Mes artistëve të famshëm që ofrojnë imazhin dhe kontributin e tyre në ndihmë të organizatave bamirëse apo në mbështetje të iniciativave të ndryshme antiraciste, gjejmë edhe Kledi Kadiun, balerinin më të njohur shqiptar në Itali.
Nuk është herë e parë që e ndeshim në të tilla iniciativa. Para disa vjetësh ka qenë testimonial i UNAR, Zyrës kombëtare kundër racizmit. Sot jep kontributin e tij për UNICEF, duke u bërë testimonial i fushatës “IO come TU”.
Duke qenë se e ka provuar në kurriz të tij ç’do të thotë “vështirësi”, “emigracion”, “vuajtje”, Kledi Kadiu ka rrëfyer gjithnjë me thjeshtësi rrugën e tij të vështirë, të një shqiptari në emigracion, dhe është treguar i ndjeshëm ndaj temave të solidaritetit.
Me UNICEF Italia tregon se është afruar rastësisht, falë miqësisë me presidentin e saj, Vincenzo Spadafora. Për të sensibilizuar sa më shumë persona që e ndjekin në turnetë e tij nëpër Itali, shpesh në spektaklet e tij vë edhe posterët e fushatave të ndryshme të UNICEF Italia apo vesh bluza me logon e organizatës.
Në 2009-2010 ishte testimonial i Pigotta-s, kukullës së famshme, simbol i solidaritetit të UNICEF-it. Ndërsa sot e gjejmë të përfshirë në një tjetër fushatë të organizuar nga UNICEF “IO come TU”, kundër racizmit racial të fëmijëve dhe të rinjve me origjinë të huaj në Itali.
“Unë e di ç’do të thotë të jesh i huaj – thotë Kledi për shqiptariiitalise.com – ndaj e bëj me kënaqësi një fushatë të tillë. Unë jam i njohur dhe i suksesshëm, e ndiej si detyrë të ofroj jo vetëm imazhin tim por edhe ndihmë ekonomike për UNICEF-in që aq shumë bën për fëmijët në të gjithë botën”.
Madje pas dhjetë ditësh niset në misionin e tij të parë si vullnetar UNICEF në Bangladesh: “Nisem më 22 prill dhe do të qëndroj atje për 10 ditë” – thotë ai.
Kledi sot është Ambasador i Kombit, titull që presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu i ka njohur në vitin 2004 për “përfaqësim dinjitoz të imazhit dhe të vlerave të Shqipërisë në botë”.
Shpresojmë që shpejt të bëhet edhe Ambasador i UNICEF-it, ashtu si artistë të tjerë që japin kontributin e tyre me këtë organizatë.
Evi Reci