in

Kombëtarja shqiptare «viktimë» e fajeve të mbledhura ndër vite

Çdo futbollist shqiptar duhet të jetë i gatshëm të kontribuojë për fanellën kuq e zi, duke dhënë maksimumin e tij. Madje, “legjionarët” shpesh nuk duhet të tuten, por të marrin përsipër marshimin përpara. Ndërsa, “skema” ndotëse që ndikojnë në diktimin e trajnerit për formacionin apo parashikojnë rezultate të fiksuara, duhet të qëndrojnë larg tyre. Nuk ka askush të drejtë të nëpërkëmbë një komb të tërë, as FSHF, as stafi drejtues, as lojtarët dhe askush

nga Redan Bushati

Pyetjes se kush është apo janë fajtorët për gjendjen e mjeruar a të pashpresë të Kombëtares Shqiptare, kombëtares sonë fort të dashur, nuk mundet assesi, të mos krijojë njëherazi pështjellime, neveritje, por edhe tronditje dhe angazhim për të ndihmuar me çmos e çnuk që të japim secili nga ne, mënyrën e vet të perceptimit, pse jo edhe të angazhimit publik për të ndikuar sadopak në këtë «kasaphanë», ku yshtja e këmbëve realizohet edhe përmes mosprofesionalizmit po e po, por edhe korrupsionit dhe abuzimit me detyrën, në disa raste me dashje e vetëdije të plotë.

Nga sondazhi i publikuar online në gazetën Sporti Shqiptar për pyetjen se «Kush është fajtor për gjendjen e pashpresë të Kombëtares Shqiptare?» ka një pjesëmarrje (deri datë 09/12/2011 ora 12:00) prej 2 675 votuesish, dhe 78% e tyre i mëshojnë faktit se përgjegjësi dhe fajtori i kësaj gjendjeje të mjerueshme të ekipit tonë përfaqësues është Armando Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Ndërsa, 17% fajësojnë lojtarët e ekipit kombëtar dhe vetëm 5% i gjejnë fajet tek trajnerët e huaj. Në këtë analizë për gjetjen dhe ndarjen e përgjegjësive, por edhe shkuarjes së nivelit të ekipit përfaqësues në këtë degradim në rënie të lirë, do të përpiqem të jap mendimin tim modest bazuar në dhënien e përgjigjeve të pyetjeve si:

Cila është gjendja e Kombëtares Shqiptare të Futbollit?
Kush janë faktorët ndikues në gjendjen në të cilën ajo ndodhet?

Kombëtarja Shqiptare në futboll ka pasur uljet e ngritjet e veta ndër vite. Sigurisht, mes zallamahisë e çoroditjes së saj si në lojë dhe rezultate nuk mundet të mos evidentojmë kënaqësinë e përjetimit të shumë ndeshjeve dinjitoze, ku kjo kombëtare ka dhënë shpresë, besim dhe ide se mund të ketë një ecuri konstante dhe mjaftueshmërisht të mirë a shumë të mirë. Gjithsesi, miqësoret e zhvilluara dhe veçmas evenimentet që kërkojnë angazhim serioz e njëkohësisht dhe marrje të përgjegjësive individuale dhe kolektive si Kupa e Europës dhe e Botës, në këto vitet e fundit kanë dhënë rezultate dhe performancë të dobët, aq sa sportdashësi i zjarrtë shqiptar vazhdon ende ta përjetojë mjaft keq këtë gjendje të ekipit të tij përfaqësues. Me të drejtë, grupime të ndryshme të tifozëve kuqezinj, të cilët qëndrojnë gjithmonë pas kombëtares së tyre, duke e quajtur detyrim kombëtar dhe frymëzim patriotik qëndrimin e tyre përherë në mbrojtje të vlerave shqiptare, ndihen ligsht dhe të indinjuar me shfaqjen e nivelit të lojës së kësaj kombëtareje dhe kërkojnë patjetër ndarjen e përgjegjësive dhe gjetjen e fajtorëve, në mënyrë që kjo gjendje aktuale të mos rëndohet dhe çfarë është më e rëndësishme zemrat e tyre të mos rendin drejt një pikëllimi të pashoq, ku pastaj nuk mund të gjendet asgjë për t’i rikthyer shpresën dhe buzëqeshjen, ndjesinë e të qenit krenar.

Në çdo formacion, grupim, përbërje etj. ka ndarje të punës, logjikisht, edhe të përgjegjësive. Në një ekip futbolli që përfaqëson ngjyrat e kombit dhe merr përsipër të udhëheqë atë drejt historisë europiane dhe botërore, e përbashkëta është se të gjithë, të paktën në parim, përpiqen të arrijnë qëllimin final, prezantimin e një spektakli futbolli, që meriton vlerësimin pozitiv të shoqëruar me duartrokitjet e spektatorit. Kështu që lojtarët janë të fundit fare në prezantim, por më të rëndësishmit, pasi përmes tyre realizohet përgjatë 90 minutave të lojës shfaqja e atij niveli futbolli, për të cilin është punuar. FSHF si institucion ka përgjegjësitë edhe më të mëdha, pasi ajo duhet t’u krijojë kushte të gjithanshme aktorëve të fushës së blertë, lojtarë plus ekip drejtues.

