in

Konsulta kushtetuese: antikushtetuese rrethana rënduese e klandestinitetit

Duhet zhdukur nga kodi penal “rrethana rënduese e klandestinitetit”, por konsiderohet e ligjshme futja në sistemin juridik e “veprës penale të klandestinitetit”. Megjithatë, gjykatësit e Paqes mund t’i njohin të pandehurit “motiv të justifikuar”

Romë, 10 qershor 2010 – Konsulta Kushtetuese ka vendosur paligjshmërinë e rrethanës rënduese të klandestinitetit, që sipas paketës së sigurisë së korrikut 2008, rrit me një të tretën dënimin nëse vepra penale është kryer nga një person me qëndrim të parregullt në Itali. Prandaj, këtej e tutje ajo duhet të hiqet nga kodi penal. Nga ana tjetër Konsulta ka quajtur të ligjshme veprën penale të klandestinitetit (që dënohet me gjobitjen nga 5 mijë deri në 10 mijë euro) të futur në sistemin juridik italian me paketën e sigurisë së korrikut 2009. Por duket se Konsulta ka lënë të hapur mundësinë që gjykatësit e Paqes të vlerësojnë sipas rastit nëse nuk kanë ekzistuar motive të justifikueshme që e kanë detyruar të huajin të qëndrojë ilegalisht në Itali.

Mungon ende dokumenti zyrtar pasi të dyja këto sentenca priten të publikohen ditët e ardhshme, por nga burime të mirinformuara mësohet se në këto përfundime u arrit në mbledhjen e djeshme dhe të sotme të Konsultës.

Motivet që shtynë Konsultën drejt hedhjes poshtë të njohjes së rrethanës rënduese të klandestinitetit duket se janë shkeljet e disa neneve të Kushtetutës duke filluar nga ai që parashikon barazinë përpara ligjit. Një arsye e vlefshme është edhe se duke njohur rrethanën rënduese të klandestinitetit, i huaji ndëshkohet për të dytën herë (me rritje të dënimit me një të tretën) pasi ndërkaq është ndëshkuar një herë për veprën e klandestinitetit ( me gjobën nga 5 deri në 10 mijë euro). Një tjetër akoma për JO-në e Konsultës është edhe se me këtë normë rritet ndëshkimi ekskluzivisht për “statusin” e të pandehurit (të qenit klandestin) dhe jo për arsye që kanë të bëjnë me rrezikshmërinë e individit.

Ndërsa për veprën penale të klandestiniteti, sipas Konsultës, çështjet e legjitimitetit të ngritura nga gjykata e Pesaros dhe gjykatësit e Paqes së Orvietos, Leccos, Torinos, Cuneos, Vigevanos dhe Gubbios), janë pa baza. Kështu që Konsulta nuk sheh asnjë shkelje të Kushtetutës me futjen e veprës penale të klandestinitetit në sistemin juridik italian.

Ke. Bi.

Ngatërresë diplomatike, e kosovari nuk nxirret nga burgu

Rudina Arapi, degustatorja më e mirë në Firence