in

Komisioni i Sigurisë Kombëtare i jep kryeministrit kontrollin mbi “sekretin shtetëror”

Ilir Gjoni, PS: “Berisha përpiqet të ketë sa më shumë pushtet. Edhe ky ndryshim bazohet në këtë filozofi, pasi kalohet nga një kontroll apo menaxhim kolegjial, në një kontroll individual”

Tiranë, 28 shkurt 2012 – Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi të martën mes debatesh një ndryshim në ligjin “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, që ka të bëjë me ndryshimin e varësisë së Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar(DISK), nga Këshilli i Ministrave te Kryeministri.

Opozita e kundërshtoi fort këtë ndryshim, duke theksuar se me anë të tij kryeministri grumbullon më shumë pushtet rreth. “Ky ndryshim në ligj nuk garanton pavarësi profesionale dhe nuk lidhet aspak me përmirësimin e ligjit, por me një dëshirë politike të kryeministrit për të akumuluar sa më shumë pushtet në duart e tij. Ndryshimi ligjor  bazohet në këtë filozofi, pasi kalohet nga një kontroll dhe menaxhim kolegjial në atë individual”, tha nënkryetari i komisionit, Ilir Gjoni, përfaqësues i opozitës.          

Të pranishëm në mbledhje, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave u shprehën se ndryshimi përputhet me detyrat dhe objektivat e veprimtarisë së DISK dhe ai synon të garantojë mbarëvajtjen e këtij institucioni, veçanërisht, nga pikëpamja administrative.

Sipas anëtarëve të mazhorancës, me këtë ndryshim nuk cenohet asnjë nga parimet e funksionimit të institucionit të DISK si paanshmëria, besueshmëria dhe pavarësia profesionale, të cilat janë të garantuara me ligj.

Pas diskutimeve, ligji u kalua vetëm me votat e maxhorancës, dhe iu përcoll për shqyrtim komisionit të Ligjeve.

Ekstradohet nga Italia i kërkuari Serjan Zogu

Serbia merr statusin e vendit kandidat të BE-së