in

Konfindustria: “Amnistia fiskale të nisë nga emigrantët”

Konfindustria, mbështet në parim nisjen e procesit të kryerjes së faljes fiskale të shprehur së fundmi nga qeveria shqiptare. Megjithatë konfindustria thekson se qeveria shqiptare me vonesat e saj të paarsyetuara ka shkaktuar praktikisht humbjen e mundësive të mëdha të përfitimeve nga kryerja e procesit në fjalë, si pasojë e veprimeve të ngjashme konkuruese nga vendet fqinje. Sipas konfindustrisë shqetësimi vjen pas zbatimit të faljes fiskale në shkallë të gjerë për subjektet dhe qytetarët e huaj dhe vendas në Greqi dhe qytetarëve të saj jashtë vendit, që ka çuar deri në 1,5 miliard euro të ardhura në buxhetin e shtetit pa përmendur dhjetëra miliardë euro të hyra në ekonominë greke.

Konfindustria vlerëson, se falja fiskale, duke pasur parasysh veçoritë e ekonomisë kombëtare, në radhë të parë duhet t’u drejtohet qytetarëve shqiptare emigrantë jashtë vendit. Kthimi i tyre i përvitshëm me rastin e pushimeve verore 2011 është koha më e mirë e fillimit të faljes fiskale. Ai ka shtuar se kjo periudhë duhet të paraprihet nga një strategji e qartë ligjore dhe teknike e përgatitur me kohë nga ana e ekzekutivit, me qëllim që të bëhet i mundur ndërgjegjësimi, sqarimi dhe zbatimi në praktikë i faljes fiskale për qytetarët. “Do të ishte me ndikim të ndjeshëm në të mirë të ekonomisë kombëtare hyrja e flukseve financiare nga jashtë në kushtet kur kërkesa për likuiditet nga biznesi është tejet e madhe dhe pasojat e krizës botërore jane ende mjaft të prekshme” thekson më tej Buxhuku.

Mbi amnisti të gjerë fiskale është diskutuar  më 9 mars në mbledhjen e qeverisë. Me dy përjashtime. Së pari, nga amnistia do të përjashtohen bizneset e lidhura me pushtetarë apo ish pushtetarë. Së dyti, do të parandalohet mundësia e amnistimit të parave që vijnë nga trafiqet, droga, pra, parave që janë me origjinë jo biznesi.

Duke e konsideruar një projektligj të rëndësishëm që hap mundësi të reja për biznesin, Kryeministri Berisha ftoi opozitën të shqyrtojë dhe të votojë në parlament projektligjin për amnistinë fiskale, i cili kërkon 3/5 e votave, duke paraqitur mbi këtë projekt edhe amendime që opozita i gjykon të vlefshme. Në të kundërt, Kryeministri i kërkoi ministrit të Financave që projektligji të paraqitet në dy variante: në variantin e parë në formën e amnistisë fiskale dhe në variantin e dytë, në formën e faljes, që, në bazë të Kushtetutës, miratohet me shumicë të thjeshtë. Falja, u shpreh Kryeministri, do të jetë për të gjitha gjobat dhe detyrimet e prapambetura. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri kërkoi që amnistia, por edhe në rastin e faljes, të jetë sa më e plotë për biznesin e vogël.

Flukset për punonjësit sezonalë: nis sot paraqitja e kërkesave

Flukset e sezonalëve: Udhëzues i ilustruar