in

Kombëtarja olimpike shqiptare nis zyrtarisht rrugën drejt Lojërave “Londër 2012”

Trembëdhjetë sportistë nënshkruajnë të shtunën kontratën e pjesëmarrjes në lojërat Olimpike “Londër 2012”-

Kombëtarja Olimpike e Shqipërisë u mblodh të shtunën më 6 korrik në Hotel Rogner në Tiranë për fazën e fundit të  përgatitjet në kuadër të Lojërave Olimpike “Londër 2012”.

Vendi ynë do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike me 13 sportistë. Tetë prej pjesëmarrësve kanë arritur normat e kualifikimit, ndërsa pesë sportistë të tjerë kanë siguruar ftesa.

Viron Bezhani, shefi i misionit i mandatuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ftoi sportistët të nënshkruanin kontratën, e cila është kusht për secilin anëtar të ekipit Olimpik për pjesëmarrjen në Olimpiadë. “Me përfundimin e nënshkrimit të kontratave”, tha Bezhani, shpall zyrtarisht fillimin e përgatitjeve për lojërat Olimpike Londër 2012, që do të zhvillohen nga data 27 Korrik deri më 12 Gusht.

Të shtunën filluan menjëherë grumbullimin Briken Calja, Daniel Godelli dhe Endri Krina në peshëngritje, Sidni Hoxha dhe Noel Borshi në not, si dhe Adriatik Hoxha për atletikë.  Në ditët në vijim, do t’i bashkohen këtij grupi dhe pjesa tjetër e përfaqësueses olimpike shqiptare, pjesë të cilës do të jenë Majlinda Kelmendi, Xhudo, Romela Begaj peshëngritje, Arben Kucana për qitje, Hysen Pulaku në peshëngritje dhe Luiza Gega në atletikë.

Zëvendës Presidentja e KOKSH-it, Ela Tase, përshëndeti sportistët dhe u uroi atyre sukseset më të mira në Olimpiadë. “KOKSH e shikon ekipin Olimpik si entitetin më lartë që përfaqëson Shqipërinë dhe vizioni që na ka udhëhequr ka qenë që t’i japim vendit tonë prestigjin maksimal”, tha Tase.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Vasil Bici, tha se 13 sportistët  do të jenë “flamuri ynë”, do të jenë “fytyra e kombit shqiptar në Londër”. Kjo Olimpiadë, theksoi ai, “përkon edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë, prandaj një sukses ndërkombëtar i këtij niveli do të ishte një reklamë e mirë për Shqipërinë në këtë jubile”. (ATSh)

Aksident rrugor në Lissone. Vdes 25-vjeçari Lushkaj

Bergamo. Donte “të gjobiste” pronarin e një kafeneje, arrestohet 26 vjeçari