in

Kosova kujton Ibrahim Rugovën në gjashtëvjetorin e vdekjes

Kosova kujton të shtunën, më 21 janar, presidentin historik, liderin arkitekt i pavarësisë, Ibrahim Rugova

Nën patronazhin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga,  rreth mesditës do të mbahet në Prishtinë Akademi Përkujtimore. Më parë presidentja do të vizitojë familjen Rugova dhe do të bëjë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova.  
Akademi përkujtimore do të mbajë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, parti e themeluar nga Rugova para mëse dy dekadash. Një delegacion nga kjo parti, eksponentë politikë dhe qytetarë, do të bëjnë po ashtu homazhe.

I lindur,  më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, Ibrahim Rugova që para më se dy dekadave përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte  idenë për shtet duke theksuar se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”.

Rugova, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës,  më 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Më 24 maj 1992, në zgjedhjet e para parlamentare e presidenciale, Rugova  u zgjodh Presdident i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht.

Më 4 mars 2002, tre vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, i sapozgjedhur president, Rugova thoshte: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Rugova ka konsideruar gjithnjë Pavarësinë  e Kosovës, si i vetmi kompromis në të mirë të të gjithë qytetarëve të saj. “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, tha shumë prerë  Ibrahim Rugova më  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006, për një tumor në mushkëri. U shua njeriu që bëri epokë, Presidenti historik, kryetari i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

 

Dolci Ortaggi di Mario Peqini

Mblidhen thuajse 50 mijë firmat për reformën e shtetësisë dhe për të drejtën e votës