in

Kledi Kadiu: “Përvoja si ajo e Bangladeshit të ndryshojnë mentalitetin mbi jetën”

Pas një viti të suksesshëm nga ana profesionale, Kledi Kadiu, vendos të shkojë në Bangladesh si testimonial i Unicef-it. Kthehet që andej i emocionuar dhe me përshtypje të thella: “Eksperienca të tilla të ndryshojnë jetën” thotë pa asnjë mëdyshje, edhe pse e di që shprehja mund të duket bajate. Por pasioni me të cilin tregon për takimet me fëmijët dhe operatorët në fshatrat që ka vizituar për tetë ditë, për nivelin e paimagjinueshëm të varfërisë në atë vend të prek e të bind plotësisht që Kledin eksperienca në Bangladesh e ka bërë më të ndjeshëm ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj atyre që nuk kanë pasur fatin e tij. Është i gatshëm të përsërisë një eksperiencë të tillë, madje e këshillon të gjithëve, “për të vlerësuar më shumë atë që kemi, për të kuptuar më mirë të tjerët”.

Bota Shqiptare: Si jeni afruar me UNICEF?

Kledi Kadiu: Në vitin 2009 e 2010 kam qenë testimonial për Pigotta-n, kukullën prej stofi që shitej për mbledhjen e fondeve  për kit-et salva-vita për fëmijët e vendeve në zhvillim. Më pas më propozuan të bëhesha testimonial për fushatën “IO come TU – Mai nemici per la pelle”, fushata e parë sensibilizuese në Itali, kundër racizmit ndaj fëmijëve të emigrantëve, që edhe pse të lindur këtu, apo të ardhur që të vegjël, edhe pse janë italianë po aq sa bashkëmoshatarët e tyre, për ligjin mbeten të huaj. Fushata kishte për qëllim sensibilizimin e politikës dhe shoqërisë italiane për njohjen e të drejtave të këtyre fëmijëve, adoleshentëve, e mbi të gjitha për njohjen e shtetësisë italiane. Dhe kjo është absolutisht fushata e parë që UNICEF bën në Itali, pasi në përgjithësi kjo organizatë vepron në vendet në zhvillim.

Po në Bangladesh ç’ju shtyu të shkonit?

Kërkova vetë të kisha një përvojë në një nga vendet në zhvillim ku vepron Unicef. Më propozuan pesë vende e unë zgjodha Bangladeshin sepse ishte më i vështiri për t’u vizituar. Dëshiroja të shihja me sytë e mi atë realitet. Vërtet shohim në televizion, lexojmë apo dëgjojmë për atë vend, por ta përjetosh personalisht është tjetër gjë.

E kështu ndodhi vërtet. U nisëm e ndenjëm atje tetë ditë. Isha pjesë e një grupi të përbërë nga: një operator përfaqësues zyrtar i Unicef-it, një gazetare, një fotografe dhe unë.

Detyra ime ishte të vizitoja tre projekte shumë të rëndësishme: një kundër shfrytëzimit të punës së të miturve, një kundër trafikimit të fëmijëve dhe një tjetër kundër prostitucionit të të miturve. Në tetë ditë shkova në shumë shkolla, shtëpi, qendra të Unicef-it, në shumë vende të fshehta ku kuroheshin e ndihmoheshin vajzat e vogla që kishin pësuar dhunë seksuale.

Gjithçka ishte shumë prekëse. Çdo sekondë ishte aq e ngjeshur me emocione e ndjenja të forta sa vlente për një ditë të tërë. Një jetë krejt ndryshe nga e jona, në të gjitha aspektet. Qoftë unë, qoftë pjesëtarët e tjerë të grupit, italianë të lindur, mbetëm të traumatizuar.

Ndoshta duke jetuar edhe në Shqipëri, unë kam përjetuar situata shumë më të vështira se një italian, e megjithatë e them me bindje që edhe vështirësitë e Shqipërisë së para 20 vjetëve nuk ishin aspak të krahasueshme me atë çka pamë e përjetuam në Bangladesh. Vizituam Daka, Kulna, dy qytetet më të rëndësishme të vendit.

Ç’mbresa ruani nga ky vend?

