“Këtë çmim ua dedikoj familjes sime, profesorëve të mi shqiptarë e bashkatdhetarëve të mi artistë që ngrenë lart artin shqiptar në mbarë botën”
Romë, 10 dhjetor 2014 – Një vlerësim i ri për Kledi Kadiun. Me rastin e edicionit të 44-t të ditës Evropiane, balerinit të famshëm shqiptar i është akorduar çmimi prestigjioz “Personalitet Evropian 2014” për baletin. Çmimet janë ndarë dje në Campidoglio, selia e bashkisë së Romës, në prani të autoriteteve politike dhe të shumë eksponentëve të kulturës e artit. Krahas Kledi Kadiut, janë vlerësuar edhe personalitete të tjera të mirënjohura, mes të cilëve edhe Patty Pravo për Muzikën apo Gianni Rivera për Sportin.
Me titullin “Personalitet Evropian 2014”, Kledi Kadiu vlerësohet jo vetëm për rezultatet e vazhdueshme si balerin e koreograf por dhe për përkushtimin e tij si testimonial për kauza të ndryshme sociale, të çmuara nga publiku i gjerë dhe mediat.
“Jam i lumtur për këtë vlerësim që më bëhet për karrierën e jetën time. – thotë Kledi për Shqiptariiitalise.com – Një çmim që vlerëson edhe Shqipërinë dhe shkollën shqiptare të baletit, baletin, artin që bashkon popujt, të cilit i dedikohem me pasion çdo ditë. Por jam krenar edhe për faktin se ky çmim më akordohet edhe për angazhimin tim në çështje sociale, gjë që bëj me shumë dashuri e përkushtim sepse jam i bindur që për t’u ndier i realizuar në jetë nuk mjafton vetëm një karrierë brilante profesionale por edhe t’u ofrosh ndihmën tënde atyre që jeta u ka dhënë më pak se ty”.
“Siç e thashë edhe në ceremoninë e mbajtur në Campidoglio, këtë çmim ia dedikoj jo vetëm familjes sime, por edhe të gjithë profesorëve të shkollës së baletit e të Akademisë së arteve në Tiranë, e në veçanti Ilir Kernit, që ka qenë mësuesi im, dhe të gjithë artistëve shqiptarë që po shkëlqejnë në mbarë botën”.