Në romanin e tij të fundit «Numri zero» Umberto Eco përshkruan Italinë e zhytur në korrupsion, imoralitet dhe shantazhe. Një vend ku në burg përfundojnë shqiptarët si vjedhës të pulave, por jo banditët e vërtetë. Në qendër të rrëfimit: një gazetë që nuk botohet kurrë dhe plot gazetarë thashethemexhi
Recension nga Enver Robelli
Italia në vitin 1992, pak para se të vijë në pushtet Silvio Berlusconi. Natën e 6 qershorit të atij viti dikush depërtoi në banesën e gazetarit Colonna. Për fat të mirë depërtuesit (apo ishin vjedhës profesionistë?) nuk e gjetën një disketë me informata të ndjeshme. Atëherë ishte kohë e disketave. Kohë pa telefona mobilë. Colonna, një intrigant i madh, tani ka një ide: thotë se jeta e tij është në rrezik dhe planifikon të lansojë një gazetë. Një të përditshme që synon të fitojë para me thashetheme mbi shtresat e larta shoqërore. Në të njëjtën kohë Colonna shkruan (si Ghostwriter) një libër hulumtues mbi skandalin e pritshëm. Sepse gazeta, e quajtur «Domani» (Nesër), nuk do të botohet kurrë. Andaj quhet «Numri zero». Qëllimi i gazetarëve të pafytyrë është të shantazhojnë rivalët e mundshëm.
Viti 1992 paraqet një kthesë në historinë moderne të Italisë. Atë vit mafia vrau gjykatësit Giovanni Falcone dhe Paolo Bersellino, sistemi partiak filloi të shembej dhe skenën politike nisi ta pushtojë oligarku medial Silvio Berlusconi me buzëqeshjen e kaimanit. (Kaimani i takon familjes së aligatorëve). Ka një film dokumentar italian me titullin «Il Caimano», një satirë e hidhur mbi krokodilin politik dhe shoqëror Silvio Berlusconi.
«Numri zero» është romani i fundit i Umberto Ecos. Nuk është romani i tij më i mirë, por është gjithsesi një ndër polemikat me të ashpra kundër «sistemit Berlusconi», kundër intrigave e korrupsionit, moçalit politik dhe imoralitetit. Romani, me një fjalë, është flakaresha e fundit e shkrimtarit të madh kundër kaimanit të madh. Umberto Eco vdiq më 16 shkurt 2016. Silvio Berlusconi ende është gjallë.
Eco përshkruan një shoqëri, e cila si pasojë e depërtimit të biznesmenëve të papërgjegjshëm në media, nuk e di më dallimin mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, një shoqëri që bie në kurthe të thashethemeve, një popull që argëtohet me marrëzitë e pushtetit, sepse e ndien veten të pafuqishëm (dhe të pavullnetshëm) për t’u përballur me të keqen. Zemërimi, dëshpërimi dhe cinizmi mbizotërojnë këtë roman të Umberto Ecos. Është një këngë e hidhur, të cilën Eco ia kushton Italisë së tij, Italisë pas Luftës së Dytë Botërore, Italisë që lufton dhe koketon me fantazmat e Benito Mussolinit dhe me Brigate Rosse, brigadat e kuqe, një organizatë ilegale komuniste.
«Kush e kalon jetën me ëndrra të parealizueshme, është pikërisht humbës i lindur», shkruan diku në fillim të romanit Eco dhe kjo mund të vlejë si për protagonistët që i përshkruan po aq edhe për shkrimtarin e famshëm, i cili me dekada zhvilloi në betejë kundër Berlusconit dhe mediave të tij. Romani është një bilanc politik i autorit: «Frika nga vdekja gjallëron kujtesën». Kujtesën për një Itali që zhytet nga skandali në skandal – dhe ku prej gazetarëve pritet të flasin «gjuhën e lexuesve normalë, jo të intelektualëve, të cilët përherë duan të na thonë se nga duhet të shkojmë. Nga ana tjetër kujtoj se botuesi ynë njëherë na ka thënë se shikuesit e programeve të tij televizive mesatarisht e kanë nivelin mendor të dymbëdhjetëvjeçarëve». Çfarë duhet treguar dymbëdhjetëvjeçarëve? Përralla.
Eco nuk do të ishte Eco po të mos e paketonte këtë vepër si një roman kriminalistik, ku nuk mungon edhe një i vdekur – me thikë të futur në shpinë, dhe një rrëfim i gjatë me teori konspiracioni mbi Mussolinin (kjo është pjesa më e lodhshme e romanit, një blla-blla-blla pothuaj e padurueshme). Mbi të gjithë në këtë roman dominojnë gazetarët llafazanë (mund të merret me mend llafazanëria italiane, shpeshherë simpatike), kalemxhi që profesionin e gazetarit e shfrytëzojnë si maskë për të fshehur aktivitetet e tyre për shërbimet sekrete («Mendoni se ai është spiun? Përse e keni marrë në redaksi një spiun?»).
«Domani» është një gazetë që ka një synim: «Nuk e bëjnë lajmet gazetën, por gazeta i bën lajmet». Një gazetë që prodhon të vërteta banale: përse rriten bananet në dru? Sepse po të rriteshin në tokë do t’i hanin krokodilët menjëherë. Përse skitë rrëshqasin mbi borë? Sepse po të rrëshqisnin mbi kaviar, ky sport dimëror do të ishte i shtrenjtë. Dhe kështu me radhë.
Në këtë ambient të rrenës së institucionalizuar nga mediat mund të thuhet çdo gjë. Papa ka vrarë fëmijë, Nënë Tereza ia ka vënë bombën trenit «Italicus» – dhe njerëzit do të thonë: «Ah, po, interesante». Vende pa sekrete. Vende ku në pikë të ditës policia thotë se është e korruptuar, ku qeveria dhe nëntoka nuk dallojnë fare, ku bankat jetojnë nga spastrimi i parave. Eco vajton jo vetëm Italinë, por shumë vende të botës, vende që, sipas tij, e kanë humbur sensin për turpin. Kush nuk turpërohet, nuk ndalet në prodhimin e rrenave. «Korrupsioni është i autorizuar, mafia është zyrtarisht në parlament, mashtruesit e taksave në qeveri, dhe në burg gjenden vetëm vjedhësit shqiptarë të pulave. Qytetarët e mirë votojnë për banditët…». Bëhet fjalë për Italinë. Dashakeqës kush e sheh në këtë përshkrim të Ecos ndonjë nga shtetet tona ballkanike.
Në shqip «Numri zero» është botuar nga shtëpia botuese Dituria, Tiranë.
Botuar në Dialog Plus