in

Kosova e mbuluar nga bora mbyll shkollat për një javë

Për shkak të temperaturave të ulëta dhe borës, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka marrë vendim që javën e ardhshme të mos mbahet mësim në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në tërë territorin e Republikës së Kosovë

Prishtinë, 5 shkurt 2012 – Kosova vazhdon të jetë e mbuluar nga dëbora, me gjendje të jashtëzakonshme në Pejë, Junik e Kaçanik, dhe me temperatura të ulëta, të cilat  pritet të zbresin më shumë gjatë javës së ardhshme, në – 18 deri në – 22 gradë Celcius.

Trafiku zhvillohet me vështirësi, ndërsa  në komunën e Shterpcës drejt qendrës së skijimit në Brezovicë, ku ndodhen në ekskursion rreth 400 nxënës, rruga është mbyllur nga ortekët e dëborës. Ortekët më parë kishin mbyllur rrugën nga Peja drejt Rugovës dhe kanë shkaktuar bllokada edhe në rajone tjera të Kosovës. Në komunën më jugore të Kosovës, Dragash, trashësia e dëborës arrin në dy metra.

Komuna e Mitrovicës u ka hapur rrugën malore të bllokuar nga dëbora tre fshatrave shqiptare të Leposaviçit, komunës më veriore të Kosovë, Bistricës, Koshtovës dhe Cerajës, të cilat në anën tjetër vazhdojnë të jenë të bllokuara nga barrikadat serbe.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka marrë vendim që javën e ardhshme të mos mbahet mësim në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ministri ka marrë këtë vendim për shkak të motit që po mbretëron në gjithë Kosovën, i cili ka vështirësuar në masë të konsiderueshme lëvizjen qytetarëve dhe paralajmërimit se edhe gjatë javës së ardhshme do të mbretërojë mot i ftohtë dhe me reshje.

Duke qenë se informatat e vazhdueshme të MAShT-it flasin për një gjendje tejet të vështirësuar të lëvizjes, është vendosur që mësimi të ndërpritet nga dita e hënë (6 shkurt) deri në ditën e premte (10 shkurt) në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.

Pas ditëve të fundit të janarit, kjo është hera e dytë në këtë dimër që Ministria e Arsimit e Kosovës merr vendim që për shkak të reshjeve të mëdha të dëborës dhe acarit të ndërpritet mësimi në të gjitha shkollat e vendit.

Për dëborën dhe të ftohtit e madh thuhet se ky dimër është i ngjashëm me dimrat e viteve 1956 dhe 1984 në Kosovë.

Un grillo reazionario

Borë dhe i ftohtë i acartë mbulon Shqipërinë. Vështirësi në qarkullimin rrugor