Së pari, ajo duhet të angazhohet me të gjitha potencialet në gjetjen e një ekipi drejtues për të qenë, që nuk do të thotë detyrimisht të jetë i huaj. Ekipi (stafi) drejtues duhet të ketë në krye një trajner me moshë relativisht jo shumë të madhe; motivues dhe marrës përgjegjësish që në hedhjen e firmës në kontratën e hartuar mes tij dhe federatës; pa diskutim gjatë gjithë kohës i akomoduar në Tiranë; profesionist në kuptimin e vërtetë të fjalës, çdo javë të udhëtojë për të shikuar nga afër ekipet e superligës, të kategorisë së parë dhe të dytë, ekipet zinxhirë në shumë qytete të vendit; fundja një trajner, i cili me bazat e punës që ai do të zhvillojë dhe implementojë në ekipin tonë përfaqësues të japin edhe rezultatet e pritshme.

Së dyti, për të mbërritur në një trajner të tillë, e jo në trajner për kothere buke apo aventurier e bixhozxhi, duhet të kemi një klimë të tillë në institucionin që ka marrë përsipër të drejtojë me dinjitet futbollin shqiptar: pra, FSHF duhet të jetë largpamëse dhe të hedhë baza për ndërtimin e një ekipi që di të qëndrojë në këmbë kurdoherë; FSHF duhet të krijojë dhe të vendosë kushte për ekipin e drejtimit që do të udhëheqë kombëtaren tonë; të krijojë infrastrukturën e kërkuar dhe të vendosë kushte specifike për rezultatet e ekipit kombëtar që në hartimin e kontratës, e cila pse jo të ketë edhe një njohje dhe pjesëmarrje të gjerë, ku përveç grupeve të interesit, të gjejnë veten edhe opinoni futbolldashës shqiptarë. Vetëm kështu FSHF, ekipi drejtues dhe lojtarët do të jenë të qetë dhe do të angazhohen secili në përgjegjësitë e veta duke arritur rezultatet e duhura dhe të ngulmkërkuara nga shqiptarët që me gjithë zemër e ndjekin ekipin e tyre të Shqipërisë, ku thirrja “O sa mir me qenë Shqiptar” me patjetër kërkon edhe nderimin e atyre që zbresin në fushën e lojës për të treguar qartë se për çfarë dhe pse jemi krenar!

Në sondazhe, opinione, por edhe në gjykime nëpër emisione televizive ku flitet për futbollin, në shumë raste vihet në dukje domosdoshmëria e një trajneri pak a shumë me të dhënat e sipërpërmendura, ku perifrazisht mund të përmblidhet nën emërtimin: trajner i pjekur, punëtor dhe me rezultate. Deri këtu të gjithë piqemi mrekullisht mirë, por pastaj kush nga interesat e ulëta, kush nga idetë e pamjaftueshme apo të tjerë të ndryshëm, nuk arrijnë të diskutojnë më tej për të gjetur arsyet e logjikshme të ndërtuar mbi bazën e fakteve dhe argumenteve se kush janë elementët të cilët e bëjnë të pamundur ardhjen dhe uljen në stolin e kuqezinjve të një trajneri me këto cilësi, pra të një trajneri të mirë. Përveç çështjes financiare që ekziston, arsyeja kryesore është pikërisht mjedisi ku punohet për futbollin. Mjedisi është i pafavorshëm për aq kohë sa drejtuesit e federatës nuk do të marrin masa serioze, duke filluar nga gjetja e një trajneri me cilësitë e lartpërmendura; ngritjen e një stafi të kualifikuar specialistësh shqiptarë, të cilët ndjekin nga afër ekipet e moshave në vendin tonë. Kësisoj mund të sjellin sugjerime pranë stafit të ekipit përfaqësues për të rifreskuar edhe ekipin kombëtar; krijimin e infrastrukturës së duhur, e cila përbëhet nga fusha dhe bazë materiale të standardeve europiane; angazhimin për të krijuar një komision disiplinë, krejtësisht tjetër, ndoshta edhe në formë, por në emra po e po, të cilët vendosin në vijë gjendjen e kampionatit shqiptar, ku elementë të dhunës, gjykimit të dobët apo marrjes së rezultateve të pameritueshme ndotin edukatën dhe kulturën e futbollit në vend, por edhe ndihmojnë që klima brenda llojit, rrjedhimisht edhe në kombëtare të mos jetë aty ku duhet, kërkohet.

Si përfundim, sondazhi i realizuar në gazetën Sporti Shqiptar është tregues i asaj se çfarë po ngjet me ekipin tonë përfaqësues. Çdo futbollist shqiptar duhet të jetë i gatshëm të kontribuojë për fanellën kuq e zi, duke dhënë maksimumin e tij. Madje, “legjionarët” shpesh nuk duhet të tuten, por të marrin përsipër marshimin përpara. Ata duhet të flasin, kur gjërat nuk shkojnë në rregull. Ata duhet të shtyjnë ekipin drejt rifreskimit me djelmosha të rinj, të cilët luajnë në Shqipëri dhe jashtë saj duke dhënë rezultate të pëlqyeshme. Ndërsa, “skema” ndotëse që ndikojnë në diktimin e trajnerit për formacionin apo parashikojnë rezultate të fiksuara, duhet të qëndrojnë larg tyre. Nuk ka askush të drejtë të nëpërkëmbë një komb të tërë, as FSHF, as stafi drejtues, as lojtarët dhe askush. Të gjithë bashkë të punojmë me ndarje përgjegjësish, që të japim atë futboll të munguar popullit tonë të dashur.

Redan Bushati, kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH)

Raportuesi i OKB-së: “Të bëhet më shumë për mbrojtjen e të drejtave të migrantëve”

Arbëreshët dhe Bashkimi i Italisë