in

Kleriku i Serbisë ngatërron çështjen e Kosovës me punët e perëndisë

Është koha të kthehemi tek Zoti sa nuk është vonë?

Nga Janni Luan Cajku

“Feja e shqiptarit është shqiptaria” shkroi Pashko Vasa, kur populli shqiptar po humbiste identitetin e tij nën sundimin osman. Një deklaratë e tillë në atë kohë mori përmasa të stërmëdha dhe bëri të mundur mos-përçarjen mes shqiptarëve.

Sot, në kohët moderne “Feja e shqiptarit është shqiptaria” ruan akoma vlerat e saj por është shndërruar në një lloj “fashe” me të cilën shqiptarët kudo që ndodhen lidhin plagët e shpirtit.

Shpesh herë kjo “fashë” i shpëton ata nga sulmet e vazhdueshme që ndërmarrin spekuluesit klerikë të cilët mundohen të përdorin fenë, (arma më e rrezikshme që po shkatërron njerëzimin në të gjithë botën) për të shkatërruar  Shqipërinë, apo diasporën e saj.

Nuk mjaftoi lufta shumëvjeçare, nuk mjaftojnë viktimat që ajo shkaktoi, nuk mjafton fakti që një pjesë e mirë e botës e ka njohur Kosovën si shtet sovran dhe po angazhohet për të ruajtur paprekshmërinë e territorit të saj… Serbia duket e vendosur, ajo nuk heq dorë nga Kosova.

Në ditët e fundit zjarri ka nisur të ndizet përsëri. Për disa duket sikur, nëse ka një shpresë për të evituar viktima dhe shkatërrime të tjera, kjo shpresë është në Zotin veçanërisht për besimtarët e cilësdo feje. Është koha të kthehemi tek Zoti sa nuk është tepër vonë predikojnë klerikët.

Për të konfirmuar një shprehje të bukur popullore që thotë, “kush jeton me shpresë, i dëshpëruar vdes” ka menduar më së miri Kreu i Kishës Ortodokse serbe. Në datën 08/08/2011, Patriarku Irinej, u shpreh kundër ndarjes së Kosovës, por sipas tij, “duhen bërë përpjekje të mëdha për të siguruar që Kosova në tërësinë e saj të jetë pjesë e Serbisë”.

Shpirtrat u trazuan, por mendjet e ndritura që karakterizojnë popullsinë kosovare nuk e humbën arsyetimin, pasi nuk është hera e parë që patriarku Irinej ndërhyn në politikë dhe nxit në mënyrë skandaloze luftën mes Serbisë dhe Kosovës.

Ai vazhdoi më tej në diskutimin e tij dhe ftoi forcat serbe të mos tërhiqen në vendimet e tyre, pasi “çfarëdo ndarje do të nënkuptonte që shteti serb po tërhiqet nga Kosova (…) Në veri serbët po luftojnë për një formë të pavarësisë, por kjo është një pjesë e vogël simbolike e Kosovës”.

Të jetë vallë e vërtetë, që akoma sot vargjet e bukura të Pashko Vasës t’i japin durimin e duhur edhe popullit të Kosovës për të mos rënë viktimë e provokimeve djallëzore të klerikëve serbë? “Feja e shqiptarit është më mirë të mbetet shqiptaria”, apo tani është koha të kthehemi tek Zoti?

Gusht 2011

Punëdhënësi i arrestuar për vdekjen e punëtorit: “Doja ta ndihmoja”

Ndizen dritat e Festivalit të Venecias