qeveritare mbi imigracionin? Kriza ekonomike?

Nuk dua të flas për qeverinë e politikën e saj. Për mua është sistemi Itali që nuk funksionon, sistem i prapambetur, që punon vetëm për shtëpinë e vet, jo për të ndihmuar edhe fqinjin, që  mendon vetëm për të sotmen e jo edhe për të ardhmen. Edhe kriza ndikon, por si gjithandej. Janë në krizë edhe vende të tjera evropiane por megjithatë njerëzit janë më të bashkuar.

Këtu jemi mësuar të dëgjojmë të gjithë të ankohen, të qahen, t’i hedhin fajin tjetrit për çdo gjë që nuk shkon, por nuk sheh një që të përveshë mëngët e të thotë “mjaft!”. Italia është bërë një vend spektatorësh, thashethemexhinjsh e sherrxhinjsh. Nëse dikush thotë që kjo është e bardhë, tjetri thotë që është e zezë, vetëm e vetëm që të pohuar të kundërtën. Nuk shohim njëherë të diskutohet qetë e me logjikë mbi një çështje. Këto them unë. Dhe janë gjëra që shoh e prek kur shkoj në shkolla e teatro të ndryshëm. Shoh që tek të rinjtë, puna, studimi, sakrifica, janë vlera që në mos janë zhdukur po humbasin dita ditës. Jetojmë në kurriz të shkëlqimit të brezit të vjetër, të artistëve, të mjekëve, të avokatëve, profesorëve.

E them gjithnjë që duhet punë, angazhim për të çarë përpara, sidomos për të rinjtë. Por sot angazhimi, apo sakrifica, janë fjalë që përdoren aq vend e pa vend sa kanë humbur kuptimin. Nuk është sakrificë të shkosh çdo ditë në shkollë. E kam seriozisht, sot kjo quhet sakrificë nga shumë të rinj. “Jo ore, ç’sakrificë që bëke!”. Por nuk është aspak kështu. Ky është një brez që do të paguajë shtrenjtë pasojat e këtij mentaliteti në të ardhmen. Nuk dua që të më marrin për pesimist. Ka edhe shumë e shumë të rinj me talent e vullnet, shumë të zotë, por këta ikin, e lënë Italinë. Inteligjenca e vërtetë ia mbath nga gjithë ky mediokritet.

Për t’iu kthyer pak Kledit balerin. Keni pasur një vit të shkëlqyer, plot suksese. Në turne në mbarë Italinë me Non solo Bolero (rreth 80 replika). Hapet kanali i ri,  RAI5, që i kushtohet artit, dhe programin mbi vallëzimin, i pari i këtij lloji në Itali, “Step – Passi di danza” jua besojnë juve.

Në fund të fundit, këta janë stimuj, sfida që çdo artist ka. Vetëm se tani jemi mësuar të mendojmë që nëse nuk shfaqesh gjëkundi, nuk vlen më.

Gjithsesi, në programin televiziv “Step – Passi di danza”, për herë të parë jam jo vetëm balerini por edhe drejtuesi i programit, rrëfyesi dhe intervistuesi. Jam i lumtur që sezoni i parë shkoi shumë mirë. Takova e intervistova balerinë, koreografë, kritikë arti, studiues e historianë të baletit, shumë prej të cilëve kanë qenë idhujt e mi. “Step – Passi di danza” më dha një bagazh të madh jo vetëm artistik por edhe njerëzor.

Shkoi aq mirë sa do të drejtoj të njëjtin emision edhe në edicionin e dytë, kam nisur tashmë xhirimet. Jam shumë i lumtur që mbrëmja e parë do t’i kushtohet baletit shqiptar: Shkollës së Baletit, Teatrit të Operës dhe Baletit dhe balerinëve më të mirë shqiptarë që na përfaqësojnë jo vetëm në Itali por në mbarë botën.

E kjo u bë e mundur edhe falë ambasadës, vetë ambasadorit Llesh Kola, dhe ministrisë së Jashtme dhe ministrit Edmond Haxhinasto. Ministri më priti në qershor, në Tiranë, për të diskutuar pikërisht mbi programin. Takimi shkoi shumë mirë e folëm edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me emigracionin shqiptar në Itali. Diskutuam për rolin e kontributin e komunitetit shqiptar në Itali. Ministri Haxhinasto më tregoi edhe që po punohet për hapjen së “Shtëpisë së Shqiptarëve”, në Romë, që do të jetë në rolin e një qendre kulturore për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali.

A mund të na thoni ndonjë emër të balerinëve që do të jenë pjesë e programit?

Anbeta Toromani, Hektor Budlla që sot është në kompaninë Aterballetto në Reggio Emilia, kompania më prestigjioze sot në Itali dhe që e përfaqëson atë në skenat ndërkombëtare, Eris Nezha balerin i parë në teatrin Alla Scala, Gentian Doda balerin që jeton në Madrid, sot asistent i Nacho Duato në Shën Pjetërburg, çifti Ludmill Çakalli dhe Tania Sulejmani, sot mësues baleti në Milano, Ilir Kerrni, ish mjeshtri im, Lola Fejzo, themeluese e drejtuese e akademisë Giselle Danza në Porto San Giorgio, Leart Duraku, balerin në teatrin e Montekarlos.

Keti Biçoku, Bota Shqiptare 262, 1-15 korrik 2011

http://www.youtube.com/watch?v=fY-jDE4zVHU

Çaste nga takimet me fëmijët në Bangladesh

{gallery}Kledi_Bangladesh{/gallery}

 

Rreth 10% e futbollistëve të rinj në Itali janë të huaj

Instat: Shqiptarët punojnë 4 orë e flenë 9 orë në ditë