Kush është presidentja e Kosovës
Atifete Jahjaga, u lind më 20 prill 1975 në Gjakovë. Shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku është diplomuar në vitin 2000.
Karrierën e filloi në Policinë e Kosovës dhe gjatë shërbimit është aftësuar edhe në Qendrën Evropiane të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani dhe Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Mançesterit në Angli, ku ka marrë certifikimin pasdiplomik në menaxhimin policor dhe të drejtës penale në vitet 2006/2007, ndërsa tani vazhdon studimet e magjistraturës në shkencat kriminalistike në Prishtinë.
Deri mbrëmë ajo ishte zëvendësdrejtore e përgjithshme e Policisë së Kosovës.
Ajo është e para që zgjidhet në këtë post që në raundin e parë të votimeve. Votimi i mbrëmshëm në Parlamentin e Kosovës, do të jetë i fundit për zgjedhjen e presidentit. Marrëveshja e arritur një natë më parë, parashikon që në të ardhmen presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë me votat e qytetarëve të Kosovës.