in

Konsullata e Milanos heq më në fund taksën shtesë të prenotimit

Konsullata e Milanos heq detyrimin e prenotimit për shërbimet e ofruara prej saj. Në web-site-in zyrtar të konsullatës zhduken edhe të gjitha referimet për numrin me pagesë të prenotimit, por ai është akoma aktiv siç mund të verifikohet lehtë duke e formuar 8959697901. Apo edhe gjatë procedurës së prenotimit on line falas që të këshillon: “Për më tepër informacione telefononi Call Center n. 895.969.79.01”

Romë, 30 shtator 2013 – Në shtator, konsullata “e pavarur” e Milanos nuk të detyron më të telefonosh në numrin me pagesë të call center-it, telefonatë që ishte e detyrueshme për të gjithë ata që kishin nevojë për shërbimet konsullore në Milano, përfshirë edhe për aplikimin e për tërheqjen e pasaportave biometrike, gjë që ngrinte me deri 30 euro të tjerë çmimin e lartë (108 euro) të dokumentit. Kështu, pa llogaritur shpenzimet e rrugës e ditën e punës, nëse në Romë pasaporta kushton 108 euro, po të aplikoje në Milano, mund të nxirrje nga xhepi edhe 138 euro: deri 15 euro për prenotimin e aplikimit, 108 euro kostoja e pasaportës dhe deri 15 euro për prenotimin e tërheqjes.

Lajmi i mirë është, që më në fund, konsullata e Milanos ofron shërbimet edhe pa “taksën” shtesë të prenotimit telefonik të shërbimit. Nga faqet internet të konsullatës është hequr çdo referim ndaj numrit të prenotimit me pagesë. Është lënë vetëm opsioni i prenotimit on line, por edhe ky nuk duket as i detyrueshëm.  “Për të ofruar një shërbim sa më të shpejtë mund të merrni takim duhet klikuar këtu: http://109.69.3.50:85/konsullata/” gjen të shkruar në faqet e konsullatës.

Është mirë të sqarohet se call center me pagesë në numrin special telefonik 8959697901 është akoma në funksionim, por të paktën nuk është i detyrueshëm. Ekzistenca e tij verifikohet lehtë duke e formuar apo edhe gjatë procedurës së prenotimit on line falas por që vazhdon të këshillojë: “Për më tepër informacione telefononi Call Center n. 8959697901”.

Për prenotimin me pagesë të vënë arbitrarisht nga konsullata e Milanos, Shqiptari i Italisë ka ngritur zërin që kur ai u bë i detyrueshëm më 12 mars 2012, as dy javë pasi qeveria shqiptare nxori të pavlefshme pasaportat jo biometrike, duke detyruar të gjithë të pajiseshin me të renë, pasi me atë që kishin në xhep, edhe pse e paskaduar, nuk mund të shkonin më asgjëkund, veçse në atdhe prej nga duhej të dilnin me të renë.

Me shtimin e punës e të fluksit të qytetarëve në sportele, konsullata e Milanos e pa të udhës të gjente një mënyrë prenotimi. Dhe gjeti më të shtrenjtën e mundshme për qytetarët: telefonatë në një numër special kundrejt kostos deri 15 euro (e duhet thënë shyqyr që ligji italian nuk lejon që telefonatat në numrat specialë të kushtojnë më shumë) për të prenotuar ditën e aplikimit e më pas atë të tërheqjes së dokumenteve biometrike. E ishte që ishte, konsullata e bëri të detyrueshëm prenotimin me pagesë për të gjitha shërbimet e ofruara prej saj.

Kur redaksia e Shqiptariiialise.com pyeti konsullin e përgjithshëm Nausika Spahia mbi këtë çështje ajo e tha qartë që numri i lartë i personave (deri në 500 në ditë) që paraqiteshin në sportele nuk u lejonte “administrim dinjitoz të punës e të shërbimit”, ndaj vendosi ta zgjidhte në këtë mënyrë, duke vënë taksë-shtesë shqiptaro-milaneze që del nga xhepi i emigrantëve. Ku shkuan paratë e prenotimit? Konsulli Spahia asokohe shtonte gati me krenari se “asnjë qindarkë e telefonatave të prenotimeve nuk hyn në llogarinë e konsullatës”, të gjitha i shkojnë kompanisë private që ofronin shërbimin. Se kush ishte kompania që pati fatin e madh të ofronte këtë shërbim konsulli nuk e tha asnjëherë zyrtarisht. Por në bazë të fluksit të lartë për të cilin fliste vetë konsulli, i bie që në një vit e gjysmë punë (mars 2012- gusht 2013) kompania fatlume të ketë bërë mbi një milion euro me prenotimet e konsullatës së Milanos.

Çështja iu shtrua që në mars 2012 edhe ministrit të jashtëm të asokohe, Edmond Haxhinasto, që tha: “Do të reagojmë në mënyrë që shqiptarët të mos kenë asnjë kosto shtesë në shërbimet që u ofrohen, qoftë edhe për dhënien e pasaportave. Prandaj shumë shpejt do të kemi një ndërhyrje për sa i përket ndryshimit të këtij regjimi”. Nuk u mor asnjëherë asnjë masë as nga ai, as nga Edmond Panariti që e pasoi. Edhe ambasadori i atëhershëm Llesh Kola u duk i pafuqishëm ndaj “republikës së pavarur të konsullatës së Milanos”, e pasi priti për dy muaj reagime nga ministria për pyetjet e shtruara nga redaksia mbi çështjen, u përgjigj “Konsullata e Milanos nuk varet nga ana administrative nga Ambasada, por drejtpërdrejt nga Ministria. Pyetjet e gazetës ia përcolla që të gjitha ministrisë së Jashtme nga varet ajo konsullatë dhe deri tani nuk më është kthyer asnjë përgjigje. Siç ju tha edhe ministri i Jashtëm, çështja po shqyrtohet”. Çështja nuk u shqyrtua asnjëherë. E vetmja gjë që u arrit verën e vitit të shkuar ishte dhënia edhe e mundësisë së prenotimit on line, falas, në http://80.90.82.94:85/app_konsullata/. Prenotim që mund të përdoret edhe sot, por vetëm për të pasur “një shërbim sa më të shpejtë”.

Me sa duket, ka mjaftuar ndërrimi i qeverive që konsullata e përgjithshme e Milanos të vendosë të heqë – të paktën nga faqet zyrtare internet – numrin me pagesë të prenotimit të vënë në mënyrë arbitrare prej saj. Ndoshta, duke mos e parë të shkruar, askush nuk do të kujtohet t’i kërkojë llogari ndokujt për qindra mijëra eurot që shqiptarët e Italisë i kanë dhënë dikujt të detyruar nga konsullata e përgjithshme e Milanos.

Keti Biçoku

Lexo edhe:

 

 

Greqi. Shpartallohet Agimi i Artë, arrestohen krerët

Pistoia. Rihap dyert shkolla shqipe Nënë Tereza