Prej dy vjetësh, shqiptarët që donin të konvertonin patentat e reja shqiptare e kanë pasur të pamundur, sepse nuk njiheshin nga Zyrat e Motorizimit Civil. Qeveria shqiptare vendosi shkëmbimin e notave për kalimin palës italiane të formatit të ri të lejeve shqiptare të drejtimit të automjeteve që lëshohen prej vitit 2017
Romë, 25 maj 2019 – Prej dy vjetësh, konvertimi i patentave të reja shqiptare – është fjala për ato të lëshuara nga 2017-ta e këtej – nuk është i mundur në Itali. Arsyeja shumë e thjeshtë: formati i ri nuk përfshihej në marrëveshjen dypalëshe të konvertimit të lejeve të drejtimit të automjeteve. E për të korrigjuar këtë gjë, apo më saktë, për t’i kaluar palës italiane zyrtarisht formatin e ri të patentave shqiptare u desh një punë e gjatë (apo e zvarritur), gjë që ndoshta duhej bërë përpara ndryshimit të formatit, për të mos u shkaktuar një sërë pengesash e vështirësish shumë shqiptarëve të Italisë.
Pyetjet e shumta në redaksi nga 2017-ta, kur zyrat e motorizimit civil italian filluan të kthenin mbrapsht kërkesat e konvertimit të shqiptarëve, Shqiptariiitalise.com ia përcillte Ambasadës sonë në Romë, që ndërkohë kishte pasur edhe vetë sinjalizime në këtë drejtim e kish nisur punën duke ia shprehur problemin institucioneve përkatëse në Shqipëri. “Po punohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje” siguronin nga Ambasada, pa mundur të jepnin një afat.
Më në fund një lajm i mirë: më 22 maj qeveria shqiptare ka miratuar në parim “Ndryshimin me shkëmbim notash të marrëveshjes, mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, për konvertimin e konvertimin e lejeve të drejtimit”. Ndryshimi ka të bëjë pikërisht me kalimin palës italiane të formatit të ri të lejeve shqiptare të drejtimit të automjeteve që lëshohen prej vitit 2017.
“Miratimi në Këshill të Ministrave i shkëmbimit të notave, është hapi i fundit që duhej të ndërmerrej nga qeveria jonë – thonë për Shqiptariiitalisë.com burime nga ambasada – Nuk mbetet tjetër veçse që shkëmbimi i notave të bëhet e t’i përcillet palës italiane formati i ri i patentave shqiptare”.
Sapo kjo të ndodhë, Ministria e Infrastrukturave dhe Transporteve do t’i përcjellë të dhënat teknike të formatit të ri shqiptar të patentave zyrave periferike të Motorizimit Civil në mënyrë që këto të mund të pranojnë sërish kërkesat për konvertim që paraqiten nga shtetas shqiptarë të pajisur me leje drejtimi nga 2017 e këtej.
Kujtojmë që marrëveshja dypalëshe e konvertimit të patentave është në fuqi deri më 25 dhjetor 2019. Pas kësaj date duhet përtërirë sërish.
Duhet mbajtur gjithashtu parasysh se mbeten të pandryshuara kriteret e konvertimit, me pak fjalë, që konvertohen patentat shqiptare që janë marrë para vendosjes së rezidencës në Itali, dhe se patenta shqiptare mund të përdoret në Itali vetëm vitin e parë të rezidencës. Për të ngarë makinën në Itali pas vitit të parë të rezidencës, i interesuari duhet të ketë konvertuar shqiptaren në Italiane. Gjithsesi i interesuari ka deri katër vjet kohë për të konvertuar patentën shqiptare në italiane pa qenë nevoja të japë provimet e teorisë dhe të praktikës, por veç vitit të parë, gjatë tre të tjerëve nuk mund të ngasë makinën në Itali.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturave dhe Transporteve, konvertimi i patentave shqiptare është njësoj si ai i patentave të vendeve të tjera jo anëtare të BE-së që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Italinë, ashtu si Shqipëria. Në fakt në faqet zyrtare të kësaj ministrie, i vetmi shënim për Shqipërinë është që marrëveshja është e vlefshme për pesë vjet, duke filluar nga 25 dhjetori 2014 deri më 25 dhjetor 2019.
Procedura dhe dokumentet e nevojshme për konvertimin
Kërkesa e konvertimit duhet bërë pranë një zyre provinciale të motorizimit civil duke paraqitur këto dokumente:
– Kërkesa në formularin TT 2112 (që jepet në sportel) e përpiluar dhe e nënshkruar;
– Dëshmia e derdhjes së 32,00 € në llogarinë rrjedhëse postare 4028;
– Dëshmia e derdhjes së 10,20 € në llogarinë postare 9001. Buletinet e llogarive rrjedhëse të gatshme mund të gjenden në zyrat e postës ose në Zyrat Provinciale të Departamentit të Trasportit tokësor. Nuk mund të përdoren buletine të tjera përveç këtyre të gatshme;
– Patenta shqiptare në origjinal dhe fotokopja e saj në të dyja anët;
– Përkthimi me pullë-taksë me 16,00 € i patentës shqiptare, i bërë nga një përkthyes i betuar. Përputhshmëria e përkthimit me tekstin shqip duhet të certifikohet nga përfaqësia diplomatike (konsullatat) shqiptare në Itali. Kjo certifikatë duhet të legalizohet më pas në Prefekturë;
– 2 fotografi format tesera, njëra prej të cilave e autentikuar;
– Certifikata mjekësore me pullë-taksë me fotografi (bëhet në ASL dhe nga mjekë të autorizuar) e gjashtë muajve të fundit;
– Fotokopja e kodit fiskal;
– Fotokopja e lejes apo e kartës së qëndrimit e paskaduar (tregohet edhe origjinali për të verifikuar përputhshmërinë me fotokopjen), ose i kuponit të përtëritjes (dokumentet tregohen edhe në origjinal për të verifikuar përputhshmërinë me fotokopjen).