in

Kosi i Pavarësisë

Nga Artan LAME

100-vjetori erdhi e shkoi, festa mbaroi dhe tash na mbetet të shohim se çfarë mbijetoi prej saj aq sa të tejkalojë kujtimin e atyre pak ditëve të zhurmshme. Për fat të keq dhe për turpin e të gjithëve, këto ditë historike u shoqëruan me kaos institucional, mungesë të theksuar profesionalizmi, folklorizma demode, tallava e butafori boshe që në disa raste arritën kulme të papara.

100-vjetori i Pavarësisë, veç të tjerash hapi edhe siparin e përkujtimit radhë pas radhe të 100-vjetorit të gjitha eventeve dhe ngjarjeve të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar. Kështu do të përkujtojmë me radhë 100-vjetorin e njohjes ndërkombëtare të Shqipërisë, 100-vjetorin e sovranit të parë të Shqipërisë, 100-vjetorin e Luftës I Botërore, 100-vjetorin e Republikës Autonome të Korçës, 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, të Tiranës-Kryeqytet, të Republikës Shqiptare, të Monarkisë, e kështu në vazhdim. Bash edhe për këtë arsye, 100-vjetori i Pavarësisë dukej të shndriste dhe të paraqiste seriozitetin e shtetit. Për fat të keq, nuk ia doli. Megjithëse festa ishte e 100-vjetorit të shtetit, shqiptarët festuan më bukur se shteti i tyre, duke u argëtuar kohë pas kohe me karagjozllëqet dhe tallavatë e qeverisë.

Mediat folën gjerë e gjatë për kaosin organizativ, që vinte nga padija e injoranca; dhe për thyerjet e shkeljet protokollare, që vinin nga mosdashja e keqdashja. Të gjithë pamë shqiponjën tonë, simbolin e shenjtë të shqiptarëve të deformuar si mos më keq. Të gjithë folëm për shkeljet e protokollit presidencial, që u paraqit në këto festime me mungesë të theksuar dinjiteti; për trupin diplomatik që në shumicë nuk arriti as t’u afrohej tribunave e jo më të zinte vend në to, apo edhe për ambasadorë që as që denjuan të merrnin pjesë në mënyrë demonstrative në këto festime; për badigardë që zinin vendin e zyrtarëve dhe zyrtarë që shtypeshin pas shpatullave të badigardëve; për dreka të programuara që nuk u hëngrën e për darka të paprogramuara që u shtruan; për njerëz, të ftuar e media që vinin vërdallë për ditë me radhë, për të zbuluar se ku duhej të ishin e çfarë eventi kishte në kokë Kryeministri. Dhe të mos harrojmë që deri ditën e fundit, ende nuk dihej se kush ishte i ftuar e kush jo, ku do bëhej kjo ceremoni e kur ajo tjetra, kush ftonte, kë ftonte e ku e ftonte. Kush do therej e ku do therej, ku do i futej helli e ku do i ndahej mishi.

Mbreti Zog, me gjithë festimet madhështore që organizoi me rastin e 25-vjetorit të Indipendencës, vetë nuk pati kurajën të shkonte në Vlorë, duke i bërë të gjitha ceremonitë në Tiranë. 75 vjet më pas, Sali Berisha ndoqi të njëjtën udhë, duke u përpjekur të spostojë gjithçka në Tiranë.

Pritja e madhe e mbrëmjes së 28 Nëntorit në Pallatin e Brigadave, duhej të kishte qenë momenti më solemn i shtetit shqiptar. Por edhe këtë moment ia dolën ta kthejnë në njollë turpi. Imagjinoni sikur ceremoninë e 25-vjetorit të mos e kishte hapur vetë mbreti Zog, por t’ia kish lënë hapjen bie fjala ambasadorit italian apo atij gjerman, që ishin më të fuqishmit e oborrit asokohe. Ende sot do ia numëronim Zogut si sahanlëpirje një gjest të tillë, por që Mbreti gjeti kurajën të mos e bënte. Imagjinoni sikur ceremoninë e 50-vjetorit të mos e kish hapur Haxhi Lleshi (asokohe kryetar i shtetit), por ambasadori sovjetik apo ai kinez që edhe këta ishin të plotfuqishëm në Tiranë. Ende sot të gjithë ne dhe Berisha para të gjithëve, do ia numëronim këtë shtetit komunist si sahanlëpirje. E pra atë që s’u bë për 100 vjet, u desh t’i vinte radha Presidentit Nishani ta bënte, duke ia lënë hapjen e pritjes më të rëndësishme të shekullit, një të huaji që besoj se edhe në hartë zor se e di se ku bie dheu ynë.

Rindërtimi i memorialit të Mbretit Zog, ishte një detyrim moral i shtetit shqiptar, qoftë edhe për arsyen e thjeshtë: shteti shqiptar ia prishi dikur, shteti shqiptar duhej t’ia ndërtonte. Por marrëzia dhe keqdashja e Saliut qëndroi në faktin se në një luftë të marrë me historinë, deshi t’ua imponojë shqiptarëve Ahmet Zogun si heroin e vërtetë të pavarësisë. Ishte pikërisht ky fakt që bëri që edhe shumë shqiptarë, që do kishin dashur të merrnin pjesë në këtë ceremoni, thjesht për të respektuar përmbushjen e këtij detyrimi dhe të nderimit për një ish-kryetar të shtetit të tyre; nuk shkuan sepse Saliu desh të na çojë atje për të nderuar heroin e heronjve, kryeheroin e gatuar shpejt e shpejt prej tij për t’ia kundërvënë kujtesës së vërtetë kombëtare.