Bangladesh është vendi më i varfër në botë, me 160 milionë banorë, nga të cilët 63 milion të mitur. Dhe problemi kryesor i atij vendi janë fëmijët që shfrytëzohen në të gjitha mënyrat. Ata, veçanërisht vajzat e vogla, i çonin të punonin pranë familjeve më “të pasura”. Por mos kini parasysh familje vërtet të pasura. Sa për të kuptuar për ç’pasuri bëhet fjalë po ju tregoj vetëm një aspekt: Familjet më të pasura në fshat, për shembull, ishin ato që kishin “gropën”, që nuk ishte tjetër veçse një gropë e vërtetë e gërmuar jashtë ku mblidhnin ujin e shiut, laheshin e mbaronin nevojat e veta. Familjet e tjera kishin “gropa të përbashkëta”, pesë a gjashtë bashkë, me shpresën që do të kishte aq shi sa të përtërinin ujin…

Por nga ana tjetër ishin të terrorizuar nga shirat. Sepse nga një çast në tjetrin, vinin shira aq të fortë sa përmbytnin gjithçka. […]

Shkova në shumë shkolla të Unicef-it, që quheshin “Shkollat e fëmijëve tanë”. E kur them shkolla mos mbani parasysh ato me të cilat jemi mësuar të gjithë ne. Atje ekzistojnë edhe shkollat e rrugës, në kuptimin që nxënësve u bëhej mësim në rrugë.

Falë Unicef-it me mbështetjen e qeverisë, familjet marrin 20 euro në muaj për çdo fëmijë, me kusht që fëmijët të mos i çonin në punë (Unicef vepron në këto vende me mbështetjen e plotë të qeverive, sepse këto  të fundit nuk ia dalin dot me forcat e tyre). E fëmijët që kishin këtë fat ishin më të lumturit në botë, mezi prisnin të shkonin në shkollë. E 20 euro nuk janë pak për atje, po të mbani parasysh që paga ditore mesatare nuk e arrinte një euro. Atje ekonomia familjare bazohej mbi kafshët: kishin lopën që bënte qumështin e me të e nënproduktet e tij ushqeheshin; kishin një copë tokë e kur kjo ishte pjellore mund të merrnin edhe ndonjë fryt prej saj, por shpesh toka për shkak të përmbytjeve ishte kthyer në një terren të kripur që nuk jepte gjë jo vetëm për njerëzit por as për kafshët. Atje kam parë lopë që t’i quash të dobëta është pak. Për më tepër, lopa atje është e shenjtë, dhe njerëzit nuk i prekin as kur vdesin e kufomat e tyre qelben rrugëve, duke shkaktuar jo pak probleme shëndetësore e higjienike për personat.

Si komunikonit me këta fëmijë?

Marrëdhënia me ta ishte shumë e veçantë. Pak prej tyre flisnin edhe anglisht. Por nuk ishte e nevojshme që ata të flisnin gjuhën tonë e ne të tyren sepse kuptohesh me gjuhën universale të buzëqeshjes, të prekjes. Një përkëdhelje, një përqafim për ta do të thotë shumë. Ata që takova unë janë fëmijë të braktisur, të keqtrajtuar, apo që janë larguar nga familjet e tyre. Përveç shkollës ishin edhe disa qendra ku fëmijët luanin, dëfreheshin, mësonin emrat e sendeve dhe të kafshëve. Një mënyrë për t’i mbajtur bashkë, për t’i mbajtur larg rrugës.

Me një fjalë kjo eksperiencë ishte e fortë, emocionuese, e bukur.  Që të ndryshon jetën. Mund të duket shprehje boshe, por e them i bindur që është kështu, kthehesh prej andej me një mentalitet tjetër mbi jetën. [vazhdon]

Keti Biçoku
Intervista e plotë botohet në Bota Shqiptare 262, 1-15 korrik 2011, në pikëshitjet e shtypit të huaj në Itali nga e hëna

http://www.youtube.com/watch?v=fY-jDE4zVHU

Çaste nga takimet me fëmijët në Bangladesh

{gallery}Kledi_Bangladesh{/gallery}

Chievo Verona blen futbollistin kosovar Përparim Hetemaj

Ç’është sipërmarrja familjare dhe si funksionon ajo në Itali