Me gjithë ato monumente të planifikuara në Tiranë, ky 100-vjetor duhej t’i kishte dhuruar të paktën një shesh të ri ku të vendoseshin. Dhe këtij sheshi le t’i vinin çfarëdo emri që do të donin. Në fund të fundit, ai që ndërton ka edhe të drejtën të zgjedhë emrin që do, madje le t’i vinin edhe emrin Sali Berisha dhe unë i pari do thosha: “E ka hallall se të paktën ndërtoi një gjë të re”. Por në fakt, pamë po lojën e vjetër: copëto sheshe të vjetra për të bërë vend për emra të shtuar, hiq emra të vjetër për të vënë emra të rinj. Asnjë prej monumenteve të promovuar nga qeveria, nuk u vendos në një shesh të ri, por u përdorën gati në mënyrë fyese cepat e lulishteve ekzistuese, në impotencë të plotë për të ndërtuar gjëra të reja.

Kulmi i groteskut u arrit me shtatoren e Hasan Prishtinës, që u vendos në cepin e lulishtes prapa Muzeut Historik Kombëtar në fillim të bulevardit Zog I, ndërsa në skajin tjetër do vendoset shtatorja e vetë Naltmadhnisë. Me një fjalë, vrasësi dhe i vrari do ulen t’i bëjnë karshillëk njëri-tjetrit. Kulmi i talljes u arrit me shtatoren e Ismail Qemalit, që as që morën mundimin ta prodhonin, por morën atë që gjendej në sallat e Muzeut dhe e vunë në cepin më të errët të një lulishteje, duke e quajtur këtë inaugurim. Imagjinoni një President amerikan që për të përkujtuar Pavarësinë e Shteteve të Bashkuara, do të merrte nga Memoriali statujën e Abraham Linkolnit dhe do ta vendoste në mes të rrugës dhe të priste dhe shirit përurimi.

Ndër 43 firmëtarë të Aktit të Pavarësisë, numërohen me gishtat e njërës dorë ata të cilët kanë një varr për të qenë. Të tjerëve ose u ka humbur varri, u është shkatërruar varri, u janë harruar varret, e kështu me radhë. Përpara se qeveria të mendonte për ndërtime monumentesh të reja, kishte detyrimin moral, ligjor dhe kushtetues, që të shpëtonte nga zhdukja monumentet që trashëguam nga etërit tanë.

Nuk na ka mbetur asnjë prej godinave origjinale ku është ngritur flamuri i pavarësisë nëpër qytetet e ndryshme të vendit. E fundit që na la shëndenë ishte godina e flamurit të Republikës së Korçës, e cila u shkatërrua vetëm përpara disa muajsh. Mbijetoi dinjitoze për një shekull, për t’u humbur pikërisht tani. Ende Kryeministri nuk ka thënë qoftë edhe një gjysmë fjale për këtë humbje të paimagjinueshme të kujtesës kombëtare, që për më tepër, në 10 vjetët e fundit edhe ishte përdhosur e kthyer në bilardo.

Në Krujë, mu në hyrje të kalasë, po ngrihet një konstruksion gjigant prej betonarmeje. Me gjithë denoncimet e herëpashershme, ende askush nuk ka luajtur gishtin, askush nuk ka ndërhyrë për të shpëtuar nga shkatërrimi përfundimtar tempullin e përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Dhe kjo po ndodh kur qeveria mburret për shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut, që të huajt na e ruajtën e të huajt na e sollën këtu ta shohim e t’i gëzohemi.

U bë legjendë restaurimi i shtëpisë së dom Ndre Mjedës dhe, në fund, shteti shqiptar nuk dha as një lek për ta restauruar në këtë 100-vjetor. I vetmi kontribut që iu kërkua në fund shtetit, ishte që tavolina e dom Ndresë të vendosej në shtëpinë e restauruar nga mirëdashës privatë. As kaq gjë nuk e bënte dot një shtet i tërë. Jo po duhet ngritur një komision, pastaj duhet bërë një studim, pastaj komisioni t’ia çojë ministrisë, ministria ta miratojë, pastaj duhet bërë preventivi, por s’e bëjmë dot se nuk kemi preventivues, llafe, llafe, llafe dhe edhe sot e kësaj dite tavolinën e priftit-poet vazhdojnë ta hanë krimbat e lagështia në bodrumin e muzeut në Shkodër.

Në këtë kohë krize dhe mungesash, nuk është e lehtë t’u flasësh njerëzve për festime, por në këtë 100-vjetor kishim një detyrim të shenjtë ndaj etërve të atdheut për t’ju nderuar kujtimin; kishim detyrim ndaj shqiptarëve të sotëm për t’u dhënë dinjitet; kishim detyrim edhe ndaj bijve tanë dhe shqiptarëve të së ardhmes, të cilëve duhet t’u përcjellim Shqipërinë. Por druaj se i vetmi kujtim që do të mbetet në histori nga ky qindvjetor, do të jetë imazhi i tortës së pllaquritur e zhgërryer bash nën kolonat hijerënda të Pallatit gjasme të Kulturës, duke i ridhënë jetë kështu fjalës së vjetër e të urtë “evgjiti kur gjeti kos leu edhe b…”.

Asti Aksident në autostradën A7. Humb jetën një 30vjeçar shqiptar

Adriatik Llalla emërohet Prokuror i përgjithshëm me vetëm 75 vota. Nuk e voton Topalli